2025.08.03 Giubileo dei Giovani - Santa Messa a Tor Vergata

Komisioni Teologjik Ndërkombëtar: marrëdhëniet njerëzore janë e ardhmja e njerëzimit, jo teknologjia

U botua dokumenti "Quo vadis, humanitas?", i cili reflekton mbi "sfidën epokale" të antropologjisë së krishterë në epokën e Inteligjencës Artificiale. Rreziqet e "infosferës" dhe kriza e demokracisë; rëndësia e historisë në luftën kundër "amnezisë kulturore"; pasojat e "epokës urbane" që e transformon pragun në kufi. Vetërealizim nuk do të thotë fuqizim i vetes, por do të thotë pritje me liri të plotë të dhuratës së jetës dhe dashurisë së Zotit, ashtu si Maria.

R.Sh. Vatikan

"Quo vadis, humanitas? – Ku po shkon, o njerëzim?"

Ky është titulli i dokumentit të ri të Komisionit Teologjik Ndërkombëtar (KTN) — miratuar nga Papë Leoni XIV më 9 shkurt dhe i publikuar sot, më 4 mars. Dokumenti ka në qendër logjikën themelore dhe qëllimin e tij kryesor. Sot, përballë këtij përshpejtimi teknologjik të paparë, teologjia ofron "një propozim teologjik dhe baritor" që e vështron jetën njerëzore si një "thirrje të plotë" dhe "përgjegjësi ndaj të tjerëve dhe ndaj Zotit", në dritën e Ungjillit. Në qendër të këtij dokumenti është referimi ndaj Kushtetutës së Koncilit të Dytë të Vatikanit «Gaudium et Spes», e botuar pothuajse 61 vjet më parë. Dokumenti i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar mbështetet si te dialogu "i hapur" ndërmjet Kishës dhe botës bashkëkohore, ashtu edhe te koncepti i qenies njerëzore "integrale", tek unitetin i trupit dhe i shpirtit, i zemrës dhe i ndërgjegjes, i mendjes dhe i vullnetit.

Zhvillimi ndërmjet trans-humanizmit dhe post-humanizmit

I pari nga katër kapitujt e këtij dokumenti 'Quo vadis, humanitas?' i kushtohet zhvillimit, i karakterizuar nga dy skaje: trans-humanizmi dhe post-humanizmi. I pari përfshin dëshirën për të përmirësuar konkretisht, përmes shkencës dhe teknologjisë, kushtet e jetesës së popujve, duke kapërcyer kufizimet e tyre fizike dhe biologjike. I dyti dëshiron të zbatojë "ëndrrën" e zëvendësimit të njeriut, duke e vënë theksin tek «cyborg»- /saiborg/, një krijesë hibride që e zbeh vijën ndarëse midis njeriut dhe makinës. Ndërmjet këtyre dy skajeve qëndron besimi i krishterë, i cili "na nxit të gjejmë një sintezë" të marrëdhënieve njerëzore në Krishtin, Birin e Hyjit të bërë njeri, i cili vdiq dhe u ngjall.

Teknologjia Dixhitale si mjedis jetësor

Pasi bën një përmbledhjeje të marrëdhënieve midis zhvillimit dhe teknologjisë – nga Shën Gjoni XXIII deri te Françesku – dokumenti 'Quo vadis, humanitas?'  përqendrohet posaçërisht tek teknologjia dixhitale, në dritën e reflektimeve të Leonit XIV. "Teknologjia dixhitale", theksohet aty, "nuk është më vetëm një mjet, por përbën një mjedis të vërtetë jetësor", pasi u jep trajtë veprimtarive dhe marrëdhënieve njerëzore. Kjo është arsyeja pse epoka dixhitale ka sjellë "një horizont të ri kuptimi", duke ndryshuar gjithashtu nocionin e "universales", e cila sot i referohet "asaj që ndahet me të tjerët në internet", në vend të "një natyre të përbashkët".

