Ratzinger e Kisha që mirëpret, duke lënë të lirë
R.SH. / Vatikan
nga Andrea Tornielli
"Duke vuajtur, mësoi të ecte në rrugën e tij, pa kufizime. Mësoi ta linte që rruga e tij të ishte krejtësisht e ndryshme" nga ajo që kishte përfytyruar. Këto janë fjalë për nënën e Shën Augustinit, shqiptuar në shenjtërimin e Kishës famullitare të Shën Monikës, në lagjen Neuparlach të Mynihut, në Gjermani, nga Kardinali i atëhershëm, Kryeipeshkvi Joseph Ratzinger. Ishte 29 nëntori 1981, vetëm katër ditë pas njoftimit të emërimit të tij si Prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Doktrinën e Fesë. E edhe një herë kjo është figura e Ratzingerit, shumë larg nga ajo që iu ngjit nga ata, të cilët përdorin fragmente të zgjedhura nga mësimet e Benediktit XVI, që të provonin t’i kundërvihen atij, me ato të pasardhësve të tij. Homelia botohet për herë të parë në italisht, në vëllimin e teksteve të zgjedhura të Ratzingerit, "La fede del futuro" (Cantagalli Editore, përkthyer nga Pietro Luca Azzaro), me një parathënie nga Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Selisë së Shenjtë.
Kryeipeshkvi i atëhershëm i Mynihut, Ratzinger në homelinë e tij, paraqet figurën e nënës së Augustinit si përvojë e gjallë e asaj që është Kisha, në thelbin e saj më të thellë. "Në të - shkruan Ratzinger, duke kujtuar shenjtin e Ipponës, Augustinin - ai e jetoi Kishën si person, Kishën personalisht, kështu që për të ajo nuk ishte çfarëdo lloj aparati, nga i cili ndjehet diçka shumë e largët, struktura që duken disi të pakuptueshme. Në këtë grua ishte personalisht e pranishme, çka ishte personalisht e pranishme vetë Kisha". Augustini, rikujtonte kardinali Ratzinger, shkroi për nënën: "Ajo nuk më dha vetëm këtë jetë fizike, por më dha një hapësirë në zemër, më dha një hapësirë jete në të cilën mund të bëhesha burrë". Qenjet njerëzore, deklaroi Ratzinger, "kanë nevojë për një hapësirë relacionale besimi, dashurie; e edhe një ndjesi që i lejon të ecin drejt së ardhmes".
Por kjo "hapësirë jete" ka të bëjë pak e aspak me strukturat kishtare ose me bashkësitë e bazuara në identitet të njerëzve të përsosur, që izolohen nga bota, duke e dënuar atë ditë për ditë. Përkundrazi, ajo skicon në mënyrë të admirueshme fytyrën e një Kishe mikpritëse, që e respekton lirinë e të gjithëve dhe kohën e secilit. Pikërisht siç bëri Monika me të birin, Augustinin, duke e konsideruar "lënien e tij element të lirë për formimin e kësaj hapësire jetësore". I lirë të bënte gabime, i lirë të ndiqte pasionet e korpit… Monika “diti të priste. Ajo dinte ta pranonte konfliktin ndërmjet brezave. Përmes vuajtjes, mësoi ta linte të ecte në rrugën e tij, pa kufizime. Mësoi ta toleronte faktin se rruga e tij ishte krejtësisht e ndryshme nga ajo që, me besim, e kishte planifikuar për të; e megjithatë ajo mësoi ta donte, të ishte përkrah të tij, të mos e braktiste, duke lejuar ende lirinë e qenies së tij. Në këtë hapje dhe pritje, që i lejoi atij lirinë për t’u bërë vetvetja - jo duke i imponuar besim, por duke qenë aty për të thjesht si person, si nënë - kjo është pikërisht mënyra se si ajo ia transmetoi fenë”.
Këto janë fjalë ndriçuese për prindërit, për edukatorët e, në përgjithësi, për ata që shpallin Ungjillin. Kishë si “hapësirë jete, lirie, shprese”. Papa i ardhshëm komentoi: "Unë besoj se ka shumë dyshime dhe neveri ndaj Kishës sot... sepse ne e jetojmë Kishën shumë pak si person, shumë pak personalisht. Dëgjojmë për të vetëm si strukturë, si zyrë, si aparat. Por Kisha mund të ekzistojë, ne mund të zëmë rrënjë në të, e ajo mund të bëhet atdheu ynë, vetëm nëse ajo vazhdon të ekzistojë në njerëz. Kjo hapësirë, të gjitha hapësirat - madje edhe dhomat ku kalojmë kohën tonë të lirë e takohemi - duhet të jenë hapësira që na ndihmojnë të bëhemi Kisha personalisht për njëri-tjetrin; hapësirë, që të jetë për hapësirë jetike, nënë, dikush që na ofron vendin e besimit dhe mundësinë e jetesës". Një Kishë "spital fushor" që të shoqëron, ku dashuria shëron plagët më të thella dhe ju e ndjeni veten si në shtëpinë tuaj!