Kërko

2026.02.22 Inizio Esercizi Spirituali

Ushtrime shpirtërore: rëniet mund t'ju bëjnë të përvuajtur ose t’ju zvarrisin në rrënojë

Meditimi i gjashtë i Kreshmëve në Kapelën Paoline, për Leonin XIV dhe Kurien romake, sot paradite, 25 shkurt. Imzot Erik Varden, ipeshkëv i Trondheimit në Norvegji, u përqendrua tek rëniet, që mund të bëhen të nevojshme në "rrugën drejt shpëtimit", ose të na zvarrisin në ndonjë shteg shkatërrimi e rrënimi. Kujtoi, më pas, rastin e shpërdorimit dhe gabimet, pasojë e mosnjohjes. "Progresi në jetën shpirtërore - pohoi - kërkon pjekuri kundruese, kujdes, prandaj, kujdes edhe nga çdo dualizëm".

R.SH. / Vatikan

Rëniet që "dëshmojnë fuqinë shpëtimtare të Zotit", "korrupsioni kishtar", i rritur në Kishë si një nga krizat më të tmerrshme, ndërgjegjësimi për gabimet në rastin e abuzimit dhe nevoja për jetë shpirtërore, që të jetë në harmoni me "pjekurinë kundruese" sepse kjo "nuk është shtesë në pjesën tjetër të ekzistencës"... Kjo është rruga që Imzot Erik Varden, murg i Cisterçenësve, trapist dhe Ipeshkëv i Trondheimit në Norvegji, e  zgjedh për meditimin e tij të gjashtë të Kreshmëve për Papën dhe Kurien Romake, duke u përqendruar tek tema: "Një mijë do të bien", shkëputur nga Psalmi 90, këtë mëngjes, 25 shkurt, në Kapelën Pauline, në Vatikan.

"Rëniet, pohon Imzot Erik Varden, mund të na përulin kur jemi fryrë nga krenaria. Ato mund të tregojnë fuqinë shpëtuese të Zotit. Mund të bëhen gurë kilometrikë në një udhëtim personal shpëtimi, për t'u kujtuar me mirënjohje". Çaste rrënuese, që nuk "përfundojnë gjithmonë me gëzim", por, shpjegon Imzot Varden, mund të kenë erë "ferri dhe ta tërheqin palën fajtore në një shteg shkatërrimi e rrënoje" që, nëse është i gjerë dhe i gjatë, i mbingarkon "shumë të pafajshëm".

Drejtësi e lot

"Një mijë do të bien në prehërin tënd, e dhjetë mijë në të djathtën tënde, por asgjë nuk do të të godasë". Ky varg nga Psalmi e bën të qartë se ata që janë në Krishtin, ata që kërkojnë të jetojnë jetë shpirtërore, janë më të ekspozuar ndaj sulmeve të së keqes. "Asgjë nuk e ka dëmtuar Kishën më tragjikisht - pohon murgu cistercens - e asgjë nuk e ka kompromentuar dëshminë tonë, më shumë sesa korrupsioni i rritur brenda shtëpisë sonë. Kriza më e tmerrshme e Kishës nuk u shkaktua nga kundërshtimi i botës, por nga korrupsioni kishtar. Plagët e shkaktuara do të duan kohë për t'u shëruar. Ato ngrenë zërin për drejtësi dhe lot".

Këmbanat e alarmit

Predikatari Imzot Erik Varden ndalohet në veçanti tek kërkimi i "rrënjës së sëmurë" "përballë korrupsionit, veçanërisht kur bëhet fjalë për shpërdorime!”. "Ne presim, thekson ai, të gjejmë shenja paralajmëruese të hershme, që janë injoruar: ndonjë gabim në dallim, një model themelor i devijimit. Ndonjëherë këto gjurmë ekzistojnë dhe kemi arsye ta qortojmë veten që nuk i njohëm ato me kohë. Por nuk i gjejmë gjithmonë".