Borxhi ekologjik dhe vetmia e botës virtuale

Kjo gjë sjell me vete disa rreziqe: në fushën e mjedisit, zgjerimi i botës artificiale çon në një ekonomi të bazuar te shfrytëzimi i pakufizuar i burimeve, në emër të fitimit maksimal. Pasojë "tragjike" e saj është borxhi ekologjik midis Veriut dhe Jugut të botës, urbanizimi "i egër dhe abuziv" si edhe politikat ndotëse nëpërmjet të cilave merren xeherorët nga toka. Në marrëdhëniet me të tjerët, revolucioni dixhital mund t'i bëjë njerzit të ndihen të parëndësishëm dhe të humbur në një rrjedhë informacioni të pakontrollueshme dhe destabilizuese, ndër kontakte që janë thjesht virtuale e nuk kanë as kohë e as vend.

Fuqia në rritje e IA-së

Prandaj, fuqia e Inteligjencës Artificiale (IA) po shfaqet gjithnjë e më shumë, si në kuptimin e ngushtë (IA) ashtu edhe në inteligjencën e përgjithshme (IG). E para, është në gjendje të përpunojë shpejt sasi të mëdha të dhënash, në një mënyrë që nuk është gjithmonë e kontrollueshme nga njerëzit, ndërmarrjet ose shtetet, dhe për këtë arsye është e pabesueshme. E dyta, shumë më e përhapur, në të ardhmen do të jetë në gjendje të zëvendësojë të gjitha aspektet e inteligjencës njerëzore, si llogaritëse ashtu edhe operative, me pasoja të thella dhe rrënjësore. Në një botë tepër të lidhur nga ana virtuale, thuhet në dokument, dinamikat ekonomike, politike, sociale dhe ushtarake rrezikojnë të bëhen "të pakontrollueshme dhe për këtë arsye të paqeverisshme". Si pasojë, edhe rreziku i "kontrollit dhe i manipulimit shoqëror" është në rritje.

Bjerrja e asnjanësisë e mjeteve të komunikimit

Edhe bota e informacionit ndikohet nga ky skenar: ndërsa thekson avantazhet e zhvillimit tekniko-shkencor në këtë fushë  – siç janë "qytetaria aktive", "informacioni i drejtpërdrejtë dhe pjesëmarrës" dhe "informacioni i pavarur" që lejon, për shembull, raportimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut  – Komisioni Teologjik Ndërkombëtar paralajmëron kundër "një tregu të pafund lajmesh dhe të dhënash personale, jo gjithmonë të vërtetueshme dhe shpesh të manipuluara". Në thelb, sot mjetet e informimit nuk janë "mjete asnjanëse", dhe për këtë arsye ndikimi i tyre në etikë dhe kulturë vë në pikëpyetje antropologjinë, displinën shkencore që studion njeriun në tërësinë e tij.

Infosfera dhe kriza e demokracive perëndimore

Në këtë "infosferë", pra, në këtë botë ku ka dyndje të informacionit, individët janë gjithnjë e më të pasigurt për identitetin e tyre dhe për këtë arsye kërkojnë që të tjerët t’i njohin: një njohje që duhet të fitohet edhe duke "shtrembëruar realitetin" ose duke pohuar të drejtat e tyre "kundër të tjerëve". Këtu lindin përplasjet shoqërore, shpesh duke u shndërruar në konflikte identiteti. Prej këndej buron edhe "kriza e vazhdueshme në demokracitë perëndimore", të pavetëdijshme për "vështirësinë në rritje" për të njohur bashkarisht "atë që na bashkon si qenie njerëzore". Për më tepër, kur opinioni homogjenizohet nga "pëlqimet", debati politik "tribalizohet", fragmentohet midis grupeve shumë të polarizuara që përfshihen në përballje "konfliktuale dhe të dhunshme". Në thelb – thekson Komisioni Teologjik Ndërkombëtar – mungon "dialogu shoqëror", ai që ndërton konsensus nga posht-lart, bazuar tek "lidhjet e solidaritetit".

