Kërko

Forumin e 13-të Ndërkombëtar në Romë (6 dhe 7 Mars) i Akademisë Teologjike Papnore (PATH) Forumin e 13-të Ndërkombëtar në Romë (6 dhe 7 Mars) i Akademisë Teologjike Papnore (PATH)

Forumi PATH, Imzot Staglianò: teologjia duhet të vërë pikëpyetje mbi çështjet e së tashmes

Kultivimi i unitetit të aspekteve shkencore, sapienciale e të bazuara në solidaritetin e teologjisë, pa harruar kurrë se është shërbim për Kishën dhe botën, ishin rekomandimet e Kryetarit të Akademisë Teologjike Papnore në përfundim të Forumit Ndërkombëtar, mbajtur më 6 dhe 7 mars në Romë, kushtuar dokumentit të Papës Françesku "Ad Theologiam Promovendam".

R.SH. / Vatikan

"Aspektet shkencore, të urta dhe të bazuara në solidaritet, nuk janë opcione alternative, por dimensione përbërëse të një thirrjeje të vetme. Një teologji, që është vetëm shkencore, do të bëhej dije sterile; vetëm e urtia, do të rrezikonte sentimentalizmin; vetëm e bazuar në solidaritet, do të humbiste themelin e saj të së vërtetës. Sfida është integrimi i këtyre tre aspekteve: në kërkim, mësimdhënie dhe jetë". Me këto fjalë, Kryeipeshkvi imzot Antonio Staglianò, Kryetar i Akademisë Teologjike Papnore (PATH), hapi Forumin e 13-të Ndërkombëtar mbajtur në Romë (6 dhe 7 Mars), me temën: "Ad Theologiam promovendam: Një Revolucion epistemik? Horizonte të reja të mendimit besnik", e u kërkoi të pranishmëve, të ardhur nga mbarë bota, të kultivonin unitetin e këtyre tre aspekteve të teologjisë. Rekomandimi i dytë i Kryetarit të  Akademisë Teologjike Papnore për teologët ishte të "praktikojnë dialogun transdisiplinor me guxim dhe përvujtëri". E më pas shpjegoi: "Nevojitet guxim për të dalë nga zonat e rehatisë, për të mësuar gjuhë të reja, për të lejuar veten të pyetet në fushat e ndryshme të dijes. Përvujtëria është e nevojshme për të pranuar se teologjia nuk i ka të gjitha përgjigjet, por mund t'u ofrojë të gjithëve pyetjen e duhur: pyetjen e kuptimit, dinjitetit dhe fatit të njerëzimit e të botës".

Tri nismat e Akademisë Papnore të Teologjisë

"Mos harroni kurrë se teologjia është shërbim për Kishën dhe botën": e ky është edhe rekomandimi i tretë i Kryetart të Akademisë Teologjike Papnore (PATH). Kryeipeshkvi Staglianò kujtoi fjalët e Papës Leoni XIV gjatë takimit me Akademinë Teologjike Papnore, më 13 shtator 2025, kur pohoi se teologu është i thirrur për t'ua komunikuar të gjithëve "njohuritë" dhe "shijen", në mënyrë që ai të mund të ndriçojë jetën, të shëlbojë të ligshtit e të përjashtuarit, të prekë dhe të shërojë korpin e vuajtur të të varfërve dhe të na ndihmojë të ndërtojmë një botë vëllazërie e solidariteti. Duke iu përgjigjur misionit që Ati i Shenjtë Prevost ia besoi Akademisë Teologjike Papnore - domethënë, "për të zhvilluar e për të mishëruar teologjinë e urtësisë, në shërbim të Kishës dhe të botës" - prelati përshkroi udhëzimet strategjike që do të formojnë të ardhmen e Akademisë Teologjike Papnore në vitet, që do të vijnë.

