Ukraina, në përvjetorin e katërt të pushtimit rus, njerëzit mbajnë një moment heshtjeje përpara memorialit të Irpinit. Ukraina, në përvjetorin e katërt të pushtimit rus, njerëzit mbajnë një moment heshtjeje përpara memorialit të Irpinit.

Ukrainë, nunci apostolik: mes hirit të luftës të ruajmë një shikim shprese

Kryeipeshkv Imzot Visvaldas Kulbokas bën një bilanc të katër viteve konflikt: numri i viktimave është rritur dhe tani po goditen të gjithë, përfshirë mjekët dhe ekipet e shpëtimit. Jemi mirënjohës për ndihmat dhe kemi besim te sinjalet pozitive sepse “Zoti vepron edhe kur njerëzit nuk e ndërtojnë paqen”.

R.SH. / Vatikan

Kryeipeshkvi dhe NunciApostolik në Ukrainë Imzot Visvaldas Kulbokas bën një bilanc të katër viteve luftë në Ukrainë, duke theksuar se konflikti jo vetëm që vazhdon, por është intensifikuar. Sipas tij, forcat ruse në territorin ukrainas janë rritur ndjeshëm dhe janë shtuar sulmet me raketa e dronë. Raportet e Kombeve të Bashkuara tregojnë se është rritur edhe numri i viktimave civile, të cilat tashmë goditen edhe larg vijës së frontit, përfshirë kryeqytetin Kyiv dhe qytete të tjera.

Situata humanitare është përkeqësuar shumë. Mjekët dhe ekipet e shpëtimit nuk arrijnë më të organizojnë pika ndihme në ndërtesa, sepse ato bëhen objektiv sulmesh. Afër frontit detyrohen të gërmojnë disa metra nën tokë për t’u mbrojtur nga dronët, ndërsa evakuimi i të plagosurve mund të zgjasë deri në shtatë ditë, shpesh në temperatura shumë të ulëta. Edhe ndihmat humanitare janë reduktuar ndjeshëm, sepse sulmet nuk kursejnë askënd: civilë, ushtarë, mjekë, punonjës humanitarë apo meshtarë.

Nunci apostolik në Ukrainë Imzot Visvaldas Kulbokas kujton përgjegjësinë ndërkombëtare për paqen, duke përmendur angazhimet e marra në të kaluarën, si Memorandumi i Budapestit dhe marrëveshje të tjera mes Rusisë dhe Ukrainës. Megjithatë, ai pranon se është e vështirë të kuptohet si mund të dilet nga kjo spirale dhune që duket se vetëm sa forcohet.

Përballë shkatërrimit, Imzot Kulbokas vëren edhe shenja qëndrueshmërie dhe solidariteti. Përmend gra që ndihmojnë të plagosurit me proteza dhe asistencë, si dhe qytetarë që, edhe pas bombardimeve të natës, vazhdojnë jetën e përditshme. Sipas tij, shumë njerëz përpiqen të mos përqendrohen vetëm te vuajtja, por të ruajnë mirënjohjen dhe shpresën.

Duke iu referuar thirrjeve të Papa Leonit XIV, imzot Kulbokas thekson se edhe “mes hirit” duhet të ringrihemi dhe të rindërtojmë. Zoti, thotë ai, vepron edhe kur njerëzit nuk arrijnë të ndërtojnë paqen.

Në përfundim, kryeipeshkvi dhe nunci apostolik në Ukrainë Imzot Visvaldas Kulbokas nënvizon se ndihma më e madhe që Kisha mund t’i ofrojë Ukrainës është shpirtërore: lutja dhe shpresa. Të mos ndalemi te e keqja e përditshme, por të mbajmë një shikim plot besim, duke kultivuar një shpresë që tejkalon kufijtë njerëzorë.

24 shkurt 2026, 11:55