Kërko

Atë Pasolini: në një botë luftërash, vëllazëria nuk është ideal, por përgjegjësi

Hiri dhe barra e bashkimit janë në qendër të meditimit të dytë të Kreshmëve sot në mëngjes, 13 mars, në Sallën Pali VI, në prani të Papës. Predikuesi i Familjes Papnore, Atë Pasolini, përqendrohet në vlerën e diversitetit të të afërmit tonë, parë si hapësirë ​​për të na i liruar rezervat tona: "Ne nuk jemi vetëm, e nuk jemi gjithçka - pohon ai - dhe kur nuk mund të bëjmë paqe me këtë realitet, prania e tjetrit mund të bëhet e padurueshme".

R.SH.  / Vatikan

Nga arti, tek modelet ekonomike, fusha të ndryshme janë përpjekur të përfytyrojnë harmoni universale ndërmjet njerëzve, duke u përplasur  me një realitet sot të karakterizuar nga përçarje dhe konflikte, që e bëjnë atë të duket si "ideal për t'u arritur".

Vëllazëria, nga ana tjetër, është dhuratë, por edhe përgjegjësi "serioze dhe urgjente", sepse mbështetet në diversitet për të shkrirë zemrat dhe i lejon secilit njeri të bëjë paqe me atë pjesë të vetes, që do ta bënte të besonte se është i vetëm dhe i vetëmjaftueshëm. Këto janë disa nga njohuritë ofruar gjatë meditimit të tij të dytë të Kreshmëve, sot paradite, më 13 mars, në Sallën Pali VI e në prani të Papës Leoni XIV, nga predikatari i Shtëpisë Papnore, Atë Roberto Pasolini.

 Vëllazëria, vend i kthesës së vërtetë

Frati kapuçin Atë Pasolini e nisi meditimin e tij të dytë të Kreshmëve me temën "Nëse dikush është në Krishtin, është krijesë e re. Kthesë në Ungjill, sipas Shën Françeskut, duke u përqendruar në vëllazëri, "hiri dhe përgjegjësia e bashkimit vëllazëror".

Vëllazëria nuk është një aksesor i jetës shpirtërore, do të thotë pjesë plotësuese ose e dorës së dytë, që i shtohet kryesores, as thjesht një kontekst i favorshëm në të cilin të rritemi më lehtë në hir. Është vendi ku ndodh vërtet konvertimi: prova më serioze dhe, në të njëjtën kohë, shenja më elokuente e asaj që Ungjilli mund të sjellë në jetën tonë.

 Shembulli i bashkësive të para françeskane

Atë Pasolini kujton bashkësitë e para françeskane, të cilat Varfanjaku i Asizit dëshironte të ishin të lira nga pushteti ose superioriteti, si bashkësitë e para të krishtera. Jo një vend "ku mund të gjesh strehë dhe të jetosh në paqe", por një hapësirë​​ku hyn "në thellësitë e zemrës sate", me hijet dhe ankthet e trazirat e saj.

Vëllezërit janë dhuratë e Zotit. Por, pikërisht për këtë, nuk e kanë thjesht detyrën të na ndihmojnë ose të na mbështesin gjatë rrugës: na u besuan, në mënyrë që jeta jonë të ndryshojë.

"Ai që vjen nga i njëjti bark"

Duke reflektuar mbi kuptimin etimologjik të fjalës vëlla, adelphós, fjalë për fjalë "ai që vjen nga i njëjti bark", predikatari i Familjes Papnore Atë Pasolini vëren se vëllezërit nuk pohojnë thjesht "çka jemi", por na thërrasin në shndërrim.

 Në larminë e tyre, në kufizimet e tyre e ndonjëherë edhe në trazirat e tyre,  bëhen hapësira konkrete në të cilën Zoti punon mbi natyrën tonë njerëzore, duke i shpërbërë ngurtësitë tona dhe duke na mësuar të jetojmë me një zemër më të vërtetë e më të aftë për dashuri.

 Abeli ​​e Kaini, "problem perspektive"

Një nga historitë që e përshkruan më së miri këtë rezistencë, është "marrëdhënia e dhimbshme" e Abelit me Kainin. Ndarje që, sipas fratit kapuçin, lind nga "një problem perspektive". Vëllai i parë, në historinë e Zanafillës, ofron të parëlindurin e grigjës së tij - ofertë që Zoti "e sheh me mirësjellje" - ndërsa i dyti ofron thjesht disa fruta të tokës.

