Papa dëgjon meditimin e predikuesit Varden gjatë Ushtrimeve Shpirtërore në Kapelën e Shën Palit Papa dëgjon meditimin e predikuesit Varden gjatë Ushtrimeve Shpirtërore në Kapelën e Shën Palit

Ushtrimet shpirtërore: t’i japësh lavdi Zotit është misioni kryesor në Kishë, të tjerat vijnë pas

Meditimi i dhjetë i mëngjesit të sotëm, 27 shkurt, në Kapelën Paolina, në Vatikan, për Leonin XIV dhe Kurien Romake. Predikuesi imzot Varden ndalet sërish te Shën Bernardi dhe traktati i tij “Mbi Konsideratën”, një letër drejtuar Papës së ardhshëm Eugjeni III, në të cilën shenjtori fton që ai të rrethohet nga bashkëpunëtorë të mirë, të ndershëm, dashamirës të paqes dhe të unitetit, në mënyrë që të garantohet një menaxhim i mirë që sjell dobi për Kishën në mbarë botën.

R.SH. - Vatikan

“Sa më mirë të menaxhohen zyrat qendrore të Kishës, aq më e madhe do të jetë dobia për Kishën në mbarë botën”. Shën Bernardi dhe sugjerimet e tij mbi cilësitë e bashkëpunëtorëve me të cilët duhet të rrethohemi, janë në qendër të meditimit të dhjetë të mbajtur nga imzot Erik Varden këtë mëngjes, 27 shkurt, në Kapelën Paolina, në Vatikan, për Ushtrimet Shpirtërore të Kreshmës për Papën dhe anëtarët e Kuries Romake. Në reflektimin e tij, ipeshkvi i Trondheim-it, në Norvegji, imzot Varden ndalet në një traktat të Shën Bernardit me titull Mbi konsideratën.

Murgu dhe teologu francez shën Bernardi e përkufizonte "konsideratën" si një instrument analitik, një ndihmë për vetë-ekzaminim dhe një hapje drejt soditjes së Zotit. Vepra e tij Mbi Konsideratën pati një përhapje të gjerë, një bestseller që gëzoi një popullaritet më të madh se çdo vepër tjetër e tij, thotë imzot Varden. Dhe kjo pavarësisht se bëhej fjalë, në thelb, për një letër specifike drejtuar një bashkëvëllai: një murgu italian, tashmë meshtar në Pisa, i cili kishte hyrë në jetën murgare në Clairvaux në vitin 1138. Emri i tij ishte Bernardo dei Paganelli, i cili shtatë vjet më vonë, në 1145, u bë Papa Eugjeni III. Në këtë letër-traktat, shpjegon imzot Varden, “duke konsideruar problemet e Kishës, Bernardi nuk ofron zgjidhje institucionale, por e këshillon Eugjenin, Papë, që të rrethohet nga njerëz të mirë”. Cilësitë që ai kërkon të kërkohen dhe të kultivohen janë të vlefshme në çdo kohë: “Duhen bashkëpunëtorë me integritet të provuar, të gatshëm për bindje, të durueshëm dhe të butë; me fe të sigurt katolike, besnikë në shërbim; dashamirës të harmonisë, paqes dhe unitetit; të matur në këshilla, të mprehtë në administrim, të përmbajtur në të folur”. Njerëz të tillë “e duan dhe e shijojnë lutjen dhe në të mbështesin shpresën e tyre më shumë sesa te mençuria apo puna e tyre”.

Zoti, “lumturia supreme”

“Në masën që Kisha vepron sipas këtyre parimeve, ajo do të pasqyrojë organizimin e hierarkive engjëllore. Kushdo që e konsideron atë, do të shohë menjëherë misionin e saj kryesor: atë të dhënies lavdi Zotit”, pohon imzot Varden. Ai nënvizon se “për të konsideruar saktë nevojat tokësore, duhet të kërkojmë, përmes tyre, atë që është lart”. Dhe ky është Zoti. Shën Bernardi pyet: “Çfarë është Zoti? Vullnet i gjithëfuqishëm, virtyt dashamirës, arsye e pandryshueshme”. Zoti është “lumturia supreme” që “për dashuri, dëshiron të bashkëndajë me ne hyjninë e Vet”, thotë predikuesi imzot Varden. Ai “na krijoi për Ta dëshiruar, na zgjeron për Ta pranuar, na shfajëson për Ta merituar”, “na udhëheq në drejtësi, na formëson në dashamirësi, na ndriçon me njohje, na ruan për pavdekësi”.

Prandaj, “për çfarëdo gjë tjetër që prelatët duhet të kujdesen – dhe janë shumë – këto realitete duhet të konsiderohen më parë”, pohon ipeshkvi norvegjez imzot Varden. “Në këtë mënyrë edhe konsiderata e tyre për çështjet praktike do të jetë e ndriçuar, e rregullt, e bekuar dhe frytshme”. Siç pohonte vetë Bernardi, një prelat “duhet të jetë i pajisur me parime, duhet të jetë i shenjtë dhe i rreptë, por gjithashtu duhet të jetë mik i Dhëndrit (Jezusit) dhe të gëzohet duke e bashkëndarë atë miqësi me të tjerët”.

Mësimi i Shën Augustinit

Mësimi i një tjetër shenjti rikthehet në meditimin e dhjetë të predikuesit të ushtrimeve shpirtërore në Vatikan: Shën Augustini, ati shpirtëror i urdhrit rregulltar augustinian nga vjen Papa Leoni XIV. Ipeshkvi i Hiponës “shpesh e përshkruan zyrën episikopale si një sarcina (ngarkesë, barrë), bohçja e legjionarit”. Është një imazh “paksa brutal”, vëren imzot Varden, “i konceptuar nga ai që njihte vetminë dhe frikën e fushatave në shkretëtirën e Afrikës Veriore”. “Mbaje barrën tënde deri në fund – thotë Augustini në një predikim – nëse e do, do të jetë e lehtë; nëse e urren, do të jetë e rëndë”. “Ndonëse barra baritore ka një pamje frikësuese, ajo është frikësuese vetëm nëse nuk arrijmë të vërejmë Atë (Zotin) që na e vendos barrën mbi shpatulla”, komenton predikuesi imzot Varden. “Sepse ajo nuk është gjë tjetër veçse një pjesëmarrje në zgjedhën e ëmbël të vetë Krishtit, që na bën të zbulojmë se kryqi i besuar është i ndritshëm dhe i lehtë dhe se mundësia për ta bashkëndarë atë është arsye për gëzim”.

 

 

27 shkurt 2026, 13:05