Kërko

Kardinali Cupich: «Duhet të pranojmë parime që shmangin luftërat»

Në një intervistë të gjerë me «Vatican Media», kardinali Blase Cupich, arqipeshkëv i Çikagos, bën thirrje për përmbajtje, që të shmanget përshkallëzimi i panevojshëm ushtarak jashtë SHBA-ës dhe që të parandalohen gjërat para se të dalin jashtë kontrollit. Ai gjithashtu kërkon kapërcimin e polarizimit dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor të të gjitha etnive në Shtetet e Bashkuara, në një mënyrë që garanton se ligji dhe të drejtat e njeriut nuk janë kundërshtare, por puqen me njëra-tjetrën.

R.Sh. Vatikan

«Pasi ta hapësh derën me sulme, është shumë e vështirë ta mbyllësh atë, dhe gjërat mund të dalin jashtë kontrolli shumë shpejt». Në një intervistë të gjerë me «Vatican Media», kardinali Blase Cupich, kryeipeshkëv i Çikagos, bëri këtë paralajmërim, ndërsa reflektoi edhe mbi tensionet jashtë dhe brenda vendit.

Pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael që goditën Teheranin dhe disa qytete iraniane të shtunën, Irani nisi sulme hakmarrëse në zona të ndryshme në rajonin e Gjirit Persik, duke goditur aeroporte, ndërtesa, porte dhe disa struktura civile, veçanërisht në qytete të tilla si Doha, Manama dhe Kuvajt Siti. Gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, të dielën, Papa Leoni XIV tha se “përballë mundësisë që të shikojmë një tragjedi me përmasa të mëdha”, u bën thirrje, me zemër në dorë, palëve të përfshira “të marrin përgjegjësinë morale për të ndaluar vorbullën e dhunës përpara se ajo të shndërrohet në një humnerë të pafundme!”

Gjatë bisedës, kardinali Cupich reflekton mbi ngjarjet dramatike në Lindjen e Mesme dhe në botë në përgjithësi, si dhe mbi fuqinë e zërit dhe thirrjes së Papës për përgjegjësi morale. Ai gjithashtu reflekton mbi përçarjet dhe mundësinë e Papës për të bashkuar zemrat në atdheun e tij, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fund, kryeipeshkvi, kardinali i Çikagos, foli mbi atë që «Windy City» – qyteti i erës, siç quhet ndryshe Çikagoja – po i ofron botës, domethënë Papën e parë të tij dhe efektin që ka kjo gjë në Kishë.

Shkëlqesia Juaj, cili është kontributi i Papë Leonit për paqen? Ati i Shenjtë bëri një thirrje të zjarrtë të dielën, gjatë lutjes së Engjëllit të Tenzot. Sa është i rëndësishëm zëri i tij në tensionet globale të sotme?

Ajo që po bën Ati i Shenjtë është thjesht thirrja e kujtesës së atyre parimeve për të cilat kombet kanë rënë dakord që nga Lufta e Dytë Botërore, pra, si duhet të sillen me tensionet, përplasjet, konfliktet dhe mosmarrëveshjet. Gjatë këtyre tetëdhjetë viteve, kemi pasur një organ ndërkombëtar, domethënë Kombet e Bashkuara dhe organet e tjera, për të respektuar të drejtat e njeriut, por është marrë në konsideratë, në shumë mënyra, edhe sovraniteti i kombeve për mosmarrëveshjet. Ajo që po bën Ati i Shenjtë është se po përpiqet të na e kujtojë përsëri atë, në mënyrë që të mos e humbasim krejtësisht. Në fakt, ekziston kërcënimi që mund ta humbasim plotësisht këtë konsensus. Ky është një rol i rëndësishëm që po luan Papa këtu. Mendoj se ai po flet në emër të shumë njerëzve që janë të shqetësuar për atë që ndodh nëse ky konsensus prishet.

Me ngjarjet e fundit në Lindjen e Mesme, bota po jeton ditë tensioni dhe frike të madhe. Si po i përjetoni këto ditë, dhe cila është lutja juaj për këtë kohë?

Unë iu bashkova kardinalit Joseph Tobin, kryeipeshkvit të Newark-ut dhe kardinalit Robert McElroy të Uashington D.C. në hartimin e një deklarate rreth këtyre çështjeve, pikërisht në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndërmerrnin veprime ose po kërcënonin, për shembull, Groenlandën dhe Venezuelën. Ne parashikuam se gjëra edhe më këqia do të ndodhnin nëse nuk do të ndryshonim kurs. Dhe kjo, po, ka ndikim në jetën e njerëzve. Pothuajse një mijë vetë janë vrarë tani në këtë luftë të fundit me Iranin.