Përmirësimi i figurës njerëzore “Human Enhancement” dhe drejtpeshimi ndërmjet teknologjisë dhe njerëzimit

Revolucioni i informacionit po ndryshon gjithashtu mënyrën se si i perceptojmë njohuritë, horizonti i së cilave mund të reduktohet vetëm tek ato gjëra që përpunon Inteligjenca artificiale. Kështu, parimet e filozofisë, teologjisë ose etikës mund të konsiderohen çështje subjektive ose çështje të "shijes" personale. E njëjta gjë mund të ndodhë me materialitetin fizik: ndërsa, nga njëra anë, përparimi i bioteknologjisë për shëndetin dhe mirëqenien e popujve të ndryshëm është i dukshëm, nga ana tjetër, dokumenti paralajmëron kundër përhapjes së "kultit të trupit", veçanërisht në Perëndim, ku ndjekja e "figurës perfekte, gjithmonë në formë, të re dhe të bukur" është parësore. Përmirësimi i figurës njerëzore është po aq i rrezikshëm: në vetvete, ai i referohet të gjitha atyre teknologjive biomjekësore, gjenetike, farmakologjike dhe kibernetike që synojnë përmirësimin e aftësive njerëzore. Por nëse ky koncept kuptohet "pa kufij dhe masa paraprake", atëherë ka nevojë të ngutshme për reflektim rreth nevojës për drejtpeshim ndërmjet asaj që është "teknikisht e mundshme dhe ka kuptim nga pikëpamja humane".

Dritëhijet në marrëdhëniet ndërmjet teknologjisë dixhitale dhe fesë

Edhe marrëdhëniet ndërmjet teknologjisë dixhitale dhe fesë shqyrtohen me themel në këtë dokument. Edhe në këtë fushë, ka aspekte pozitive – siç është lehtësimi i përftimit të njohurive dhe informacionit – por ka edhe anë negative. Këto të fundit përfshijnë krijimin në internet të "një tregu gjigand fetar që ofron një zgjedhje sipas interesave individuale", ose edhe një stil të caktuar komunikimi të krishterë që, në rrjetet sociale, përdoret për të "nxitur polemika dhe madje për të shkatërruar reputacionin e mirë të të tjerëve".

Për më tepër, në këtë "metamorfozë të besimit", vetë teknologjia përfundon duke shërbyer si "udhëzuese shpirtërore dhe ndërmjetëse e së shenjtës". Mbërrin deri aty sa ka raste të "bekimeve virtuale dhe ekzorcizmit dhe spiritualizmit dixhital". Ekzistojnë gjithashtu forma të "neo-gnosticizmit" që, në emër të një njerëzimi të lirë nga të gjitha kufizimet nga komuniteti dhe historia, e shohin fenë thjesht si pengesë për veprimtarinë kërkimore dhe përparimin.

Kultura e anamnezës dhe amnezia e kulturës

Kapitulli i dytë i dokumentit përqendrohet te «thirrja e plotë» drejtuar qenies njerëzore.

Në fakt, përvoja njerëzore duhet të merret në konsideratë brenda kategorive konkrete të kohës, hapësirës dhe marrëdhënies. Sot, shpjegon Komisioni Teologjik Ndërkombëtar, ndjenja e historisë ka humbur, gjithçka është reduktuar tek një "e tashme të vetëpërmbajtur" dhe "kultura e anamnezës" – që do të thotë kultura e përvojës historike – i ka lënë vendin "amnezisë kulturore", domethënë «harresës së kulturës». Nuk flitet për tradita që përjetohen, por përkundrazi të dhëna të përpunuara që mund të rikujtohen në çdo kohë nga një kompjuter. Teknologjia e bën gjithçka bashkëkohore, por "një e tashme që nuk njeh më të kaluarën nuk ka më asnjë të ardhme", asnjë shpresë. Kjo mund të çojë në "forma revizionizmi dhe mohimi", si dhe në "kultura të rreme (të mbeturinave, mureve, izolimit)" ose "populizmit".

Përballë të gjitha këtyre, Ungjilli paraqitet si "kundërkulturë" për dy arsye: sepse vlerëson dhe nxit njeriun në të gjitha përmasat e veta njerëzore, dhe sepse, në "përshpejtimin horizontal" që po përjeton historia, Lajmi i Mirë i ofron kësaj kuptim, domethënë, Jezu Krishtin, pikën e takimit midis kohës njerëzore dhe përjetësisë së Zotit.

