Ushtrimet shpirtërore, si të jetojmë nën mbrojtjen e Hyjit
R.SH. / Vatikan
nga imzot Erik Varden
Mary Ward, ajo edukatore e madhe e krishterë e shekullit XVII, kishte zakon t’u thoshte motrave të saj: “Bëni më të mirën tuaj dhe Zoti do t’ju ndihmojë”. Ideja se Hyji mund dhe dëshiron të na ndihmojë në vështirësitë tona është një aksiomë e fesë biblike. Ajo dallon Hyjin e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, Hyjin që në Krishtin Jezus u bë dhembshuri e mishëruar, nga Lëvizësi i Palëvizshëm i filozofisë. Psalmi 90 fillon me vargun: “Qui habitat in adiutorio Altissimi”, “Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit”.
Ndihma e Hyjit, thotë shën Bernardi, mund të përkufizohet si një banesë, pasi përbën një realitet që na mbron, brenda së cilës mund të jetojmë, të lëvizim dhe të ekzistojmë. Ndihma e Z nuk është e rastësishme; nuk është një shërbim urgjence që e kontaktojmë kur digjet një shtëpi apo kur dikë e përplas makina, sikur të telefononim 112-ën. Po çfarë të themi për rastet kur njerëzit që i frikësohen Hyjit rrëzohen dhe duket sikur braktisen? Çfarë të themi kur i drejtohemi me lutje qiellit pa marrë asnjë përgjigje, duke dëgjuar vetëm jehonën e shkretë të zërit tonë?
Figura biblike e kësaj gjendjeje është Jobi, libri madhështor i të cilit mund të perceptohet si një simfoni me tre kohë, duke kaluar nga Vajtimi i thellë drejt një ekspozimi të Kërcënimit, deri te përvoja e papritur e Hirit. Jobi nuk i pranon racionalizimet e miqve të tij. Ai refuzon të mendojë se Hyji po bën llogari mbi jetën e tij sikur të ishte një bilanc. Ai është i vendosur ta gjejë Hyjin të pranishëm në mundim, duke thirrur në mënyrë heroike: “kush, nëse jo Ai, mund ta bëjë këtë?”
Si besimtarë, ne mund ta konsiderojmë fenë si një policë sigurimi: të sigurt se mund të mbështetemi në ndihmën e Zotit, mendojmë se jemi të mbrojtur nga rreziku. Bota duket se shembet nëse, dhe kur, e keqja na godet. Si t’i përballojë provat që duken pa kuptim, që shkatërrojnë barrierat e mia mbrojtëse? A është marrëdhënia ime me Hyjin një formë negociate, ashtu që kur gjërat vështirësohen, shtyhem të ndjek këshillën e gruas së Jobit për “ta mallkuar Hyjin e të vdes”?
Hyji mund të bëjë të mundur një botë të re dhe të bekuar pasi të ketë shembur muret që ne mendonim se ishin bota, mure brenda të cilëve në realitet po mbyteshim. Të banosh nën mbrojtjen e Hyjit, siç na mëson Shën Bernardi, nuk do të thotë të bësh tregti me siguritë. Do të thotë të kalosh përmes Vajtimit dhe Kërcënimit për të mësuar të jetosh me Hir në këtë nivel të ri thellësie. E kështu t’u lejosh të tjerëve ta gjejnë Atë.