Ne gjithashtu po e shohim përdorimin e armëve si një mënyrë me të cilën zgjidhim vështirësitë tona. Kur fillojmë të ndjekim këtë shteg, atëherë ecim në një rrugë nga e cila është shumë e vështirë të kthehemi. Po e vërejtmë këtë gjithnjë e më shumë në këtë moment të veçantë. Pra, mendoj se njerëzit kanë frikë. Ata as nuk e kanë idenë se si do të përfundojë kjo luftë dhe gjërat mund të dalin jashtë kontrollit shumë shpejt.

Dhe siç e kishit parashikuar, sot shumë njerëz ndoshta po e pranojnë që lufta është bërë përsëri një rrugë disi normale për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare. Çfarë do t'u thoshit këtyre njerëzve?

Do t’u thoja se ne, si planet, kemi qenë në atë rrugë në të kaluarën. Le të kujtojmë Luftën e Parë Botërore që filloi me vrasjen e arqidukës në Sarajevë. Pastaj shpërtheu Lufta e Parë Botërore, të cilin e shpalli Franc Jozefi, në emër të Perandorisë Austriake. Mendonte se do të ishte një zgjidhje shumë e shpejtë për atë problem. E pra, doli se u deshën vite konflikti të tmerrshëm, në të cilin u vranë miliona njerëz. Pra, kur ta kesh hapur atë derë, ta dish se është shumë e vështirë ta mbyllësh.

Sipas mendimit tuaj, Hirësi, a është diçka e përligjur të nisësh sulme ushtarake kundër një vendi sovran dhe në çfarë kushtesh?

Mendoj se është shumë e diskutueshme pse do të duhej ta bënim këtë në raste kur nuk ka asnjë kërcënim të menjëhershëm që duhet të parandalohet. Për aq sa kuptoj unë dhe duke parë se nuk kishte asnjë kërcënim të menjëhershëm, mendoj se kjo ishte pjesë e asaj që po ndodhte në këtë vend. Na u pat thënë se aftësitë bërthamore të Iranit, të qeverisë iraniane, u patën asgjësuar nga bombardimi që ndodhi muaj më parë. Kështu pra, sovraniteti i një kombi është shumë i rëndësishëm. Kemi të njëjtin problem në lidhje me luftën në Ukrainë. Kur parimi i sovranitetit i një kombi shkelet, atëherë mund të gjejmë çdo shfajsim për të vazhduar dhe për të bërë luftë. Ky është një parim që duhet ta mbrojmë dhe bën pjesë në konsensusin që kemi pasur që nga Lufta e Dytë Botërore.

Dhjetë ditë pasi Papa Leoni XIV mbajti ​​fjalimin e tij "Gjendja e Botës" drejtuar trupit diplomatik ndërkombëtar, siç e përmendët, ju dhe dy kardinalë të tjerë amerikanë bëtë atë deklaratë të përbashkët ku hodhët poshtë luftën dhe kërkuat që politika e jashtme e SHBA-së të bazohet te paqja, te dinjiteti njerëzor dhe liria fetare. Letra sugjeronte që ngjarjet në Venezuelë, Ukrainë, Groenlandë ngrejnë pyetje të rëndësishme rreth fuqisë ushtarake dhe kuptimit të paqes. Çfarë roli duhet të luajë Kisha Katolike në promovimin e diplomacisë që të shmanget përshkallëzimi?

Sigurisht që ka një përpjekje të fortë diplomatike që vazhdon përmes selive tona diplomatike në të gjithë botën, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Jo vetëm në aspektin e bashkimit të njerëzve, por edhe në dhënien e informacionit, të informacionit të dorës së parë, i cili, në fakt, është kryesor tashti. Edhe Ati i Shenjtë e përmendi këtë gjë në fjalimin e tij drejtuar Trupit Diplomatik më 9 janar 2026. Në thelb të atij fjalimi ishte rreshti në të cilin Papa tha se po hyjmë në një periudhë relativizmi ku e vërteta tani bëhet çështje opinioni. Është reduktuar në opinion. Dhe nëse nuk jemi të përkushtuar për të thënë përnjëmend atë që është e vërtetë, atëherë mendoj se do të jetojmë në një botë iluzioni. Dhe kështu, Selia e Shenjtë, Ati i Shenjtë i bën thirrje pjesës tjetër të botës të pranojë atë që është përnjëmend e vërtetë në këtë mes, në vend që të ndjekë opinionin, ose lajmet e rreme, siç i quajnë njerëzit.

