Udhë Kryqi e re në Shën Pjetër, për 400-vjetorin e kushtimit
R.SH. / Vatikan
Të hysh në Shën Pjetër dhe të takosh Udhën re të Kryqit të artistit zviceran Manuel Andreas Dürr, do të thotë të jetosh një prani të plotë. Në secilën prej katërmbëdhjetë stacioneve, figurat dallohen me qartësi strukturore, të mbështetura nga një strukturë e fortë kompozicionale. Projekti lindi nga një konkurs ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e artistëve nga mbarë bota. Zgjedhja e Manuel Andreas Dürr ishte e njëzëshme për ekuilibrin dhe fuqinë e saj shprehëse. Faktori vendimtar mbetet cilësia piktoriale: shtegtimi i Kreshmëve, i konceptuar për t'u ndjekur, pas liturgjisë, përgjatë boshtit procesional të stacionit qendror dhe në hapësirën përreth Altarit të Rrëfimit. Pikturat e reja janë të vendosura në korniza, krijim i artizanëve të Fabrikës së Shën Pjetrit.
Përurimi dhe koha liturgjike
Hapja zyrtare - dje, 20 shkurt, në orën 15:00 - u shoqërua me një shfaqje muzikore nga këngëtarët e Cappella Giulia-s, ndërprerë nga përshëndetjet institucionale të Kardinalit Mauro Gambetti, Kryeprift i Bazilikës së Vatikanit, Sekretarit të Fabrikës së Shën Pjetrit, Imzot Orazio Pepe, dhe me një fjalim të vetë artistit. Kardinali shpjegoi se si përmes kësaj vepre mund të lutemi, në gjurmët e Krishtit, e mund të ecim me Të drejt Ngjalljes.
Në vijim, e rishikoi traditën e Udhës së Kryqit nga perspektiva e të Parit të Apostujve, të cilin mund ta përfytyrojmë duke ripërshkruar çastet e jetuara nga Mjeshtri. Ai kujtoi shtegtarin Egjeria, i cili mbërriti në Tokën e Shenjtë në shekullin e 4-të, e edhe çaste të tjera që kontribuan në përcaktimin dhe përhapjen e Udhës së Kryqit, deri tek françeskani Shën Leonardi nga Porto Maurizio. Në orën 16:00, u kremtua Udha e Kryqit, e cila do të përsëritet çdo të premte, në orën 17:00, gjithë kohën e Kreshmëve. Gjatë kësaj kohe, kanavacat që shoqërojnë udhëtimin e besimtarëve në një përzierje kundrimi dhe lëvizjeje, do të mbeten të ekspozuara deri më 4 prill.
Konkursi ndërkombëtar
Si e vuri në dukje Imzot Pepe në përurimin e veprave të Dürr, konkursi pati një përgjigje të jashtëzakonshme. "U morën mbi një mijë aplikime," vuri në dukje sekretari i Fabrikës, "nga tetëdhjetë vende, në pesë kontinente. Vlen të përmendet veçanërisht pjesëmarrja femërore, e cila arriti pothuajse në dyzet e tetë përqind të totalit". Pas përzgjedhjes fillestare, një grupi të zgjedhur artistësh iu kërkua të dorëzonte dy skica. "Shumëllojshmëria e stileve - vuri në dukje ai - teknikat dhe ndjeshmëritë e bënë gjithçka dialog të vërtetë koral rreth Kryqit".
Formimi dhe kujtesa figurative
I lindur në vitin 1989, fituesi i konkursit, Manuel Andreas Dürr, studioi pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura, në Firence, duke u specializuar më pas në filozofi, histori arti dhe studime sllave në Freiburg dhe Bern. Formimi i tij fiorentin është i dukshëm në qendërsinë e vizatimit dhe qartësinë e ndërtimit. Këto kanavaca zbulojnë përvetësimin e mësimeve të artit fiorentin: kryqi, që kalon hapësirën, të kujton zgjidhje tashmë të pranishme në traditën toskane, siç është tek Zoja me Foshnjën e Michelangelo-s, e vendosur në Casa Buonarroti, ku boshti prej druri strukturon kompozimin. Ngjashmëritë me disa piktura italiane nga gjysma e parë e shekullit të njëzetë mund të dallohen gjithashtu në kompaktësinë dhe qartësinë formale, së bashku me një monumentalitet të menduar, që të kujton ashpërsinë tregimtare të Giotto-s. Referenca ndaj realizmit të fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit të njëzetë është e dukshme në dendësinë tonale dhe gravitetin e trupave, në një vijë që të kujton Gustave Courbet dhe, në përgjithësi, atë epokë evropiane të vëmendshme ndaj konkretësisë së realitetit.
Ngjyra dhe Arkitektura
Paleta e ngjyrave u përdor në përkim me mozaikun e Bazilikës. Okrat e ngrohta, gritë dhe blutë e thella krijojnë vazhdimësi vizuale me sipërfaqet e mermerit dhe dritën natyrale të navatës. Imazhi hyn në hapësirën arkitekturore me koherencë tonale, duke u integruar në ritmin vizual të ndërtesës.
Një çelës për lexim
Përqendrohemi këtu në Stacionin e 12-të "Jezusi vdes në Kryq", përfaqësim i kulmit të ciklit ikonografik dhe, njëkohësisht, çelës për ta kuptuar gjithë sekuencën. Ky stacion mishëron zgjedhjet formale dhe teologjike të të gjithë ciklit: ekuilibrin kompozicional, dendësinë e materialit, gjestet e matura dhe qendrën e dritës. Përcakton drejtimin e përgjithshëm të veprës.
Kryqëzimi: struktura e lënda
Në Kryqëzim, kompozimi është i organizuar rreth boshtit vertikal të kryqit. Pjesët kryq dhe rregullimi i trupave paraqesin diagonale që krijojnë thellësi dhe e drejtojnë shikimin kah fytyra e Krishtit. Struktura është gjeometrike dhe e fortë; ndërtimi ruan lëvizshmëri të brendshme, që e parandalon ngurtësinë. Druri është i lehtë, i ashpër, me fibra të dukshme, si materia e varfër. Edhe gurët që përsëriten në peizazhet e stacioneve të tjera - në Rënie ose Rrëzim - paraqesin vëllime kompakte dhe sipërfaqe të parregullta. Piktura thekson qëndrueshmërinë fizike të elementeve, duke e bazuar ngjarjen e shenjtë në një përmasë të prekshme.
Fytyra, gjesti, masa
Fytyra e Krishtit është e përkulur, e vizatuar me përqendrim intensiv. Krahët e shtrirë dhe marrëdhënia proporcionale ndërmjet figurave, krijojnë ritëm koherent. Qetësia përshkon të gjithë ciklin: dhimbja i besohet masës, dritës së trupave, kalibrimit të gjesteve. Shembull domethënës është stacioni i gjashtë, Veronika fshin fytyrën e Krishtit, relikja më tronditëse e Bazilikës. Këtu, figura paraqitet si "metaplikacion" i vërtetë: pikturë që përfshin një pamje tjetër, duke e kondensuar traditën e gjatë perëndimore të fytyrës së Krishtit.
Reflektimi mbi përfaqësimin shkrihet kështu në tregimin e Mundimeve, duke lidhur teologjinë e figurës - me rrëfimin e Ungjillit. I gjithë cikli ndjek me rigorozitet sekuencën tradicionale të katërmbëdhjetë stacioneve. Përshpirtëria dhe vetëdija historike e ikonografisë së Mundimeve, përkojnë në një pikturë, të aftë të ngjallë meditim në zemrën monumentale të Shën Pjetrit.