Kard. Parolin: në një botë në ankth e në luftë, Shën Françesku ofron gëzim e vëllazëri
R.SH. / Vatikan
"Të jesh i matur, t’u gëzohesh sendeve të vogla, të ndjehesh si vëlla për të gjithë dhe për gjithçka". Kjo është "terapia e efektshme" që Shën Françesku i Asizit i ofron një bote të karakterizuar nga "dëshira e shfrenuar për të pasur, nga luksi, nga shpërdorimi, nga tepria, nga konsumizmi", nga bota e banuar prej një brezi të prekur nga "ankthi dhe trishtimi" për shkak të "punës së pasigurt", krizave ekonomike, ndryshimeve klimatike dhe "luftërave të të gjithëve kundër të gjithëve e gjithçkaje".
Duke kryesuar dje, më 15 mars, në orën 11:00 të paradites, Meshën në Bazilikën superiore të Asizit, me rastin e ekspozimit të jashtëzakonshëm të eshtrave të Varfanjakut në 800-vjetorin e vdekjes, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, e shpjegoi me këto fjalë arsyen e magjepsjes mbarëbotërore që ushtron Pajtori i Italisë në gjithë botën, edhe shumë shekuj pas vdekjes së tij.
Një profil njerëzor e shpirtëror i parezistueshëm
Në homelinë e tij, Kardinali PArolin u frymëzua nga një episod i rrëfyer në librin e famshëm Fioretti - Lulet e Vogla. Një ditë, Vëllai Masseo nga Marignano, një nga shoqëruesit e parë të Françeskut, pyeti pse e gjithë bota "e ndiqte", duke e dëgjuar dhe duke iu bindur, pavarësisht faktit se ai nuk ishte burrë i pashëm, nuk kishte "dije të mëdha" dhe nuk ishte "fisnik". Varfanjaku u përgjigj se "sytë e shenjtnueshëm të Zotit" nuk kishin pushuar kurrë mbi një njeri “më të lig", “më të kotë”, më "të pamjaftueshëm" e më "mëkatar" se ai.
Megjithatë, vuri në dukje Kardinali Parolin, Françesku arriti të tërhiqte admirimin e dy gjenive të padiskutueshëm të Mesjetës, piktorit dhe arkitektit Giotto dhe poetit Dante. Arsyeja për këtë magnetizëm, argumentoi diplomati i Vatikanit, qëndron në "profilin e tij njerëzor dhe shpirtëror", siç përshkruhet nga biografi i tij i parë, Tommaso da Celano. Para së gjithash, Françesku kishte "natyrë të butë, ishte i qetë në karakter, i dashur në të folur, i kujdesshëm në këshillim, besnik në përmbushjen e detyrave që i ishin besuar, i zgjuar në këshilla, efektiv në veprim, i dashur në gjithçka. Me një mendje të qetë, i ëmbël në shpirt, i matur në fjalë, i zhytur në meditim, i kushtuar në lutje dhe plot entuziazëm në gjithçka" - shkruan autori i S. Francisci Assisci vita et miracula.
Të jesh vëlla për të gjithë dhe gjithçka
Aspekte të tjera të personalitetit të tij vazhdojnë të tërheqin vëmendjen tonë pas tetë shekujsh, shtoi kardinali: "gëzimi i tij i përsosur", "varfëria e tij më e lartë", "vëllazëria e tij universale". Shenjti i Asizit dinte si t’i pranonte vështirësitë e jetës “me përvujtëri, durim, gëzim”. Varfëria e tij nuk ishte vetëm “mjet asketik për të arritur përsosmërinë”, por edhe mënyrë për të “qenë sa më i ngjashëm me Krishtin”.
Në fund të fundit, e ndjeu veten “vëlla i të gjithëve dhe i gjithçkaje”: i njerëzimit, i krijimit, i universit, madje edhe i vdekjes. Françesku i Asizit, kujtoi Kardinali Parolin në fund të homelisë, shkroi Këngën e Krijesave në një “kohë krize, errësire, brenda dhe jashtë”. Një kohë, vuri në dukje kardinali, jo shumë ndryshe nga e jona, “ku terri i luftës duket se e errëson dritën e shpresës”.
Pikërisht në këtë pikë historike dhe ekzistenciale, duke i uruar “paqe dhe mirësi” të gjithë botës, Sekretari i Shtetit i Vatikanit ftoi për t’u lutur, duke përdorur fjalët e Varfanjakut të Asizit e duke i kërkuar “Zotit që nuk na braktis” ta ndriçojë “errësirën e zemrës”, të na japë “fe të drejtë, shpresë të sigurt, dashuri të përsosur dhe përvujtëri të thellë”.