Shoqëria amerikane dhe madje edhe Kisha duken mjaft të polarizuara. Si mund të jetë, ose, mund të bëhet Kisha, një forcë  bashkuese, në vend të përçarjes, dhe a po ndihmon Papë Leoni XIV në krijimin e një uniteti më të madh?

Mendoj se kjo është një pyetje shumë e rëndësishme. Ne, tre kardinalët, kur bëmë deklaratën tonë në fillim të këtij viti, vendosëm që në fakt, t'u jepnim njerëzve tanë mënyrën e arsyetimit se si duhet ta kuptojnë atë që po ndodh. Mendoj se këtë po bën edhe Ati i Shenjtë, sepse nëse fillon të sulmosh personalitete ose individë, e humb atë pozicion. Ajo që mund të bëjmë për njerëzit tanë është t'i ndihmojmë të kuptojnë se çfarë po ndodh, t'u japim atyre gjuhën me të cilën mund të shohin dhe të formulojnë se për çfarë flitet dhe çfarë është në rrezik sa herë që i anashkalojmë planet për të mirën e përbashkët në këtë botë. Kështu, nëse mund t'i bëjmë të gjitha këto dhe t'ua përçojmë këtë mënyrë arsyetimi njerëzve tanë, atëherë përparojmë. Dhe mendoj se mund ta thyejmë atë polarizim.

Muajt e fundit, Kisha amerikane shpesh është përballur me ndërhyrjen në politikat e migracionit të qeverisë amerikane, duke ngritur zërin e saj në mbrojtje të migrantëve. Cilat parime dëshironi të ripohoni?

Në qendër të kësaj që thatë është diçka që ju e përmendët tashmë, dhe kjo gjë është respekti për dinjitetin njerëzor. Ky është parimi thelbësor. Dinjiteti njerëzor duhet të respektohet jo vetëm në mënyrën se si njerëzit jetojnë. Dinjiteti njerëzor është problem edhe kur ndan familjet, kur nuk respekton faktin se njerëzit që kanë qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shumë vite pa dokumente dhe kanë kontribuar në shumë mënyra në jetesën jo vetëm të familjes së tyre, por edhe të shoqërisë. E pra, ti i poshtëron ata me një gjuhë që i çnjerëzon! Pastaj ti shkel dinjitetin njerëzor dhe kjo është arsyeja pse ne ngritëm zërin tonë. Kishte një rresht në veçanti në deklaratën e nëntorit që bëri Konferenca jonë e ipeshkvijve ku thuhet se ne kundërshtojmë riatdhesimin masiv, pa dallim, të njerëzve. Kjo gjë tërhoqi vëmendjen e botës dhe i ndihmoi njerëzit tanë të kuptonin se çfarë ishte në rrezik këtu, sepse pikërisht kjo është ajo që po ndodhte: deportimi masiv, pa dallim, i njerëzve, kur në fakt nuk merren në konsideratë rrethanat e ndryshme që i sollën njerëzit këtu dhe fakti që ne, si vend, e kemi lënë në harresë për një kohë shumë të gjatë nevojën për një reformë të rëndësishme të emigracionit.

Politikat e migracionit janë një çështje politike që e përçajnë thellësisht opinionin publik. Cila është rruga për t’i ruajtur së bashku, respektin për ligjin dhe respektin për të drejtat e personit?

Ne gjithmonë kemi thënë se një komb ka detyrimin dhe të drejtën të mbrohet, të mbrojë kufijtë e tij dhe të sigurojë kufijtë e tij. Kjo nuk ka qenë kurrë në diskutim për Kishën. Por në të njëjtën kohë, kjo nuk mund të bëhet në kurriz të cenimit të dinjitetit të njerëzve. Këto dy parime mund të rrinë së bashku. Ato nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Dhe ne e kemi bërë këtë në të kaluarën. Ne mund të sigurohemi që të drejtat e njerëzve të mos shkelen, që të mos jetojmë me frikë siç kemi parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku komunitetet janë të përçara, si në Minesota, dhe ku njerëzit ngrihen dhe thonë se kjo gjë është e gabuar deri në atë pikë sa më pas fillojnë trazirat në qytetet tona. Ka një mënyrë më të mirë për ta bërë këtë dhe kjo është arsyeja pse ne vazhdimisht kemi bërë thirrje që ligjvënësit dhe administrata të miratojnë një reformë të rëndësishme të emigracionit. Ne mund ta zgjidhim këtë problem nëse ata e bëjnë punën e tyre.

