Imzot Caccia, nunc apostolik në SHBA: një mision në shërbim të bashkimit dhe paqes
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni XIV ka emëruar imzot Gabriele Giordano Caccia nunc apostolik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai deri tani ka shërbyer si vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Organizata e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Ai pason kardinalin Christophe Pierre, i cili dha dorëheqjen pasi mbushi 80 vjeç.
Imzot Caccia u shpreh i nderuar dhe mirënjohës për besimin e Papës, duke theksuar se e pranon këtë detyrë me gëzim dhe përgjegjësi. Sipas tij, misioni i ri është një shërbim në favor të bashkimit dhe të paqes, veçanërisht në Kishën dhe në vendin ku vetë Papa ka lindur dhe është rritur. Ai gjithashtu theksoi se e fillon këtë shërbim në një vit simbolik, kur SHBA festojnë 250-vjetorin e themelimit.
Arqipeshkvi italian, i lindur në Milano më 24 shkurt 1958, u shugurua meshtar në vitin 1983 nga kardinali Carlo Maria Martini. Pas shërbimit baritor në një famulli të Milanos, ai studioi në Pontificia Università Gregoriana në Romë dhe hyri në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë në vitin 1991.
Gjatë karrierës së tij diplomatike ai ka shërbyer në disa poste të rëndësishme: në përfaqësinë papnore në Tanzania, në Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit dhe më pas si nunc apostolik në Liban (emëruar nga Benedetto XVI) dhe në Filipine (emëruar nga Papa Francesco). Që nga viti 2019 ai ishte përfaqësues i Selisë së Shenjtë në OKB.
Me këtë emërim të ri, imzot Caccia do të vazhdojë misionin diplomatik të Kishës duke punuar për dialogun, bashkimin dhe paqen ndërmjet Kishës katolike, institucioneve dhe shoqërisë amerikane.