Kard. Parolin: Zoti bëftë që armët të heshtin dhe njerëzit të pajtohen

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinal Parolin, kryesoi sot një Meshë në Bazilikën e Shën Palit, në Romë, me rastin e njëqindvjetorit të Ordinariatit Ushtarak të Italisë, i themeluar në vitin 1926 për t'u kujdesur për jetën fetare të ushtarëve. "Kisha nuk rresht së promovuari një kulturë paqeje, e kuptuar jo si naivitet i çarmatosur, por si ndërtim i durueshëm i drejtësisë, dialogut dhe mbrojtjes së të drejtave themelore"

R.SH. – Vatikan

“Në këtë moment që të gjithë e njohim, i kërkojmë Zotit që të bëjë të heshtin armët dhe njerëzit të pajtohen”. Kjo ishte lutja e përgjëruar e Sekretar të Shtetit të Vatikanit, karidnali Pietro Parolin, gjatë Meshës që kryesoi sot paradite, 3 mars në orën 10:00, në Bazilikën e Shën Palit, në kuadër të kremtimeve të njëqindvjetorit të Ordinariatit Ushtarak për Italinë, me rastin e 100-vjetorit të kësaj Dioqeze, themeluar më 1926 për kujdesin shpirtëror të ushtarakëve dhe familjeve të tyre.

Gjatë homelisë, kardinali Paroli u lut që “armët të heshtin dhe njerëzit të pajtohen”, duke theksuar se Kisha promovon kulturën e paqes jo si naivitet, por si ndërtim të durueshëm të drejtësisë, dialogut dhe mbrojtjes së të drejtave themelore, kudo në botë.

Duke u ndalur te Ungjilli i ditës së sotme sipas Mateut (Mt 23,1-12), kardinali Parolin nënvizoi se autoriteti i krishterë duhet të udhëhiqet nga logjika e shërbimit dhe e Kryqit të Krishtit, jo nga pushteti apo shfaqja. Sekretar i Shtetit i Vatikanit theksoi se kapelanët ushtarakë janë të thirrur të jetojnë me përvujtëri, koherencë dhe dëgjim të heshtur, pa shtuar barrë mbi ushtarakët, por duke i ndihmuar ata në formimin e ndërgjegjes dhe përgjegjësisë morale.

Duke cituar dokumentin e Koncilit II të Vatikanit Gaudium et spes, kardinali Parolin kujtoi se ndërgjegjja është hapësira më e shenjtë e njeriut, ku ai qëndron vetëm me Zotin. Prandaj, misioni i Kishës dhe i kapelanëve është ta ruajnë dhe ta ndriçojnë këtë hapësirë, sidomos në kontekste lufte, ku vihet në provë dinjiteti njerëzor.

Në fund, kardinali Parolin theksoi se shërbimi i Dioqezës Ushtarake duhet të bashkojë besnikërinë ndaj shtetit me respektin e patjetërsueshëm për dinjitetin e çdo personi. Sekretar i Shtetit i Vatikanit u lut që Krishti, i cili ka mposhtur dhunën me Pashkën e Tij, ta bëjë shërbimin e ushtarakëve një shenjë të besueshme të drejtësisë dhe paqes.

03 mars 2026, 13:56