Si duhet të angazhohen katolikët në politikë sot, veçanërisht në një klimë ku besimi shpesh përdoret në mënyra partiake?

Mendoj se duhet të sigurohemi që askush të mos e përdorë Ungjillin për një pikëpamje politike partiake. Megjithatë, ajo që ne propozojmë janë të vërtetat e Ungjillit. Dhe siç thashë më parë, ajo që ne si udhëheqës të Kishës duhet të bëjmë është t'i ndihmojmë njerëzit tanë të kuptojnë se cila është gjuha me të cilën duhet t’i diskutojnë këto çështje. Nëse ata përdorin gjuhën e politikës partiake apo edhe të një qeverie që dëshiron të zbatojë një politikë të caktuar, atëherë kemi mbaruar. Mendoj se duhet t'i shohim këto çështje përmes thjerrzës së asaj që na tregon Ungjilli. Kjo është detyrë e ipeshkvijve, e mësuesve të Kishës, t'u kujtojmë njerëzve se kush jemi, pse themi atë që bëjmë, pse bëjmë atë që bëjmë si të krishterë, bazuar në vlerat thelbësore të Ungjillit.

Kardinal Cupich, ju jeni kryeipeshkvi, kardinali i Çikagos, qyteti ku lindi Papa Leoni XIV dhe ku kaloi një pjesë të jetës së tij. Çfarë do të thotë për Çikagon t'i japësh Kishës Botërore një papë? Dhe si e ka përjetuar qyteti këtë vit të parë, pak a shumë, të papnisë së tij?

Mendoj se me një krenari të justifikueshme mund të themi se kemi nxjerrë një Papë. Nuk është vetëm fakti që ai është nga Çikago, por jeta e tij në një farë mënyre është formuar nga kultura e Çikagos ku njerëzit punojnë shumë. Ata i duan familjet e tyre. Ata i vlerësojnë tiparet ndërkombëtare të vetë qytetit. Për shembull, ne e kremtojmë Meshën në 26 gjuhë në Çikago. E gjithë kjo traditë është pjesë e asaj që përfaqëson Ati i Shenjtë. Mendoj se krenohemi shumë për këtë. Patëm një festë në stadiumin e «Chicago White Sox» më 14 qershor. Mijëra njerëz u mblodhën për të, disa nuk ishin as katolikë, vetëm për të shprehur krenarin për zgjedhjen e Atit të Shenjtë. Në shumë mënyra, kjo gjithashtu i ka frymëzuar njerëzit, veçanërisht të rinjtë, sepse ai iu drejtua të rinjve në një video që bëri dhe që ne e shfaqëm. Për shembull, gjatë ritit të zgjedhjes, vetëm javën e kaluar, në katër ceremonitë që patëm, pamë një rritje prej 20 përqind të të rinjve që vijnë në Kishë, nga mosha 20 deri në 35 vjeç. Këta kërkojnë të pagëzohen ose të hyjnë në bashkim të plotë me Kishën katolike. Pra, diçka po i nxit njerëzit. Është Shpirti Shenjt, por unë mendoj se ndikon edhe zgjedhja e Atit të Shenjtë Prevost.

Do të dëshironit të shtonit diçka tjetër, Hirësi?

Do të doja vetëm të sigurohesha që ne, si të krishterë në botë, të qëndrojmë pranë Ungjillit në këto kohë shumë të trazuara. Kjo gjë do të jetë dritë për ne. Mund të mos e dimë ose, mund të jemi të hutuar se cila është rruga përpara, por duhet të kujtojmë se Jezusi thotë: "Unë jam rruga". Dhe kështu, duhet t'i kushtojmë vëmendje asaj që Ai ka për të thënë në këtë mes, jo politikës partiake, jo luftës së planeve të caktuara të një vendi, por të qëndrojmë pranë asaj që na tregon Ungjilli. Kjo është detyra jonë si njerëz të hierarkisë kishtare, t'u tregojmë njerëzve tanë se çfarë besojmë në të vërtetë dhe pse e besojmë atë. Ne mund të ndikojmë në politikën botërore dhe në veprimet botërore nëse i qëndrojmë afër Ungjillit.

05 mars 2026, 15:02