Ushtrimet shpirtërore: realiteti është një britmë që lyp mëshirën e Zotit
R.SH. - Vatikan
I paepur, me një linjë sjelljeje herë pas here drastike, por me një ëmbëlsi të mbërritur falë “njohjes së realitetit absolut të dashurisë së Krishtit dhe fuqisë së Tij për të ndryshuar çdo gjë”. Kjo është nyja kyçe e jetës së Shën Bernardit sipas predikuesit imzot Erik Varden, i cili mbajti sot pasdite, 26 shkurt, në Kapelën Paolina, në Vatikan, meditimin e nëntë të Kreshmës për Papën dhe Kurien Romake. Reflektimi i tij mbi “Shën Bernardin realist” nis nga identiteti i lëvizjes cisterciane (trapiste) “i farkëtuar në ndërfaqen midis ideales dhe konkretes, poetikes dhe pragmatikes”. “Protagonistët e saj – shpjegon ipeshkvi i Trondheim-it, në Norvegji – vihen në provë dhe purifikohen nga tensionet që rrjedhin prej këtyre”.
Të synosh lart
Duke përshkruar Shën Bernardin dhe idealet e larta që e udhëhiqnin, imzot Varden reflekton mbi “linjën e tij të sjelljes, të ndjekur më pas në një mënyrë paksa drastike”. “Ishte e natyrshme për të që të synonte lart. Një tipar i paepur – shpjegon Varden – nuk e braktisi kurrë; por u zbut me kalimin e kohës”. Bernardi u shndërrua nga idealist në realist. Për të përkufizuar termin realizëm, murgu trapist Varden citon psikanalistin Jacques Lacan, për të cilin “realja” është ajo kundër së cilës përplasemi, dhe Bernardi u përplas shumë herë me Realpolitik.
Britma që lyp mëshirë
“Ai u bë një realist, jo vetëm në kuptimin e atij që pranon gjërat ashtu siç janë, – pohon Varden – por edhe sepse mësoi që realiteti më i thellë i të gjitha ngjarjeve njerëzore është një britmë që lyp mëshirë”. “Sa më shumë mësonte të njihte këtë britmë në zemrat njerëzore të shqetësuara, në lotët e hidhur, në konfliktet botërore, në fushatat e marra kundër mirësjelljes dhe të vërtetës – e madje edhe në pëshpëritjen e pemëve të pyllit – aq më shumë Bernardi ishte i vetëdijshëm për përgjigjen lavdiplote dhe mëshirëplotë të Zotit”.
Jezusi, vaj që parfumon jetën
Atë përgjigje ndaj britmës “shën Bernardi e ndjeu në emrin e shenjtë të Jezusit, i cili u bë i dashur dhe i shtrenjtë për të në mënyrë të papërshkrueshme. Te Jezusi, Zoti zbulon planin e Tij shpëtues, duke e dikuar mbi njerëzimin si vaj aromatik, shërues dhe pastrues”. Kështu, Bernardi u kujtonte murgjve se pa atë vaj “çdo ushqim i shpirtit” ishte i thatë dhe i pashijshëm. “Nëse shkruan, për mua nuk ka shije nëse aty nuk lexoj Jezusin. Nëse diskuton apo flet, për mua nuk ka shije nëse aty nuk tingëllon Jezusi. Jezusi, mjaltë në gojë, melodi në vesh, ngazëllim në zemër”.
Çdo gjë në dritën e Jezusit
Perspektiva që i hapet Bernardit është mbi mrekullitë që mëshira e Zotit kryen në Jezusin; shumëçka ndryshon tek ai dhe devotshmëria e tij vishet me “një thellësi afektive”. “Termi affectus – vëren imzot Varden – është themelor për të. Bernardi ka një spektër të gjerë kuptimesh, duke treguar se hiri i Zotit na lëviz si qenie të mishëruara, duke lejuar që shqisat tona ta perceptojnë Hyjin. Por Bernardi e konsideronte Jezusin, mishërimin e së vërtetës, si asgjë më pak se një parim hermeneutik. Ai i lexonte situatat, njerëzit dhe marrëdhëniet në mënyrë rigoroze në dritën e Jezusit”. Një perspektivë që do ta bënte atë të vlerësohej nga njerëz si Martin Luteri apo themeluesi i lëvizjes metodiste, John Wesley.
Paradigma e një bote të përtërirë
Në këtë dritë të re mbinatyrore, “natyra jonë – shpjegon predikuesi imzot Varden – do të zbulojë formën e saj të përsosur, forma e bukur e saj; vetëm atëherë do të jetë evidente kënaqësia për të cilën është e aftë jeta tokësore; vetëm atëherë lavdia e fshehur brenda nesh dhe rreth nesh do të shkëlqejë me shkreptima intensive, duke na mësuar se çfarë mund të bëhemi ne dhe të tjerët, duke ofruar një paradigmë për një botë të përtërirë”.
Fuqia për të ndryshuar çdo gjë
Realizmi që rrethon tani shën Bernardin në pjekurinë e tij e bën atë “jo vetëm një reformator të madh, një orator të pashembullt, një udhëheqës të Kishës: njohja e realitetit absolut të dashurisë së Krishtit dhe fuqisë së Tij për të ndryshuar çdo gjë, e bëri Bernardin një doktor dhe një shenjtor. Dhe kjo është arsyeja – përfundon imzot Varden – pse ne e duam dhe e nderojmë atë”. “Në liri me veten e tij” dhe në fakt, kush është vërtet i lirë, është shprehje e “një realiteti vërtet lavdiplotë”.