Kërko

Kard. Koovakad: gratë “arkitekte të paqes”, çelës për një shoqëri gjithëpërfshirëse

Prefekti i Dikasterit për Dialogun Ndërfetar mori pjesë në konferencën "Gratë, udhëheqja dhe dialogu: ura ndërmjet njohurive, kulturave dhe shoqërive", organizuar në Senatin Italian nga ambasada e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë. Në një kohë kur bota është në luftë, nënvizoi kardinali, kemi nevojë për udhëheqës të zotë e për dialog. Gratë, vërejti ai, duke u lidhur me temën e takimit, organizuar me rastin e 8 marsit, festës kushtuar atyre, kanë guximin për t’i përballuar këto sfida

R.SH. - Vatikan

Guximi i grave për të bërë hapin e parë edhe kur konflikti duket i pakapërcyeshëm; ndjeshmëria e tyre e natyrshme ndaj nevojave dhe vuajtjeve të të tjerëve; aftësia për të lënë mënjanë paragjykimet, duke përfshirë në projekte të përbashkëta edhe kundërshtarët; qëndresa në faza kritike, gjatë të cilave marrin përsipër për të shëruar plagë, për të ndihmuar të varfër, për të gjetur një zgjidhje për ankthin e frikën e familjarëve e të njerëzve, që i rrethojnë: gjithçka me qartësi më të madhe, me urti më të madhe e me shpresë më të madhe se të tjerët. Kështu i përshkroi gratë prefekti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Dialogun Ndërfetar, kardinali George J. Koovakad, ndërsa fliste për rolin e tyre në shoqëri, në konferencën me temë “Gratë, udhëheqja dhe dialogu: ura ndërmjet njohurive, kulturave e shoqërive”, organizuar dje, 6 mars, në Senatin e Republikës Italiane, nga ambasadorja e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, znj. Majlindja Frangaj. Në sallën e mbushur plot - me hyrje nga sheshi i famshëm Minerva i Romës, i njohur për Bazilikën e Shën Marisë mbi Minervë, shembulli i vetëm i stilit gotik në Romë dhe për elfantin, mbi të cilin ngrihet një obelisk egjiptian, vepër e Gian Lorenzo Berninit (1667) - të pranishme edhe 15 deputete nga parlamenti shqiptar, ndër të cilat, zv.kryetarja e Kuvendit, znj. Klodiana Spahiu, ish-kryetarja e tij, znj. Jozefina Topalli, zv.ministrja e Turizmit Kulturës dhe Sportit, Marinela Prifti, por edhe përfaqësuese të presidencës së Republikës Italiane, teologe, eksperte të Inteligjencës Artificiale, mjeke e shumë të tjera.

Koovakad: gratë “arkitekte të paqes së çdo dite”

Në një kohë kur bota është në luftë, nënvizoi kardinali Koovakad - duke iu referuar sidomos konfliktit izrealito-palestinez e sulmeve te fundit në Iran, në një kohë kur të krishterët përjetojnë Kreshmët e myslimanët Ramazanin - kemi nevojë për udhëheqës të zotë e për dialog, që duhet të përfshijë sistemin edukativ, kulturën, të promovojë një vizion për të ardhmen e të sigurojë pjesëmarrjen e të gjithë shoqërisë. Gratë, vërejti ai, duke u lidhur me temën e takimit, organizuar me rastin e 8 marsit, festës kushtuar atyre, kanë guximin për t’i përballuar këto sfida, ashtu siç kanë bërë gratë më të shquara gjatë gjithë historisë. Shën Katerina e Sienës, varri i së cilës ndodhet pikërisht në bazilikën që ngrihet në sheshin e Minervës, ishte lajmëtare e paqes ndërmjet të pushtetshmëve të kohës së saj, por edhe Eleanor Roosvelt, gruaja e presidentit amerikan, që pati një rol kyç në hartimin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Jo më pak e jo vetëm nga kardinali, u përmend sidomos Nënë Tereza, shenjtja shqiptare e bamirësisë, e cila nuk është thjesht shembulli i gruas së impenjuar në Kishë e në shoqëri, por, siç u theksua në konferencë, është grua, që e ndryshoi shoqërinë.

Kardinali Koovakad vuri në dukje kenioten çmim Nobel, shoqatat e grave, sidomos ato arabe dhe izraelite, që po punojnë prej dhjetë vitesh për arritjen e paqes e shumë gra të tjera, në linjën e parë të frontit për më shumë humanizëm në botë. I quajti “arkitekte të paqes së çdo dite”, “të parat – siç pati thënë Papa Leoni XIV në Organizatën Botërore të Ushqimit – për të siguruar bukën që mungon, për të mbjellë shpresë në brazdat e tokës, për të brumosur të ardhmen me duar të ashpërsuara nga mundi”. Pikërisht për këtë, ndërhyrja e gruas në histori për të krijuar ura ka karakteristika të veçanta, që i duhen botës së sotme. Për t’ia ndryshuar faqen kësaj bote, e cila po përjeton atë që është quajtur “Regresioni i madh”, përfundoi kardinali Koovakad, “duhet të jemi të vetëdijshëm se… duhet ta njohim, ta promovojmë dhe ta vlerësojmë origjinalitetin e veçantë të talentit femëror, i cili, në një farë mënyre, shfaqet si instinkt amënor, përgjigje ndaj nevojave të sotme. Nuk është vetëm çështje e së vërtetës, por edhe e garancisë për të ardhmen”.