Mjete efektive

Imzot Varden nënvizon se edhe në ditët e para të bashkësive, "sot të shoqëruara me shkandullin", mund të njihej "e mira e madhe dhe e gëzueshme". "Nuk mund të paramendojmë se pati hipokrizi strukturore që nga fillimi, e se themeluesit e paraqitën veten në mënyrë cinike si varre të lyera me gëlqere. Ndonjëherë gjejmë shenja të frymëzimit të vërtetë, madje edhe gjurmë shenjtërie. Si mund ta shpjegojmë bashkëjetesën e të mirës me zhvillime të shtrembëruara? Një mendësi shekullare do të dorëzohet: përballë fatkeqësisë, përcakton përbindësha dhe viktima". Predikuesi Imzot Erik Varden pranon se "Kisha zotëron, kur kujtohet t'i përdorë ato, mjete më të rafinuara dhe më efikase".

Liria

Shën Bernardi na kujton, më pas, se sa më shumë "njerëzit bëjnë përpjekje fisnike", aq më shumë "janë të egra sulmet e armikut" dhe se "anëtarët shpirtërorë të vetë Kishës, sulmohen me ashpërsi shumë më të madhe sesa ata të korpit". Në Psalmin 90, Qui habitat "e majta" dhe "e djathta" kanë një kuptim të qartë. "E majta përfaqëson natyrën tonë njerëzore, e djathta, natyrën tonë shpirtërore. Viktimat janë më të shumta në të djathtën, sepse aty, në fushën e betejës shpirtërore, përdoren armët më vdekjeprurëse". Abati i Clairvaux "nuk ia atribuon të gjitha sëmundjet shpirtërore njerëzve të këqij me brirë e me sfurqe", por përkundrazi, është përdorimi i lirisë nga burrat dhe gratë që e bën ndryshimin. "Pika e tij", shpjegon predikatari i ushtrimeve shpirtërore Imzot Varden, "është se natyra njerëzore është një. Nëse fillojmë të zhytemi thellë në natyrën tonë shpirtërore, thellësi të tjera zënë e zbulohen. Do të na duhet të ballafaqohemi me urinë ekzistenciale, cenueshmërinë, dëshirën për ngushëllim: përvoja që mund të marrin formën e sulmit".

Harmonia ndërmjet Unit fizik, dhe atij emocional

Prandaj, "përparimi në jetën shpirtërore kërkon konfigurimin e vetvetes sonë fizike dhe emocionale" - shtoi Imzot Varden, "në harmoni me pjekurinë kundruese. Përndryshe, ekziston rreziku që ekspozimi shpirtëror të kërkojë rrugëdalje fizike ose emocionale dhe që rrugëdalje të tilla të racionalizohen sikur të ishin, në një farë mënyre, "shpirtërore", të një rendi më të lartë se keqbërjet e njerëzve të zakonshëm". Ipeshkvi i Trondheimit jep një shembull shumë të qartë, duke deklaruar se "integriteti i një mësuesi shpirtëror do të manifestohet në bisedën dhe mësimdhënien e tij, por jo vetëm kaq; ai do të jetë i dukshëm edhe në zakonet e tij online, sjelljen e tij në tavolinë dhe në bar, dhe lirinë e tij nga lajkat e të tjerëve".

Kujdes nga dualizmi

"Jeta shpirtërore", thotë Imzot Varden, "nuk është shtesë e pjesës tjetër të ekzistencës. Është shpirti i saj". Është e nevojshme të "ruhemi nga çdo dualizëm, duke kujtuar gjithmonë se Fjala u bë njeri në mënyrë që trupi ynë të mbushet me Logosin". Duhet të jemi vigjilentë ndaj "së djathtës" dhe "së majtës", siç këshillon Shën Bernardi, dhe "të kemi kujdes të mos e ngatërrojmë njërën me tjetrën". "Duhet të mësojmë të jemi po aq të qetë në natyrën tonë të mishit e të shpirtit", e përfundon predikatari meditimin e tij, "në mënyrë që Krishti, Mjeshtri ynë, të mbretërojë në paqe ndër të dyja".

25 shkurt 2026, 17:00