Dukuria e "epokës urbane"

Reflektimi mbi hapësirën është po aq i gjerë, veçanërisht përballë dukurisë së "epokës urbane", ose formimit të zonave metropolitane që bashkojnë qendrat dhe periferitë në hapësira të gjera, me të gjitha problemet që sjellin me vete siç është mungesa e shërbimeve thelbësore. Për më tepër, kultura globale dhe lehtësia e lëvizjes po i bëjnë njerëzit "qytetarë të botës", por edhe "endacakë", që enden në vende pa formë e pa kuptim të veçantë si aeroportet dhe qendrat tregtare. "Kështu, figura e shtegtarit humbet", thekson dokumenti, domethënë figura e atij, i cili, pa e humbur lidhjen e vet me atdheun, niset për t'iu përgjigjur thirrjes së Zotit.

Dallimi ndërmjet kufijve dhe pragjeve

Hapësira globale nuk na bën më mikpritës dhe më të hapur kundrejt të tjerëve. Përkundrazi, ajo na çon në "reagime të forta identiteti", nxit "ndjenja pushtimi" që i shohin të tjerët si kërcënim dhe krijojnë kufij, aty ku të krishterët në vend të këtyre shohin "pragje" ose "zona që lidhen" me të tjerët. Krishti, në fakt, "ua çel hapësirën popujve dhe individëve", duke e bërë atë një vend mikpritës, pa mure apo mbyllje, në një të tashme shpëtimtare, në rrugën drejt një të ardhmeje transhendente.

Marrëdhëniet si pendë mbrojtëse kundër globalizimit që i bën të gjithë njëlloj

Prej këndej buroj edhe «marrëdhënia», dhe «ndërsubjektiviteti», të kuptuara si qëndrim i njeriut i cili i përket një familjeje, një populli dhe një tradite. Këto përkatësi, thekson dokumenti, formojnë identitetin personal dhe përbëjnë "pothuajse një digë mbrojtëse që të mos përhapet globalizimi homogjenizues".

Bërthama familjare, në fakt, veçanërisht në "bashkimin e burrit dhe gruas kur japin fryt, që është foshnja", shpreh "plotësinë dhe premtimin" e dhuratës së jetës. Po kështu, një popull plotëson veten kur ka të përbashkët një kulturë dhe një tokë, duke kundërshtuar kështu vizionin "kozmopolit, anonim dhe të globalizuar" që fshin dallimet dhe identitetet parësore. Parimi që propozon Komisioni Teologjik Ndërkombëtar është «bashkimi në diversitet», në emër të "vëllazërimit" dhe "miqësisë". Këtu përfshihet edhe "populli i Zotit, Kisha", udhëtimi i të cilit është i bazuar te besimi dhe është i hapur për një "projekt më të unifikuar".

Të varfrit nuk janë "dëm anësor" i teknologjisë.

Ky kapitull i dytë i dokumentit përqendrohet gjithashtu në parimin e së mirës së përbashkët, me një thirrje drejtuar institucioneve financiare që të jenë "të vëmendshme ndaj ekonomisë reale dhe jo ndaj logjikës së fitimit" si edhe të ruajnë një qasje etike dhe solidaritet me më të cënueshmit. Kjo ndodh edhe sepse "misteri i Kryqit" e tërheq vëmendjen drejt viktimave; prandaj, pa drejtësi ose pa marrë parasysh më të cënueshmit, nuk mund të ketë "plotësim të historisë së njerëzimit". Në këtë drejtim, një pikë e veçantë në dokument na nxit gjithashtu ta drejtojmë vëmendjen tonë te më të varfrit që, për shkak të vrullit të teknologjisë, rrezikojnë të kthehen në "dëm anësor", një dëm që duhet zhdukur "pa mëshirë".

Dinjiteti i pafund i çdo jete dhe lutjeje njerëzore

Thirrja e plotë për qenien njerëzore është gjithashtu përmbushja e saj në dashuri: jeta e çdo personi është fryt i "dashurisë krijuese të Atit", i cili i deshi këta para se t'i krijonte. Kjo do të thotë që "çdo jetë njerëzore ka vlerë të pafundme në vetvete" dhe njeriu nuk mund t'i nënshtrohet asnjë mase – politike, ekonomike apo sociale – që e zvogëlon "dinjitetin e tij të pafund". Perceptimi i jetës si një dhuratë siguron gjithashtu që askush të mos ndihet "i tepërt" në botë, sepse të gjithë jemi të thirrur t'i përgjigjemi një plani të konceptuar nga Zoti për ne, fëmijët e Tij, që i drejtohemi Atij në lutje.

