Kërko

Kardinali Parolin kryesoi sot një Meshë në Kapelën Pauline për të shënuar hapjen e vitit gjyqësor të Tribunalit të Vatikanit. (@VaticanMedia) Kardinali Parolin kryesoi sot një Meshë në Kapelën Pauline për të shënuar hapjen e vitit gjyqësor të Tribunalit të Vatikanit. (@VaticanMedia)

Kard. Parolin: drejtësia njerëzore të synojë rimëkëmbjen e plotë njerëzore dhe shoqërore të dënuarit

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, karidnali Parolin kryesoi Meshën në kapelën Pauline të Pallatit Apostolik, me rastin e hapjes së vitit gjyqësor të Gjykatës së Vatikanit: në shumë vende, qëllimi riedukues i ndjekjes penale shpesh poshtërohet për shkak të "mungesës së burimeve të caktuara për institutet korrektuese".

R.SH. / Vatikan

Ashtu si drejtësia e Zotit është e aftë të "kujdeset, të dojë, të shpëtojë dhe të falë mëkatarin e penduar", drejtësia njerëzore, e frymëzuar nga e para, "duhet" të jetë e aftë të forcojë "qëllimin edukues të dënimit" i cili, në vend të kësaj, "shumë shpesh ndiqet dobët për shkak të mungesës së burimeve të caktuara për institucionet korrektuese". Është ky, thelbi i predikimit të mbajtur nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i cili sot në mëngjes, 14 mars, kryesoi Meshën në Kapelën Pauline të Pallatit Apostolik, me rastin e hapjes së vitit gjyqësor të Gjykatës së Shtetit të Qytetit të Vatikanit.

Rehabilitimi njerëzor i të dënuarve

Kardinali e zgjeroi shikimin në sistemet gjyqësore të vendeve të tjera, duke vënë në dukje se si, "pavarësisht pohimeve parimore në lidhje me qëllimin riedukues të dënimit penal", janë të strukturuara sipas metodave, të cilat "e lëndojnë" atë që duhet të jetë "qëllimi i tyre më i rëndësishëm", domethënë, "rehabilitimi njerëzor dhe shoqëror i të dënuarve".

Drejtësia hyjnore është drita e historisë

Kapitulli i gjashtë i Librit të Osesë profet, i sugjeruar nga leximet e ditës, e përcakton drejtësinë e Zotit si "dritë" që ndriçon "historinë e popullit të Zotit", "historinë e njerëzimit dhe të secilit individ në veçanti". Tregon edhe se si nuk është seri ndëshkimesh dhe dënimesh që vijnë nga "pabesi të shumta të kryera", por, theksoi Kardinali Parolin, "është kujdes dhe korrigjim që Zoti ushtroi e vazhdon të ushtrojë, në mënyrë që çdo individ të rritet në bashkim e besëlidhje me Të".

Të tejkalohet logjika ndëshkuese, për të zbuluar dashurinë e Zotit

Edhe në fragmentin e shkëputur nga Ungjilli i Lukës, "shfaqet e njëjta drejtësi, për të cilën flet profeti Osea". Në shëmbëlltyrën e treguar nga Jezusi, një tagrambledhës dhe një farize ngjiten në tempull për t'u lutur, por e bëjnë këtë me qëndrime të ndryshme. I pari do të "justifikohet", i dyti  do të "shpallet fajtor". Shëmbëlltyra e Ungjillit, argumentoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, ka për qëllim të na "nxisë" të shkojmë përtej "logjikës ndëshkuese të drejtësisë" të pranishme në zbulesën biblike, "veçanërisht në Testamentin e Vjetër".

"Qëllimi përfundimtar i drejtësisë hyjnore - vijoi të komentojë Kardinali, Parolin "nuk është të matë meritat ose të metat e secilit individ në një shkallë të ftohtë dhe jopersonale, por ta korrigjojë hollësisht njeriun e kështu ta çojë në një kthesë të thellë drejt Zotit, për të nxitur ndryshimin e zemrës, që gjen më pas prehje në pendimin e në pranimin e përvuajtur të mëkateve të veta".

Qëllimi i Ligjit

Pikërisht ky "pasqyrim i drejtësisë hyjnore" që "thekson qëllimin riedukues të ndëshkimit", sipas Kardinalit Parolin, duhet "të shkëlqejë edhe më shumë në sistemin ligjor të Vatikanit". Sigurimi që personi i dënuar, pas vuajtjes së dënimit të tij ose të saj, të mund të "riintegrohet në komunitet dhe të kontribuojë pozitivisht në jetën e tij" nuk është  "dispozitë" me natyrë "zbukuruese" ose "tendenciale", por ka një "pozitë mbizotëruese". Qëllimi i vetë Ligjit Kanonik, shtoi Kardinali, është "shpëtimi i shpirtrave", e "ligji suprem i drejtësisë tokësore është gjithmonë e në çdo rast, e mira e njerëzve".

Veprimi i drejtësisë nga perspektiva e kthesës

Operatorët e drejtësisë janë "interpretuesit" dhe "përgjegjësit" për këtë qëllim e, për ta përmbushur, theksoi Kardinali, nuk mjafton të kesh një "sfond të përshtatshëm përgatitje teknike dhe profesionale", si dhe "cilësi njerëzore" të shquara. Është e nevojshme, shtoi, të kesh ndërmarrë "udhën personale dhe shpirtërore të kthesës". Vetëm ata të cilët "i njohin vështirësitë dhe gëzimet e një udhe të vazhdueshme konvertimi, që vetëm një marrëdhënie e ngushtë me Zotin mund ta ofrojë", mund të jenë edhe "operatorë të drejtësisë", pa rënë në qëndrimin e farizeut të përshkruar në Ungjill.

E pikërisht Kreshmët janë "kohë e favorshme" për ta "filluar dhe rifilluar këtë udhëtim", mbrojtjen e të cilit Kardinali Parolin ia besoi përfundimisht ndërmjetësimit të Virgjërës Mari, "pasqyrës së drejtësisë".

14 mars 2026, 15:10