UNESCO promovon Ditën Botërore të Radios (ANSA) UNESCO promovon Ditën Botërore të Radios (ANSA)

Radioja e vënë në provë nga Inteligjenca Artificiale

Sot është Radio Day - Dita Botërore e Radios, organizuar nga UNESCO, e përqendruar në zërin dhe Inteligjencën artificiale (IA-së). Në ADN-në e shpikjes së Guglielmo Marconit është lidhja ndërmjet njerëzve e bashkësive. Vlerë që asnjë Inteligjencë Artificiale nuk do të mund ta zëvendësojë kurrë.

R.SH. / Vatikan

"Radioja nuk është më vetëm radio". Kanë kaluar njëzet vjet që kur Atë Federico Lombardi, Drejtor i Përgjithshëm i Radio Vatikanit, i shqiptoi këto fjalë në një takim me ne, kolegët, në transmetuesin papnor. Podkastet ishin praktikisht eksperiment elitar. Web radio-t nuk kishin akoma peshë në ekosistemin mediatik. Rrjetet sociale ishin në hapat e tyre të para dhe sigurisht që nuk përdoreshin për të përcjellë përmbajtje informative, e lëre më audio. E megjithatë, Atë Lombardi kishte ndjerë se radioja, media fleksibël dhe elastik “par excellence”, po ndryshonte. Edhe një herë. Njëzet vjet më vonë (epokë gjeologjike duke pasur parasysh shpejtësinë me të cilën u zhvillua teknologjia e komunikimit në këtë segment të shekullit), parashikimi i Jezuitit mund të konfirmohet me siguri: "Radioja nuk është më vetëm Radio".

 Megjithatë, edhe pse sot është e zakonshme të flasim në mënyrë të pandashme për "Radion dhe Audion" - demonstrim që tregon se sa thellësisht kanë ndryshuar gjërat ndërkohë - ADN-ja e shpikjes së Guglielmo Marconit duket se ka ruajtur tiparet e saj dalluese. Zëri është gjithmonë në qendër të Radios. Zëri, me emocionet e tij. Ato të ngjallurat nga një këngë ose një intervistë, një bisedë me një dëgjues ose një fjalim i një figure publike. Zëri, me aftësinë e tij për të arritur më drejtpërdrejt, kur dëshiron të informojë për diçka tejet të rëndësishme. Radio mbetet, në disa mënyra, "mike e shkëlqyer" e mediave të tjera - të vjetra e të reja - që prodhojnë informacion. Ndoshta edhe sepse në një transmetim radiofonik (ose podcast), teknologjia luan rol kyç, por jo mbizotërues. Personi dhe zëri i tij e flasin pjesën më të madhe.

Por a do të jetë ende kështu në të ardhmen e afërt?

"Inteligjenca Artificiale është mjet. Jo zë". Tema e zgjedhur nga UNESCO për Ditën Botërore të Radios 2026 flet dhe e nënvizon pikërisht këtë shqetësim gjithnjë e më të dukshëm e më urgjent. A do t'i zëvendësojë IA (Inteligjenca artificiale) zërat njerëzorë në transmetimet radiofonike? Teknikisht, kjo nuk është e mundur vetëm sot, por tashmë po zbatohet gjerësisht nga shumë transmetues. Programe të organizuara nga "Spiker të Inteligjencës Artificiale". Dublim audio i prodhuar me IA (Inteligjencë Artificiale). Podkaste bërë me muzikë dhe zëra të klonuar nga instrumente në të cilat kontributi njerëzor është minimizuar. Këto aplikacione nxisin shumë pyetje, duke filluar me çështjen e transparencës: para së gjithash dëgjuesit duhet të dinë nëse zëri është njerëzor apo i krijuar nga IA. Duhet të dinë edhe nëse informacioni që po dëgjojnë është zgjedhur nga një algoritëm e jo nga një gazetar.

Në mënyrë domethënëse, Papa Leoni XIV shpreh konsiderata që lidhen mirë me këtë debat në mesazhin e tij të parë për Ditën Botërore të Komunikimit 2026, botuar më 24 janarin e kaluar.

"Mbrojtje e fytyrave dhe zërave", shkruan Papa, "në fund të fundit do të thotë të mbrojmë veten. Të mirëpresim me guxim, vendosmëri dhe gjykim të mirë mundësitë e ofruara nga teknologjia dixhitale dhe inteligjenca artificiale, nuk do të thotë të fshehim nga vetja pikat kritike, paqartësinë dhe rreziqet".

Papa trajton, kështu, një temë që sot, edhe në organizatat e mëdha të medias së shërbimit publik, siç është Bashkimi Evropian i Transmetimeve, konsiderohet e pashmangshme. "Fuqia e simulimit," paralajmëron Papa Leoni, "është e tillë që IA mund të na mashtrojë edhe duke sajuar realitete paralele, duke përvetësuar fytyrat dhe zërat tona. Jemi të zhytur në një shumëdimensionalitet, ku bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallosh realitetin nga trillimi". Kjo është arsyeja pse teknologjia e re revolucionare duhet të përdoret, sipas fjalëve të UNESCO-s, si mjet. Asgjë më shumë.

Nga kjo perspektivë, IA mund të jetë ndihmë e madhe për stacionet radiofonike: për të kuptuar më mirë shijet e audiencës, për të organizuar më mirë arkivat e zërit, për të kërkuar më shpejt informacion, për të provuar një identitet zanor më të përcaktuar. Zhvillimet e mundshme janë të mëdha e, disa prej tyre, ende të paparashikueshme. Por asnjë përparim teknologjik, sado i përparuar, nuk mund ta zëvendësojë përmasën njerëzore, lidhjen ndërmjet njerëzve, e cila është në zemër të shpikjes së Marconit. IA mund ta klonojë në mënyrë të përsosur timbrin e një zëri. Mund t’i "zëvendësojë" edhe kordat vokale. Por jo ato të zemrës. Sepse, siç tha Marshall McLuhan, "Radio ka fuqinë magjike për të prekur akordet e largëta dhe të harruara".

13 shkurt 2026, 12:42