Së pari, do të ndërtohet një rrjet global i teologjisë së urtisë. "Zonat rajonale do të krijohen në pesë kontinente, duke identifikuar personat e kontaktit dhe anëtarët përkatës për secilin", shpjegoi Kryeipeshkvi Staglianò. Do të përcaktohet një metodë e përbashkët edhe për personat rajonale të kontaktit. “Të gjithë do të formohen si ‘teologë të vërtetë të urtisë’, të aftë për të integruar tre aspektet e Akademisë Teologjike Papnore – të shkencës, të urtisë dhe të solidaritetit - në punën e tyre të gjallërimit të rrjeteve lokale”, shpjegoi imzot Stafliano' duke njoftuar një takim rezidencial në Romë, në vjeshtën e vitit 2026, që do të synojë hedhjen e themeleve “për një koiné të përbashkët metodologjike, bazuar në shtyllat e Ad Theologiam Promovendam: teologjia e urtisë, transdisiplinaritetit, dialogut, kerygmës dhe shërbimit ndaj misionit ungjillëzues”. Së fundmi, njoftoi gjallërimin e qendrave teologjike të teologjisë PATH-urtisë. “Do të propozohen shtigje tematike”,  shpjegoi, “që u përgjigjen pyetjeve të mëdha të kohës sonë, të ndara në gjashtë fusha: teologjia themelore (shija e besimit); antropologjike-etike (qenia njerëzore e vënë në provë); sociale dhe politike (teologjia në polis); kulturore dhe artistike (shpëtimi i bukurisë); baritore dhe formuese (teologjia në jetën e Kishës); transdisiplinore (dialogu me shkencat)”.

E ardhmja e teologjisë

Duke përfunduar forumin, Imzot Staglianò theksoi se nga të gjithë folësit doli qartë bindja e përbashkët: "Teologjia e së ardhmes do të jetë transdisiplinore ose nuk do të ekzistojë më".

Ndër të tjerë, gjatë takimit foli Massimo Naro i Fakultetit Teologjik Papnor të Sicilisë, duke theksuar se teologjia nuk është disiplinë e huaj për shkëmbimin kulturor, por është e thirrur të deshifrojë idioma të reja - matematikore, shkencore kompjuterike, artistike, filozofike - për të shpjeguar njohuritë e mishëruara në fe.

Teodora Rossi (Universiteti Papnor i Shën Tomës së Akuinit - Angelicum) këmbënguli se "teologjia morale nuk është  etikë parimesh abstrakte", por urti ekzistence që, e ndriçuar nga Ungjilli, shoqëron individët dhe bashkësitë në kërkimin e tyre, për të mirën e mundshme.

Francesca Cocchini (Universiteti Sapienza i Romës dhe Universiteti Papnor Lateran) theksoi se teologjia e Etërve nuk ishte kurrë abstrakte, por gjithnjë e ndërthurur me përvojën e fesë dhe të nevojave baritore të komuniteteve.

Jean Ehret (Shkolla e Fesë dhe Shoqërisë e Luksemburgut) këmbënguli që të tre mësuesit - Agustini, Thoma Akuini dhe Rosmini - nuk duhet të konsiderohen thjesht autoritete të së kaluarës, por burime të gjalla për një teologji që aspiron të jetë e mençur dhe e besueshme sot.

Folës të tjerë

Më 7 mars, u mbajt një diskutim në Tryezën e rrumbullakët, i paraqitur   nga Imzot Ignazio Sanna, President Nderi  i PATH, dhe i moderuar nga Marco Piras, gazetar dhe Drejtor i Komunikimit të PATH, me temën: "Nga Besimi në Vëllazëri: Teologjia si Matricë e një Kulture Solidariteti". Folësit ishin: Debora Diego, Udhëzuese e Muzeve të Vatikanit; Nicolò Mannino, President i Parlamentit të Legalitetit Ndërkombëtar; Antonio Manzo, gazetar; Giovanni Mazzillo, famullitar dhe teolog; Andrea Pagliaro, komandant provincial i Karabinierëve të Parmës; Antonio Pompili, famullitar dhe koordinator i Solidaritetit të Akademisë Teologjike Papnore; dhe Carlo Simeone, sekretar i Këshillit të Akademisë Teologjike Papnore për Studime të Avancuara.

Gjatë takimit, u paraqit  libri "Një Teologji Urtie: hetime dhe propozime për një model teologjik", redaktuar nga Roberto Nardin (Marcianum Press).  Që nga viti 2002, forumi i Akademisë Teologjike Papnore mbahet çdo dy vjet. Përmbajtja e forumit është e disponueshme në kanalin YouTube të Akademisë Papnore të Teologjisë.

08 mars 2026, 14:35