Ushtrimet shpirtërore: të veprojmë si engjëjt për të qenë ndërmjetës të Provanisë së Zotit

Meditimi i tetë i Kreshmës në Kapelën Paolina në Vatikan për Leonin dhe Kurien Romake, sot paradite më 26 shkurt. Predikuesi imzot Varden reflekton mbi temën “Engjëjt e Zotit” dhe kujton se Shën Bernardi nxitonte të ndiqnim shembullin e tyre: të zbresim dhe të tregojmë “mëshirë ndaj të afërmit”, por edhe të ngjitemi duke u udhëhequr nga “dëshirat tona njerëzore natyrore”. Engjëllor është edhe shërbimi meshtarak dhe roli i mësuesve: një takim engjëllor "nuk mund të zëvendësohet nga një chatbot".

R.SH. - Vatikan

R.SH. - Vatikan

Shën Bernardi na nxit “të shikojmë se çfarë bën një engjëll e të bëjmë edhe ne të njëjtën gjë”: “Zbrit dhe trego mëshirë për të afërmin tënd; dhe sërish, duke lartësuar me të njëjtin engjëll dëshirat e tua, përpiqu të ngjitesh me të gjithë dëshirën e zjarrtë (cupiditas ) të shpirtit tënd drejt së vërtetës supreme dhe të përjetshme”. Të gjitha dëshirat njerëzore natyrore, në fakt, “tërhiqen drejt përmbushjes në Zotin, prandaj duhet të udhëhiqen drejt Tij”. Roli i engjëjve është në fakt ai i “ndërmjetësve të Provanisë së Zotit”. Këtë nënvizon imzot Erik Varden, murg Trapistë dhe ipeshkëv i Trondheim-it, në Norvegji, në meditimin e tetë kreshmor për Ushtrimet Shpirtërore të Papës dhe të Kuries Romake, predikuar sot paradite, 26 shkurt, në Kapelën Paolina, në Vatikan, mbi temën “Engjëjt e Zotit”.

Engjëjt dhe tentimet e Djallit ndaj Jezusit

Reflektimi i imzot Varden bazohet gjithmonë në predikimet (sermonet) e Shën Bernardit të Kjaravales mbi psalmin 90 “Qui habitat”, të cilin edhe Djalli e citon kur e dërgon Jezusin në majë të tempullit dhe e tundon, duke e sfiduar të hidhet: “sepse është shkruar: ‘Ai do t’u japë urdhër engjëjve të tij për ty’ dhe ‘Ata do të të mbajnë mbi duart e tyre, që këmba jote të mos pengohet në asnjë gur’”. Imzot Varden shpjegon se vetëm Zoti është i autorizuar të na vërë në provë, por ftesa e Tij do të jetë: “Kërce në krahë të mi”, dhe jo “Hidhu poshtë”.

Engjëlli mbrojtës që na ndriçon dhe na ruan

Ndërhyrjet engjëllore, sqaron ai, “nuk janë gjithmonë qetësuese” dhe engjëjt nuk janë të thirrur të “plotësojnë teket tona”. Në një lutje popullore që i mvishet Regjinaldit të Kanterberit, bashkëkohës i Bernardit, i kërkohet engjëllit tonë mbrojtës të na “ndriçojë, ruajë, udhëheqë dhe qeverisë”. Këto janë folje të forta: “një engjëll është mbi të gjitha një rojtar i shenjtërisë”.

Gjithashtu, jeta murgare që nga zanafilla u “prezantua si engjëllore për shkak të qëllimit të saj të lavdimit, por edhe sepse murgu është i thirrur të jetë i ndezur nga dashuria e Zotit dhe të bëhet një emisar i Tij për të tjerët”. Engjëjt ngjiten dhe zbresin përgjatë shkallës së ngjitjes sonë drejt Zotit, duke raportuar veprimet tona të mira dhe të këqija. Ata sigurojnë që asnjë akt i lutjes autentike të mos kalojë pa u vënë re, por të lartësohet menjëherë përpara Zotit.

Ambasadorë dhe ndërmjetës të mëshirës së Zotit

Shën Bernardi nënvizon rolin e engjëjve “si ndërmjetës të provanisë së Zotit”. Një ndërmjetësim që “nuk është gjithmonë i nevojshëm”, sepse Zoti mund të na arrijë pa ndërmjetës, por Ai “kënaqet duke lejuar që krijesat e Tij të jenë kanale hiri për njëra-tjetrën”. Murgu trapist Varden kujton se engjëjt, qenie përsosmërisht shpirtërore, janë natyrisht në lëvizje drejt lartësisë. Por zbritja e tyre ndodh në avantazhin tonë kur ata dërgohen si ambasadorë, në mënyrë që mëshira e Zotit të na gjejë pikërisht aty ku jemi, edhe nëse ndodhemi në ndonjë errësirë tmerruese, që prej andej të mund të na lartësojnë drejt Tij. Engjëjt imitojnë Atë që nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer: atë që ata bëjnë për bamirësi të pastër. Akti i fundit dhe më vendimtar i bamirësisë së engjëjve, kujton predikuesi imzot Varden duke cituar gjithnjë predikimet e Shën Bernardit, “do të ndodhë në orën e vdekjes sonë, kur ata do të na përcjellin përmes vellos së kësaj bote drejt përjetësisë”. Atëherë ata do të shfaqin karakteristikat e tyre: “Nuk mund të mposhten as të joshen, e aq më pak mund të na joshin ne”.

Shën Newman dhe shërbimi "engjëllor" i meshtarëve

Shën Bernardi predikoi mbi këto tema në vitin 1139, por 726 vjet më vonë, një burrë me temperament të ndryshëm, por me inteligjencë të ngjashme, John Henry Newman, do të fliste për engjëjt “në një poezi të veçantë mbi vdekjen” përpara se të emërohej kardinal. Shenjti dhe Doktori i ardhshëm i Kishës Newman, kujton imzot Varden, “reflektonte shumë mbi engjëjt. Ai e konceptonte shërbimin meshtarak si engjëllor”. Meshtari, në fakt, “ndihet si në shtëpinë e vet në këtë botë, nuk ka frikë të shkojë në pyjet e errëta në kërkim të të humburve. Në të njëjtën kohë, ai i mban sytë e mendjes të lartësuar drejt fytyrës së Zotit Atë, duke lejuar që shkëlqimi i Tij të ndriçojë gjithë realitetin e pranishëm. Ndriçimi është gjithmonë i dyfishtë: intelektual dhe esencial, sakramental dhe pedagogjik”.

Edhe mësuesit mund të jenë "ndriçues engjëllorë"

Shën Newman, përfundon predikuesi norvegjez Varden, tani Doktor i Kishës, na fton të “rizbulojmë mësuesin si ndriçues engjëllor”. Një sfidë “profetike dhe e bukur”, komenton ai, po të mendojmë se sa shumë i ashtuquajturi “arsim” tani u është besuar mediave dixhitale, “madje edhe atyre artificiale, ndërkohë që të rinjtë, adoleshentët dhe fëmijët dëshirojnë të takojnë mësues të denjë për besim, të cilët mund të japin jo vetëm aftësi, por urtësi”. Një takim engjëllor, thekson imzot Varden, “është personal. Ai nuk mund të zëvendësohet nga një shkarkim (download) apo nga një chatbot”.

26 shkurt 2026, 17:25