Lutja, një qëndrim që " e bën njerëzimin të posaçëm", shpreh njerëzimin që ia beson veten Zotit, pa u tretur dhe pa bërë plane për veten.

Kultura e «mungesës së thirrjes» u heq të rinjve shpresën

Për fat të keq, sot, veçanërisht në Perëndim – vëren dokumenti – nxitet një "kulturë e mos-thirrjes" e cila ua heq të rinjve hapjen ndaj kuptimit përfundimtar të ekzistencës, si dhe ndaj shpresës. E ardhmja, pra, tkurret vetëm te zgjedhja e karrierës, përfitimit financiar dhe kënaqësisë së nevojave materiale. Përkundrazi, "kultura e thirrjes" është më e nevojshme se kurrë që individët dhe popujt të fitojnë identitetin e tyre.

Identiteti piqet në dashuri

Dhe identiteti është pikërisht tema e kapitullit të tretë: "Asnjë qenie njerëzore nuk mund të jetë e lumtur nëse nuk e di se kush është", pohon Komisioni Teologjik Ndërkombëtar. Prandaj, çdo person duhet të marrë përsipër "detyrën" që të bëhet vetvetja dhe të shndërrimit të botës sipas planit të Zotit. Për më tepër, si fëmijë të dashur të Zotit, qeniet njerëzore zhvillojnë identitetin e tyre mbi të gjitha në dashuri. Por ka faktorë të tjerë – kulturorë, natyrorë, shoqërorë dhe fetarë – që e bëjnë identitetin veçanërisht të ndërlikuar. Për këtë arsye, identiteti duhet kërkuar mbi të gjitha te zemra, te "qendra e personit", aty ku krijohet uniteti dhe ndërtohen lidhje të vërteta, në marrëdhënie të duhura me botën.

Trupi dhe aftësitë e kufizuara

Për të formuar identitetin e dikujt, është gjithashtu e nevojshme të "pranohet trupi, i parë si një dhuratë dhe jo si burg që na pengon të jemi vërtet vetvetja, apo si material biologjik që duhet modifikuar". Në këtë kontekst, aftësia e kufizuar gjithashtu merr një vlerë të konsiderueshme: "Ndërsa aftësitë e kufizuara të lindura nuk janë dëshirë e drejtpërdrejtë e Hyjit", shpjegon dokumenti, është e nevojshme të mbrohet dinjiteti i pafund i secilit person, duke e pranuar "gjendjen e tyre të veçantë" fizike sepse edhe ajo "mund të jetë një mundësi për mirësi, mençuri dhe bukuri".

Marrëdhëniet ndërmjet njerëzve dhe marrëdhëniet me kozmosin

Teksti thekson qartë rëndësinë e marrëdhënieve ndërpersonale, sepse sa më shumë që një person i përjeton ato siç duhet, aq më shumë piqet "identiteti personal i secilit". Të qenit një dhuratë për të tjerët bëhet kështu mënyra se si një person i përgjigjet thirrjes së një "bashkimi shoqëror" që realizohet në "aftësinë për të mirëpritur të tjerët, duke krijuar lidhje të forta" të bazuara në dialog, dëgjim dhe të drejtën për të qenë vetvetja dhe për të qenë ndryshe. Një reflektim i mëtejshëm ofrohet mbi marrëdhënien ndërmjet njerëzimit dhe kozmosit. Theksohet se ajo nuk mund të reduktohet në një "objekt" të thjeshtë, as nuk mund të "humanizohet", siç ndodh veçanërisht në Perëndim me kafshët shtëpiake. Përkundrazi, qeniet njerëzore duhet të luajnë rolin e "kujdestarëve të përgjegjshëm" të Krijimit, duke u bërë veprimtarë të evolucionit të universit fizik, "por gjithmonë duke respektuar ligjet e tij".

