Kërko

Atë Pasolini: paqja lind nga guximi për t'u bërë i vogël, duke hequr dorë nga dhuna

“Kthimi. Të ndjekësh Zotin Jezus në rrugën e përvujtërisë” është tema e meditimit të parë të Kreshmës të këtij mëngjesi, 6 mars, në Sallën Pali VI në prani të Papës. Predikuesi i Shtëpisë Papnore ndalet te nevoja në këtë kohë të fortë të Kishës për të “verifikuar gjallërinë e Pagëzimit tonë”. “Mëkati, kthesa dhe hiri – pohon Atë Pasolini – në jetën konkrete janë të ndërthurura”, por është pikërisht në vogëlsinë e tij që i krishteri hapet ndaj hirit dhe bëhet njeri i ri.

R.SH. / Vatikan

Atë Roberto Pasolini, predikatar i Shtëpisë Papnore, mbajti më 6 mars meditimin e parë të Kreshmëve në praninë e Papa Leonit XIV në sallën Pali VI në Vatikan. Tema e reflektimit ishte: “Kthimi (konvertimi). Të ndjekim Jezusin në rrugën e përvujtërisë”.

Atë Pasolini theksoi se në një kohë të shënuar nga luftëra dhe dhunë, është e rëndësishme të reflektojmë mbi rrugën e përvujtërisë. Sipas tij, paqja nuk lind vetëm nga marrëveshje politike apo strategji ushtarake, por nga njerëz që kanë guximin të bëhen “të vegjël”: të heqin dorë nga dhuna, nga hakmarrja dhe nga dëshira për të dominuar, duke zgjedhur dialogun dhe pajtimin.

Duke u frymëzuar nga shembulli i Françeskut të Asizit, predikatari i Shtëpisë Papnore Atë Pasolini shpjegoi se kthimi shpirtëror është para së gjithash një nismë e Zotit, në të cilën njeriu merr pjesë me lirinë e tij. Ky kthim ndodh në thellësinë e zemrës së njeriut, aty ku imazhi i Zotit brenda nesh zgjohet dhe na thërret për një jetë të re.

Atë Pasolini theksoi gjithashtu rëndësinë e pranimit të mëkatit. Nëse njeriu nuk pranon mundësinë e ekzistencës të së keqes, nuk mund të kuptojë as madhështinë e së mirës. Prandaj, kthimi te Zoti është një rrugë e vështirë, por e nevojshme për të rindërtuar marrëdhënien me Hyjin Atë dhe me të tjerët.

Një element thelbësor i këtij procesi është përvujtëria, sepse në prizmin e Biblës përulësia nuk e ul njeriun, por e ndihmon të zbulojë identitetin e tij të vërtetë. Ajo është mënyra për të pranuar hirin e Zotit dhe për të jetuar sipas Ungjillit të Krishtit. Sipas predikuesit të Shtëpisë Papnore, madhështia e njeriut kalon pikërisht përmes thjeshtësisë dhe vogëlsisë.

Në fund, Atë Pasolini theksoi se kthimi është një proces i vazhdueshëm gjatë gjithë jetës. Njeriu duhet të rikthehet vazhdimisht te Zoti, duke pranuar dobësinë e tij njerëzore dhe duke u hapur ndaj hirit të Zotit. Pikërisht në momentet e vështira dhe të konfliktit bëhet më e qartë nëse një person jeton vërtet sipas Ungjillit.

Meditimi u përmbyll me një lutje të Shën Françeskut të Asizit, duke kërkuar hirin për të ndjekur gjithmonë gjurmët e Jezu Krishtit në rrugën e përvujtërisë, paqes dhe dashurisë.

06 mars 2026, 12:34