Kërko

Armatimet Armatimet

Selia e Shenjtë mbi çarmatimin: paqja nuk mund të arrihet vetëm me parandalim

Nënsekretari i Vatikanit për Sektorin Shumëpalësh të Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, monsinjor Daniel Pacho, ndërhyri më 25 shkurt në Gjenevë në sesionin 2026 të Konferencës për Çarmatimin dhe në Segmentin e Nivelit të Lartë të Sesionit të 61-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara.

R.SH. - Vatikan

Duhet të tejkalojmë idenë se “paqja mund të arrihet vetëm përmes forcës dhe parandalimit. Në realitet, parandalimi ushqen përhapjen e armatimeve dhe mund të dështojë, me pasoja potencialisht shkatërruese për njerëzimin dhe për brezat e ardhshëm”. Kjo është thirrja e Selisë së Shenjtë në sesionin e vitit 2026 të Konferencës për Çarmatimin, mbajtur dje, më 25 shkurt, në selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, e drejtuar nga nënsekretari i Vatikanit për Sektorin Shumëpalësh të Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, monsinjor Daniel Pacho. Përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë nënvizoi se “që njerëzimi të mund të përparojë drejt një paqeje autentike dhe të qëndrueshme”, është thelbësore që Konferenca mbi Çarmatimin “të arrijë marrëveshje konkrete dhe afatgjata çarmatimi për të mirën e përbashkët të të gjithë popujve”.

Rëndësia e verifikimit për kontrollin e armatimeve

Propozimet konkrete të Selisë së Shenjtë lidhen me nisjen e “diskutimeve mbi verifikimin me qëllim informimin e negociatave të ardhshme mbi çarmatimin dhe kontrollin e armëve, përfshirë çarmatimin bërthamor”. Kjo punë mbi verifikimin “përfaqëson një masë të rëndësishme për forcimin e besimit” dhe është thelbësore “për të garantuar efikasitetin e traktateve”. Gjithashtu, në dritën e rritjes së shpenzimeve ushtarake, është themelore “të konsiderohet mundësia e rifillimit të diskutimeve formale mbi kufizimin e armatimeve dhe mbi çarmatimin e përgjithshëm e të plotë, nën sisteme kontrolli dhe sigurie”.

Nuk mjafton parandalimi, arsenalet duhen reduktuar dhe eliminuar

Monsinjor Pacho kujtoi gjithashtu se Selia e Shenjtë mbetet “thellësisht e shqetësuar” për kërcënimin ekzistencial që përfaqësojnë armët bërthamore dhe përhapja e tyre. “Koncepti i fuqisë ushtarake si parandalim – nënvizoi imzot Pacho– veçanërisht parandalimi bërthamor, bazohet mbi idenë irracionale se marrëdhëniet midis kombeve duhet të mbështeten mbi frikën dhe kërcënimin e forcës sesa mbi të drejtën, drejtësinë dhe besimin”. Nëse ky rrugëtim mbi parandalimin nuk shoqërohet me përpjekje më të mëdha diplomatike, njerëzimi rrezikon të shtyhet “në drejt shkatërrimit”. Për këtë arsye, në pragun e Konferencës së ardhshme të Rishikimit të Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore (TNP), Selia e Shenjtë i “fton Shtetet e pajisura me armë bërthamore të angazhohen në negociata me mirëbesim për të reduktuar dhe, në fund të fundit, për të eliminuar arsenalet e tyre”.

Jo militarizimit të hapësirës

Duke denoncuar më pas “militarizimin e hapësirës jashtë-atmosferike” që do të çojë mjerisht në armatimin e saj, Selia e Shenjtë e konsideron thelbësore që “eksplorimi dhe përdorimi i hapësirës jashtë-atmosferike të ruhen ekskluzivisht për qëllime paqësore”. Ajo kërkon gjithashtu që të vendoset menjëherë “një moratorium mbi zhvillimin dhe përdorimin e sistemeve të armëve autonome vdekjeprurëse”. Sepse kur armët autonome “bëhen” luftëtarë, zhduket aftësia e veçantë njerëzore e gjykimit moral dhe vendimmarrjes etike. Prandaj “është thelbësore të mbahet kontrolli dhe gjykimi njerëzor në përdorimin e forcës”.

Të drejtat e njeriut, nuk ka më një gjuhë të përbashkët

Po dje, monsinjor Daniel Pacho ndërhyri në Gjenevë në Segmentin e Nivelit të Lartë të Sesionit të 61-të Zakonshëm të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara, duke u ankuar se “projekti i të drejtave të njeriut aktualisht po kalon një krizë besueshmërie”, dhe se parimet themelore të sistemit, si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Paktet dhe Traktatet mbi të Drejtat e Njeriut, “nuk konsiderohen më një ‘gjuhë e përbashkët’ dhe një ‘program i përbashkët’, por janë më tepër objekt riinterpretimi ose aderimi selektiv”.

Dialogu i rrënjosur në dinjitetin e patjetërsueshëm të personit njerëzor

Një problematikë e përkeqësuar “nga përhapja e të ashtuquajturave ‘të drejta të reja’, me paradoksin e denoncuar nga Papa Leoni XIV, se ‘e drejta e lirisë së shprehjes, e lirisë së ndërgjegjes, e lirisë fetare dhe madje edhe e drejta për jetën, po kufizohen në emër të të tjerave, të ashtuquajtura të drejta të reja’”. Për këtë arsye, përfundoi monsinjor Pacho, dhe për të ruajtur përparimet e tetë dekadave të fundit, “të arritura me mund që nga themelimi i Kombeve të Bashkuara”, është e nevojshme “të kthehemi në të vetmen rrugë të aftë për të gjeneruar paqe: një dialog i rrënjosur fort në dinjitetin e patjetërsueshëm të personit njerëzor, dhuratë e Zotit”.

 

26 shkurt 2026, 11:11