Nga Shqipëria, dëshmi për rolin e grave në ndërtimin e urave mes njerëzve

Pasi e pati përmendur ambasadorja Frangaj, edhe nga zv.kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Klodiana Spahiu, u vu në dukje shembulli i Nënë Terezës si grua e veprimit e jo e fjalimeve. Fraza e famshme e shenjtes shqiptare, që kujton se s’është e nevojshme të bëhen gjëra të mëdha, por gjëra të vogla me dashuri të madhe, u nënvizua prej saj e prej relatoresh të tjera. Ish-kryetarja e parlamentit, znj. Jozefina Topalli, u përqendrua në fjalën e saj, në rolin e grave në demokraci e në aftësinë e tyre për të ndërtuar ura. “Dialogu, për gratë, nuk është teknikë, por domosdoshmëri”, vuri në dukje ajo, duke theksuar nevojën për gra në poste me përgjegjësi, pasi ato “nuk mendojnë thjesht për pushtetin, por për njeriun”. Ndërkaq, zv.ministrja e Turizmit, Kulturës e Sporteve, Marinela Prifti – siç tha vetë, mbesë priftërinjsh e murgeshash – e vuri theksin mbi edukimin e grave, pasi dija e njohuritë e shtuara të tyre çojnë në dialog e ky i fundit, në përparimin e në zhvillimin e shoqërisë. Gratë janë forcë, që e ndryshon historinë, nënvizoi, duke u nisur edhe nga qëndresa e grave katolike (si gjyshja e saj), që e ruajtën fenë edhe gjatë komunizmit, duke ua përçuar fëmijëve. Prandaj, të investosh për gratë, do të thotë të investosh për të ardhmen e vendit, nguli këmbë znj. Prifti.

Gratë arbëreshe, ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë

Të pranishmit në konferencë u përshëndetën edhe nga dy kryetarë bashkie të dy komunave arbëreshe në Itali, San Giorgio Albanese e Vaccarizzo Albanese, përkatësisht Gianni Gabriele dhe Antonio Pomillo. Dhuna kundër grave e nevoja që burrat të kuptojnë rolin e tyre; lidhjet që krijojnë gratë arbëreshe ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, duke ruajtur traditat e zakonet e të parëve; kërkesa për udhë bashkëpunimi të kryesuara nga gratë, ishin në qendër të fjalës së tyre.

Gratë, në fusha të ndryshme të shkencës

Shumë interesante, ndërhyrja e profesoreshës Blerina Sinaimeri, nga departamenti i Inteligjencës Artificiale dhe i Informatikës në Universitetin LUISS të Romës, si edhe ajo e doktoreshës Erida Nure, nga Qendra e Transplantimit të Organeve në Poliklinikën Universitare Agostino Gemelli të Romës. E para, parlajmëroi mbi rrezikun që Inteligjenca Artificiale të japë rezultate të gabuara mbi çështje të lidhura me gratë, pikërisht sepse mëson nga një univers të dhënash, që nuk e konsideron gjithnjë gruan me dinjitet të barabartë me burrin. E dyta, duke dhënë edhe një dëshmi të çmuar personale, vuri në dukje impenjimin e mjekeve në Itali, por sidomos në Shqipëri, ku ambulancat e para pas komunizmit u hapën nga murgeshat. Veçanërisht, përmendi murgeshat, që kanë shërbyer në Fier, por nënvizoi edhe shtrirjen e rrjetit të shërbimeve shëndetësore të Kishës Katolike në të gjithë Shqipërinë.

Mundësi të barabarta

 I rëndësishëm kontributi i grave italiane, që folën në konferencë, duke u nisur nga kryetarja e Departamentit për Mundësitë e Barabarta, në presidencën e Këshillit të Ministrave, Laura Menicucci, e cila u përqendrua në nevojën për fuqizimin e rolit të grave në shoqëri, pasi aty ku ato vlerësohen, sipas statistikave, ka më pak dhunë e më shumë zhvillim. Shoqëria bëhet më gjithëpërfshirëse. Ndërkaq, teologia Caterina Ciriello, nga Universiteti Papnor Urbanian, vuri në dukje rolin e grave të shquara katolike në histori, por sidomos rolin e monakizmit femëror, veçanërisht në brumosjen e Evropës. Së fundi, Francesca Panessa, nga Instituti Italian i Astrofizikës nënvizoi nevojën për mundësi të barabarta për gratë shkencëtare, si edhe investime për ato vajza, që duan të specializohen e të impenjohen në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinjerisë dhe matematikës.

Takim në ambasadën e Shqipërisë në Itali

 Ndërkaq, sot, në orën 18.00, në selinë e ambasadës së Shqipërisë në Romë, 15 deputetet e Kuvendit shqiptar do të takohen me mësuese dhe mësues, vajza e gra, që jetojnë në Itali, me rastin e 7 dhe 8 marsit, Ditës së Mësuesit e Ditës së Grave.

07 mars 2026, 08:19