Shtëpia e Bardhë në Uashington DC. Shtëpia e Bardhë në Uashington DC.

Kardinali Cupich: «Duhet të bëjmë tonat disa parime që të shmangim luftërat»

Në një deklaratë me titullin "Thirrje ndërgjegjes", ku flet për koston njerëzore të konfliktit në Iran, kryeipeshkvi i Çikagos shpreh keqardhjen për mënyrën "e neveritshme" se si po portretizohet lufta në internet.

R.Sh. Vatikan

Duke folur rreth bombardimeve të fundit, kardinali i Çikagos Blase Cupich shkruan: "Ndërsa më shumë se njëmijë burra, gra dhe fëmijë iranianë janë vrarë pas një jave bombardimesh nga raketat amerikane dhe izraelite, llogaria  zyrtare e Shtëpisë së Bardhë në rrjetin social «X», nxori një video me skena filmash të njohur me luftë, të përziera me skena të vërteta të luftimeve në Iran. "Është e neveritshme, pohoi prelati se si "një luftë e vërtetë dhe vuajtje të vërteta" po trajtohen si të ishin lojë video. Videoja kishte nëntitullin «Drejtësi sipas mënyrës amerikane».

«Qindra njerëz janë vrarë, nëna dhe baballarë, bija dhe bij, përfshirë dhjetëra fëmijë, faji më i madh i të cilëve është se atë ditë shkuan në shkollë». Po ashtu, gjashtë ushtarë amerikanë janë vrarë, e edhe këta janë poshtëruar nga ai postim në mediat sociale. Qindra mijëra janë janë shpërngulur," thekson Kardinali Cupich, dhe miliona të tjerëve u ka hyrë frika në palc në të gjithë Lindjen e Mesme".

Largësia ndërmjet fushës së betejës dhe dhomës së ndenjes

Në këtë deklaratë, kardinali i Çikagos ndalet edhe te roli që luajnë mediat dhe  teknologjia në mënyrën se si e përcepton publiku luftën. Ai shkruan se "distanca midis fushës së betejës dhe dhomës së ndenjes është zvogëluar në mënyrë rrënjësore" dhe thotë se kriza morale me të cilën po përballemi shkon përtej vetë luftës dhe vërehet edhe në "mënyrën se si ne, vëzhguesit, e shohim dhunën, sepse lufta tani është bërë një sport për tifozë ose lojë video".

Kardinali Cupich vëren se edhe gazetarët tani kur bëhet fjalë për luftën përdorin foljen «gamifikim», që buron nga fjala anglishte «game», që do të thotë «lojë», një shprehje e cila "i zhvesh njerëzit nga tiparet e vërteta njerëzore".

Duke e përshkruar këtë qëndrim si "dështim të rëndë moral", kardinali i Çikagos Cupich shkruan: "Le të mos harrojmë, një 'sulm me armë' nuk është si të shkruash pikët në tabelë por është një familje në zi, vuajtjet e së cilës ne i anashkalojmë kur i japim përparësi argëtimit dhe fitores".

Po i harrojmë shpenzimet që ka lufta

Duke e ngritur zërin kundër qëndrimit të qeverisë amerikane e cila, thotë prelati, "i trajton vuajtjet e popullit iranian si fushë loje për argëtimin tonë", kryeipeshkvi Cupich thotë se " kur na emocionon fuqia shkatërruese e ushtrisë atëherë kjo gjë na bën ta bjerrim humanizmin tonë ".

"Ne bëhemi si të droguar nga 'spektakli' i shpërthimeve", shton prelati dhe "ndërsa çmimi i këtij zakoni është gati i padukshëm, nga ana tjetër humbasim ndjeshmërinë për kostot e vërteta të luftës".

"Sa më shumë të tregohemi të verbër ndaj pasojave të tmerrshme të luftës, aq më shumë rrezikojmë dhuratën më të çmuar që na dha Zoti: njerëzimin tonë", shprehet ai.

Duke përfunduar, Kardinali Cupich pohon: "Unë e di që populli amerikan është më i mirë sesa këto gjëra që po shohim. Ne kemi aq mendje të shëndoshë sa të kuptojmë se kjo që po ndodh nuk është argëtim, por luftë, dhe se iranianët janë një popull, jo lojë video me të cilën të tjerët luajnë për të na zbavitur".

09 mars 2026, 14:03