Tensionet polare të identitetit njerëzor

Kapitulli i katërt dhe i fundit i dokumentit analizon gjendjen dramatike të procesit të realizimit të identitetit njerëzor, i cili kalon nëpër "tensione ose polaritete" të ndryshme ndërmjet materies dhe shpirtit, mashkullit dhe femrës, individit dhe komunitetit, të fundësisë dhe të pafundësisë. Këto tendosje, shpjegohet në dokument, "nuk duhet të interpretohen me logjikë dualiste, por si 'unitet i të dyjave'", duke dëshmuar kështu "vlerën e drejtë dhe të domosdoshme të ndryshimit". Këtu merret si shembull "jeta trinitare", në sajë të së cilës marrëdhënia midis dy personave nuk mbyllet në vetvete, as nuk e anulon tjetrën, por "hapet drejt përmbushjes tek personi i tretë". Mbi të gjitha, përmes kundërshtimeve polare, "dhurata origjinale që paraprin dhe vendos mbetet e paprekur". "Harmonia e përsosur" midis Tri Vetave bën thirrje për vëllazëri të përbotshme dhe gjen shprehje më së miri tek Eukaristia, e cila "rigjeneron marrëdhëniet njerëzore dhe i hap ato për bashkim".

Mashkulli dhe femra janë një dhuratë nga Zoti, jo një varibël e kushtëzuar.

Theksohen dy pika në veçanti: në tensionin midis mashkullit dhe femrës, theksohet se identiteti i burrit dhe gruas "nuk është një variabël e kushtëzuar" që mund të formohet në mënyrë të pavarur ose në konflikt me kuptimin e tij "origjinal dhe të përhershëm"; as nuk është "një pronë që duhet menaxhuar" në mënyrë subjektive. Përkundrazi, ky identitet është një dhuratë nga Zoti. Si pasojë, prirja e sotme për të "mohuar ose injoruar këtë dallim të natyrshëm" kthehet në "një mënyrë të rrezikshme për të fshirë identitetin e vërtetë trupor", në dobi të një "vetë-plotësimi endogam". Parë nga këndvështrimi teologjik, sidoqoftë, lidhja midis burrit dhe gruas gjen perspektivën e vet të përshtatshme te thirrja e të dyve për unitet "me dinjitet të barazvlefshëm".

Zanafilla e krizës ekologjike

Pika e dytë ka të bëjë me polaritetin ndërmjet asaj çka është materiale dhe asaj që është shpirtërore: kur "harmonia" midis këtyre dy përmasave humbet, asnjë gjë nuk është më "shenjë e një misteri më të madh", por reduktohet thjesht në "materie që duhet manipuluar arbitrarisht vetëm për fitim". Dhe, pikërisht kjo gjë është "në themel të krizës së tashme ekologjike", e cila reflektohet edhe në marrëdhëniet ndërmjet individëve dhe popujve, në një "zgjerim të konfliktit njerëzor". Kështu, vëllazërimi i përbotshëm, "që është i gdhendur te zanafilla jonë e përbashkët", nuk njihet më. E në fakt, ajo "fyhet vazhdimisht". Nga këndvështrimi teologjik, megjithatë, tensioni midis materies dhe shpirtërores gjen "kuptimin e tij të plotë" tek ringjallja. Falë kësaj, qenia njerëzore shpëtohet krejtësisht, deri në thelb, në trup dhe në shpirt.

Shembulli i Virgjërës Mari

Si përfundim, dokumenti i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar thekson qartë se "e ardhmja e njerëzimit nuk varet nga laboratorët e bioinxhinierisë, por nga aftësia për të lundruar në sfidat e së tashmes", pa humbur ndjenjën e kufirit dhe të hapjes kundrejt misterit të Krishtit të ringjallur.

Një shembull i mrekullueshëm i këtij qëndrimi është Virgjëra Mari: ajo që e pranoi me vullnet të lirë dhuratën e Zotit për t’u bërë shembull i qenies njerëzore të realizuar plotësisht. Humanizim i vërtetë, pra, do të thotë ta lëmë veten të "hyjnizohemi" nga Dashuria që "na paraprin dhe na bën protagonistë të një njerëzimi të ri".

04 mars 2026, 13:10