Kërko

Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Nju Jork (ANSA) Asamblea e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Nju Jork (ANSA)

Amësia surrogate, Selia e Shenjtë në OKB: Mbroni gjithmonë gratë dhe fëmijët

Një deklaratë e Misionit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë OKB-së paralajmëron për rreziqet që lidhen me shfrytëzimin, aty ku "teknologjia dhe praktika e kanë tejkaluar shumë ligjin dhe etikën". Jeta nuk mund të jetë kurrë një "produkt". Respekti për dinjitetin dhe të drejtat vjen i pari.

R.Sh. Vatikan

Lufta kundër dhunës dhe shfrytëzimit që lidhet me amësinë surrogate dhe forcimi i mbrojtjes së dinjitetit të grave dhe fëmijëve është mesazhi në qendër të deklaratës të Misionit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara. Deklarta u bë publike me rastin e mbledhjes së Komisionit të 70-të për Statusin e Grave, me temën "Mbrojtja e grave dhe fëmijëve: lufta kundër dhunës dhe shfrytëzimit të amësisë surrogate".

Debati në komisionin për statusin e grave

Dokumenti fillon duke shprehur vlerësim për partnerët e kësaj nisme – qeverinë italiane, Turqinë dhe Paraguain – dhe tërheq vëmendjen për një çështje që konsiderohet "e ngutshme", ku "teknologjia dhe praktika e kanë tejkaluar shumë e tepër ligjin dhe etikën". Ndërsa nga njëra anë deklarata pranon se shumë e konsiderojnë amësinë surrogate "një zgjidhje të dhimbshme për ata që dëshirojnë të bëhen prindër", dokumenti thekson se "duhet të merren në konsideratë të gjitha rrethanat" për të vlerësuar nëse kjo praktikë është e pajtueshme me "respektin për dinjitetin dhe të drejtat e grave dhe fëmijëve".

Trysnia ekonomike dhe rreziku i shfrytëzimit               

Ndër faktorët e theksuar është ana ekonomike e kësaj dukurie. Shumë gra që pranojnë të bëhen nëna surrogate përmendin "nevojën ekonomike si arsyen kryesore" për zgjedhjen që bëjnë. Nuk është rastësi, vëren deklarata, që "historitë e njerëzve të pasur dhe të famshëm që porosisin nëna surrogate" janë të shpeshta, ndërsa ato të "grave të pasura që ofrojnë veten si të tilla" janë të rralla.

Kërkesa për fëmijë të ngjizur përmes kësaj praktike, vazhdon dokumenti, "tashmë e tejkalon ofertën e tregut", ndërsa masa të tilla si "mbrojtja sociale, arsimi dhe mundësitë ekonomike" – të cilat mund ta zvogëlojnë rrezikun e shfrytëzimit – ka të ngjarë t’i bëjnë shumë gra "të refuzojnë të hyjnë në marrëveshje të tilla". Prandaj dokumenti shtron pyetjen: "A mund të mbijetojë industria e amësisë surrogate nëse varfëria zhduket?"

Deklata vëren gjithashtu se, aty ku lejohen marrëveshjet komerciale, nënat e mundshme zëvendësuese mund të përfshihen në "një garë të çoroditur kush e kush më parë të gjejë prindërit e interesuar për fëmijë surrogatë".

Në disa raste, shton dokumenti, gratë që nuk dëshirojnë të hyjnë në këto marrëveshje mund të "shtyhen ose edhe të detyrohen" nga anëtarët e familjes, ndërsa ato që jetojnë në varfëri mezi mund t’i paguajnë "konsulencat e pavarura ligjore apo mjekësore".

Të drejtat e fëmijëve

Dokumenti citon gjithashtu raste në të cilat "mbi një duzinë fëmijësh" u gjetën në shtëpi me qira dhe me një dado që kujdesej për ta, ndërsa prindërit porositës vazhdonin të kërkonin nëna të reja surrogate. Për më tepër, vëren dokumenti, tregtimi i fëmijëve mund të ndërthuret me paragjykime, për shembull në rastin e diagnozave prenatale për fëmijë me aftësi të kufizuara, kur fëmija rrezikon të konsiderohet "një 'produkt' i dëmtuar ose një problem që duhet zgjidhur", në vend të "një dhuratë që duhet mirëpritur dhe çmuar". Ky qëndrim, vazhdon teksti, bie ndesh me një shoqëri të drejtë në të cilën fëmijët mund të rriten dhe zhvillohen. Fëmijët, në fakt, kanë të drejta dhe interesa që duhet të respektohen, duke filluar me "të drejtën morale për t'u ngjizur në një akt dashurie". Sipas Konventës për të Drejtat e Fëmijëve edhe fëmijët kanë "të drejtë të njohin prindërit e tyre dhe të gëzojnë kujdesin e këtyre". Fakti që kjo e drejtë nuk mund të realizohet gjithmonë, vëren dokumenti, "nuk duhet të përdoret për të justifikuar një praktikë që me qëllim e shkel atë".

Qëndrimi i Selisë së Shenjtë

Ndërsa e pranon "dëshirën reale dhe të kuptueshme për të pasur fëmijë", deklarata shpreh mendimin se këto probleme nuk mund të zgjidhen thjesht përmes rregulloreve. Në këtë drejtim, ajo mirëpret vendimin e Konferencës së Hagës për të Drejtën Ndërkombëtare Private për të mos vazhduar – të paktën tanipërtani – punën mbi një konventë në lidhje me adoptimin ligjor në rastet e amësisë surrogate.

Në fund, dokumenti përmend fjalët e Papa Leonit XIV: "duke e shndërruar shtatzëninë në një shërbim të negociueshëm, [me nëna surrogate] shkelet si dinjiteti i fëmijës, që kthehet në një 'produkt', ashtu edhe ai i nënës, duke shfrytëzuar trupin e saj dhe procesin riprodhues, dhe duke e shtrembëruar qëllimin kryesor të familjes që është ai i krijimit të çerdhes familjare".

Papa Françesku, që po ashtu citohet në dokument, pati thënë se "fëmija është gjithmonë një dhuratë dhe nuk është kurrë objekt i një kontrate tregtare". Duke pasur parasysh këto konsiderata, Misioni i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së shpreson që diskutimet e nisura brenda Komisionit do të nxisin hapa të mëtejshëm "drejt përfundimit të kësaj praktike në të gjitha format dhe në të gjitha nivelet e saj", me qëllim mbrojtjen e grave dhe fëmijëve "nga shfrytëzimi dhe dhuna".

16 mars 2026, 09:03