Kërko

 Sekretar i Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin Sekretar i Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin

Kard. Parolin për Irani: një tragjedi e pamasë që rrezikon të zgjerohet

Sekretari i Shtetit i Vatikanit, në kuadrin e nismës “Il Tavolo dell’Iftar–Ramadan 2026”, që u zhvillua mbrëmjen e djeshme më 9 mars në Rome, theksoi edhe një herë se Selia e Shenjtë flet me të gjithë bashkëbiseduesit për të ringjallur dialogun dhe për të punuar për paqen, siç ndodh edhe për Kubën. Duke folur për vrasjen e Atë Pierre El Raii, meshtarit maronit që vdiq në Liban, ai theksoi se “edhe Kisha nuk është e paprekshme nga vuajtjet e popullsisë”.

R.SH. / Vatikan 

Një dialog i hapur me të gjithë është i domosdoshëm për të shmangur që “kjo tragjedi e pamasë që po zhvillohet” të zgjerohet “gjithnjë e më shumë në vend që të ndalet”. Kështu u shpreh Sekretar i Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë edicionit të dytë të nismës ndërfetare “Il Tavolo del Ramadan–Iftar”, e cila synon veçanërisht takimin mes përfaqësuesve të krishterë, hebrenj dhe myslimanë.

“Selia e Shenjtë – tha kardinali Parolin – flet me të gjithë dhe, kur është e nevojshme, flet edhe me amerikanët, flet me izraelitët dhe u paraqet atyre ato që sipas nesh janë zgjidhjet.” Kjo, sqaroi kard. Parolin, është një nga karakteristikat e Selisë së Shenjtë: mbajtja e hapur e kanaleve me të gjithë bashkëbiseduesit.

Në Liban edhe Kisha vuan nga dhuna

Kardinali Prolin u ndal edhe te vrasja e Atë Pierre El Raii, famullitar maronit i Qlayaa-s në Liban, i cili kishte shkuar për të ndihmuar një besimtar të famullisë dhe më pas vdiq nga një bombardim i mëvonshëm.

Papa Leoni XIV, po dje, shprehu “dhimbjen e tij të thellë” për vdekjen e meshtarit dhe “për të gjitha viktimat e bombardimeve të këtyre ditëve në Lindjen e Mesme, për shumë të pafajshëm, ndër të cilët edhe shumë fëmijë”. “Fatkeqësisht – theksoi kardinali Parolin – edhe Kisha është viktimë e kësaj situate; nuk jemi të përjashtuar dhe nuk jemi të imunizuar nga kjo gjendje dhe nga vuajtjet e popullsisë”.

Mjetet e urtësisë

Sekretari i Shtetit të Vatikanit nënvizoi gjithashtu edhe rëndësinë e mjeteve të diplomacisë: fjala, arsyeja dhe urtësia. Megjithatë, kard. Paorlin pranoi se kjo rrugë nuk pranohet gjithmonë. “Nuk kemi mjete detyruese – tha ai – për të imponuar vizionin tonë të gjërave. Ne vazhdojmë të këmbëngulim në parimet themelore që duhet të mbështesin bashkëjetesën civile dhe paqësore mes popujve”. Është e nevojshme të vazhdohet të “mbillen” fjalë paqeje, duke shpresuar që ato të prekin zemrat.

Prania e krishterë në Lindjen e Mesme

Duke folur për rrezikun që të mos ketë më prani të krishterë në Tokën e Shenjtë dhe në Lindjen e Mesme, kardinali Parolin theksoi se ky është një rrezik që Selia e Shenjtë e ka denoncuar vazhdimisht. “Sigurisht që lufta, destabilizimi, konfliktet dhe urrejtja në rritje – tha ai – nuk e favorizojnë praninë e të krishterëve; prandaj kjo është një arsye edhe më e madhe për shqetësim”.

Dialog për Kubën

Edhe lidhur me situatën në Kubën, kardinali Parolin theksoi se është bërë gjithçka që duhej bërë. “Ne u takuam me Ministrin e Jashtëm – shpjegoi ai – dhe bëmë hapat e nevojshëm gjithmonë me synimin për një zgjidhje dialoguese të problemeve ekzistuese”.

10 mars 2026, 13:16