 Ndryshimin nuk e bën aq shumë cilësia e ofertës, por më tepër fakti që ajo përfaqëson vërtet jetën e dikujt. Kjo është arsyeja pse Zoti nuk e pranon dhuratën e Kainit: jo për ta dënuar, por për ta sfiduar. Pranimi i këtij gjesti do të thoshte ta lije atë me bindjen se ai vërtet nuk ka asgjë të mirë për të ofruar. Zoti, në vend të kësaj, duket se dëshiron ta ndihmojë atë të besojë se vetë jeta e tij mund të bëhet dhuratë.

 "Kush është Kaini brenda nesh?"

Me këtë episod, Atë Pasolini na nxit ta pyesim veten "kush është Kaini brenda nesh": domethënë, sa hapësirë ​​zë pakënaqësia, e cila shndërrohet në distancë dhe, më pas, në dhunë, në secilën prej zemrave tona. Ajo pakënaqësi që lind nga realizimi se "nuk jemi vetëm" dhe "nuk jemi gjithçka".

 Kur nuk arrijmë të bëjmë paqe me këtë realitet, prania e të tjerëve mund të bëhet e padurueshme.

 Logjika e mëshirës për atë, që gabon

Për Shën Françeskun e Asizit, vëllazëria nuk ishte problem që duhej trajtuar, por mundësi për tua mësuar logjikën e mëshirshme të Ungjillit fqinjëve tanë që gabojnë. Kjo dinamikë gjendet edhe në Letrën e shkurtër, por të fuqishme të Shën Palit, drejtuar Filemonit.

 Kur marrëdhëniet janë të tendosura e bashkësia është e plagosur, Ungjilli nuk këshillon kryesisht mbrojtjen e të drejtave të dikujt, por përkundrazi, kërkimin e së mirës më të mirë dhe më të mundshme: të mirën, që na lejon të njohim tek të tjerët jo më një kundërshtar ose një debitor, por një vëlla a një motër të dashur nga Zoti.

 Mirëpritje ndërmjet plagëve, zhgënjimeve dhe neverive

Ky realitet mund të duket i largët nga jeta reale, por bëhet i prekshëm kur marrëdhëniet bazohen në "një lidhje lirie". Jo në simpati apo afërsi, por në "faktin që Zoti na zgjodhi dhe na thirri të jetojmë së bashku në Kishë, si vëllezër dhe motra".

 Pashkët nisin të veprojnë në ne, kur zbulojmë se mund t'i mirëpresim të tjerët, edhe kur na lëndojnë, kur na zhgënjejnë, kur veprojnë si kundërshtarë. Jo sepse jemi bërë më të fortë a më të virtytshëm, por sepse diçka brenda nesh ka vdekur tashmë, ndërsa ka nisur të jetojë diçka e re!

 Mos ta humbasim horizontin

Intuita e Varfanjakut të Asizit, shpjegon predikatari i Familjes Papnore, është të shohësh kthesën që lind "pikërisht nga çka na bëjnë të tjerët, edhe kur na lëndojnë ose na vënë në provë".

Kjo e zgjeron shumë shikimin tonë. Në jetën e përditshme, mundimet e vëllazërisë mund të jenë të rënda. Distancat ndërmjet nesh, fjalët që lëndojnë, keqkuptimet që mbeten, mund të bëhen tejet të dhimbshme. Pikërisht për këtë arsye, nuk duhet ta humbasim kurrë horizontin nga sytë. Kur humbasim perspektivën e jetës së amshuar, disa punë të vështira bëhen krejtësisht të papranueshme.

Ta marrësh vëllazërinë si dhuratë e përgjegjësi

Feja, përfundoi Atë Pasolin, nuk na ndan, por na kujton se "askush nuk mund të përjashtohet nga zemra jonë", i çliruar, nëpërmjet ringjalljes së Jezusit, jo nga mundi i marrëdhënieve, por nga dyshimi se një përpjekje e tillë është e kotë.

Për këtë arsye, në këto ditë të Kreshmëve, ndërsa historia e botës vazhdon të përshkohet nga përçarje, luftëra dhe konflikte, ne të krishterët nuk mund të kufizohemi duke folur për vëllazërinë si ideal që duhet arritur. Jemi të thirrur ta pranojmë atë si dhuratë dhe, në të njëjtën kohë, ta marrim si  përgjegjësi shumë serioze dhe urgjente.

13 mars 2026, 13:33