Kërko

Kard. Parolin: Nunci është bartës i paqes e ndërtues urash mes ndarjeve

Në Yagma, Sekretar i Shtetit të Vatikant kard. Parolin kryeson Meshën për shugurimin episkopal të Kryeipeshkvit Relwendé Kisito Ouédraogo, nunci apostolik në Republikën e Kongos dhe në Gabon, dhe për një kohë të gjatë sekretar personal i vetë kardinalit. Misioni i përfaqësuesit papnor konsiston në "sjelljen e së vërtetës dhe dritës, paqes dhe unitetit" mes profetëve të rremë. Thirrja për të "ndërtuar ura dhe marrëdhënie" dhe për të predikuar "pa pushim" Ungjillin.

R.SH. / Vatikan

Sekretar i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, gjatë homelisë së Meshës për shugurimin ipeshkvor të imzot Kisito Ouédraogo, në Burkina Faso, theksoi se misioni i një nunci apostolik është të sjellë të vërtetën, dritën, paqen dhe unitetin, duke qenë njëkohësisht ndërtues urash dhe marrëdhëniesh mes popujve dhe Kishave, sidomos në kohë ndarjesh dhe tensionesh.

Kardinali Parolin i bëri këto reflektime gjatë Meshës për shugurimin ipeshkvnor të imzot Relwendé Kisito Ouédraogo, i emëruar nga Papa Leoni XIV nunc apostolik në Republikën e Kongos dhe në Gabon. Kremtimi u zhvillua të shtunën, më 7 mars, në Bazilikën e vogël Notre-Dame të Yagma-s, në Burkina Faso, vendi i origjinës së ipeshkvit të ri. Në liturgji morën pjesë shumë ipeshkvij, meshtarë dhe besimtarë nga Burkina Faso, Kongo dhe Gaboni, ndërsa kremtimi u shoqërua edhe me këngë e valle tradicionale.

Në homelinë e tij, kardinali Parolin kujtoi me mirënjohje vitet e shumta të shërbimit të imzot Kisitos në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, ku ai ka punuar që nga viti 2010 në Seksionin për Çështjet e Përgjithshme dhe për një kohë të gjatë ka qenë sekretar personal i kardinalit. Kard. Parolin theksoi se kjo përvojë e gjatë në Romë e ka përgatitur për misionin e ri që Papa i ka besuar: të përfaqësojë Selinë e Shenjtë në Afrikë si diplomat dhe bari.

Kardinali Parolin shprehu mirënjohje të thellë për ndihmën dhe bashkëpunimin që imzot Kisito ka dhënë gjatë këtyre viteve, shpesh me sakrifica, dhe e inkurajoi që ta përballojë detyrën e re me qetësi dhe besim. Ai nënvizoi edhe rëndësinë e motos ipeshkvore që nunci ri ka zgjedhur:
“Çfarëdo që t’ju thotë, bëjeni” (Gjn 2,5), fjalë të Virgjërës Mari në dasmën e Kanës së Galilesë. Sipas kardinalit Parolin, këto fjalë do të jenë udhërrëfyes për shërbimin e tij, sepse kërkimi i vazhdueshëm i vullnetit të Zotit sjell paqe dhe qetësi në zemër, edhe në momentet e vështira.

Duke folur për misionin e nuncit apostolik, kard. Parolin theksoi se ai është i thirrur të sjellë dritë dhe të vërtetë në mes të errësirës së mëkatit, të ndarjes dhe të gënjeshtrës. Në botë, tha ai, nuk mungojnë “profetët e rremë”, të cilët të shtyrë nga krenaria përhapin mësime të gabuara dhe e shpërndajnë kopenë e Krishtit. Për këtë arsye, nunci duhet të jetë predikues i së vërtetës dhe bari sipas zemrës së Jezusit, i gatshëm të japë jetën për popullin e besuar.

Kardinali Parolin u ndal edhe te vetë fjala “nunc” (nuntius), që do të thotë lajmëtar ose i dërguar. Ai shpjegoi se nunci apostolik është ai që sjell fjalën e një tjetri: fjalën e Krishtit si ipeshkëv dhe fjalën e Papës në misionin e tij diplomatik. Prandaj nunci apostolike duhet të shpallë me besnikëri dhe pa pushim Ungjillin, jo vetëm me fjalë, por edhe me jetën e përditshme, në takime private dhe në marrëdhënie zyrtare.

Një pjesë e rëndësishme e shërbimit të tij do të jetë edhe ndërtimi i urave dhe i marrëdhënieve, sidomos aty ku dialogu është më i vështirë. Si përfaqësues i Papës, nunci apostolik duhet të sjellë fjalë shërimi dhe ngushëllimi, duke dëshmuar dashurinë mëshirplotë të Zotit për gjithë njerëzimin dhe duke treguar kujdesin e Kishës për çdo popull.

Në të njëjtën kohë, nunci apostolik është i thirrur të ruajë unitetin e Kishës, duke vepruar gjithmonë në bashkim me Papën – “nën hijen e Pjetrit” (sub umbra Petri), siç tha kardinali Parolin. Duke promovuar vëllazërinë mes popujve, ai duhet të përpiqet të ndërtojë ura dialogu dhe bashkëpunimi, edhe në situatat më të ndërlikuara.

Në fund të homelisë, Parolin theksoi rëndësinë e lutjes së vazhdueshme dhe të dashurisë konkrete. Nunci apostolik duhet të ndërmjetësojë vazhdimisht para Zotit për popullin dhe të kujdeset që besimi i besimtarëve të rritet, besnikëria e tyre të forcohet dhe dashuria për Zotin të lulëzojë. Duke ndjekur shembullin e Krishtit, Bariut të Mirë, ai duhet të tregojë gjithmonë dashurinë dhe mëshirën e Krishtit për çdo njeri.

Në përfundim, kardinali Parolin ia besoi misionin e ipeshkvit të ri imzot Kisitos Virgjërës Mari dhe martirëve të Ugandës, ndër të cilët është edhe shenjti nga i cili imzot Kisito mban emrin, një martir i ri që vdiq vetëm 14 vjeç.

07 mars 2026, 11:55