Bangui, kryeqyteti i njërit prej vendeve më të prapambetura në Indeksin e Zhvillimit Njerëzor (AFP ose licencuesit) Bangui, kryeqyteti i njërit prej vendeve më të prapambetura në Indeksin e Zhvillimit Njerëzor (AFP ose licencuesit)

Selia e Shenjtë: të ruhet dinjiteti i njerëzve duke fshirë pabarazitë

Vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit pranë Organizatës së Shteteve Amerikane (Osa), imzot Cruz Serrano, ndërhyri në një seancë pune në prag të Ditës Botërore të Drejtësisë Sociale që kremtohet nesër më 20 shkurt. Në fjalën e tij pati edhe një thirrje për të drejtat e grave në Amerikë

R.SH. / Vatikan

«Drejtësia sociale është gjithnjë e më e rëndësishme sepse nënkupton një zhvillim të drejtësisë së përgjithshme që rregullon marrëdhëniet shoqërore sipas parimit të respektimit të ligjit». Kështu u shpreh dje, më 18 shkurt, Imzot Juan Antonio Cruz Serrano, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Organizatës së Shteteve Amerikane (Osa), në sesionin e zakonshëm të Këshillit të Përhershëm ku u përkujtua Dita Botërore e Drejtësisë Sociale, e cila kremtohet nesër, më 20 shkurt.

Një përmasë botërore

«Drejtësia sociale është një kërkesë e lidhur me çështjen sociale, e cila aktualisht ka një përmasë botërore dhe prek aspektet sociale, politike dhe ekonomike, veçanërisht përmasën strukturore të problemeve dhe zgjidhjeve të tyre», shpjegoi imzot Serrano, duke shtuar se «në kontekstin aktual, drejtësia shoqërore është veçanërisht domethënëse, pasi vlera e personit, dinjiteti dhe të drejtat e tij kërcënohen seriozisht nga tendenca për të privilegjuar dobinë dhe zotërimin».

Konteksti i Amerikave

«Në kontekstin e Amerikave», vuri në dukje Imzot Serrano, «pabarazitë shfaqen në mungesën e aksesit të shtresave të gjera të popullsisë në punë të dinjitetshme, strehim, pronësi dhe shërbime bazë; në dramën e vazhdueshme të trafikimit të qenieve njerëzore dhe në krizën e migracionit, me pasoja të rënda dhe të qëndrueshme; në shprehjet e ksenofobisë dhe diskriminimit; në çekuilibrat midis vendeve dhe brenda tyre; si dhe në përkeqësimin e rëndë të Krijimit. Përballë këtyre realiteteve janë të nevojshme politika publike për shpërndarjen e drejtë të burimeve, që mundësojnë korrigjimin e strukturave që gjenerojnë varfëri dhe çojnë në një zhvillim të gjithanshëm dhe solidar për njerëzimin, domethënë të promovojnë të gjithë njerëzit dhe njeriun në tërësi».

Të drejtat e grave

Gjithnjë gjatë ditës së djeshme, në Uashington, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Organizatës së Shteteve Amerikane (Osa) foli edhe për të drejtat e grave me rastin e sesionit të Këshillit të Përhershëm kushtuar, ndër të tjera, përkujtimit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas së Amerikave. «Selia e Shenjtë rithekson se përhapja dhe mbrojtja e të drejtave të grave, përfshirë të drejtat e tyre ekonomike, në fushën e punës dhe ato shoqërore, nuk është vetëm një çështje drejtësie, por një imperativ për zhvillimin integral të çdo shoqërie», pohoi imzot Serrano.

19 shkurt 2026, 15:57