Kërko

Logoja e Radio Vatikanit Logoja e Radio Vatikanit

Radio Vatikani, logo e re muzikore për të kremtuar 95-vjetorin e themelimit

Me rastin e përvjetorit të inaugurimit të saj, më 12 shkurt 2026, Radio Vatikani – Vatican News rinovon një nga elementët më të njohur të identitetit të saj: "ident"-in sonor që ka shoqëruar gjithmonë dëgjuesit e radios së Papës, një ripërpunim në çelës modern i temës origjinale të “Christus Vincit”.

R.SH. - Vatikan

Logoja e re muzikore e Radio Vatikanit, e hartuar në katër versione kryesore, është një projekt i menduar për të kremtuar përvjetorin historik të 95-vjetorit të themelimit me një shenjë që bashkon traditën dhe bashkëkohësinë. Sistemi i ri i identifikimit tingullor i është besuar Maestros Marcello Filotei, nga redaksia e Programeve Muzikore e drejtuar nga Maestro Pierluigi Morelli, dhe do të shoqërojë dëgjuesit e Radio Vatikanit gjatë gjithë ditës së 12 shkurtit, për t'u bërë më pas pjesë e përhershme e programacionit të rregullt.

Radio Vatikani do të prezantojë një sistem të ri identifikimi që do të qëndrojë krah orkestrimit historik të “Christus Vincit”, të realizuar nga Maestro Alberico Vitalini mbi temën e kompozitorit çekosllovak Jan Kunc, që ka qenë gjithmonë element dallues i emetuesit. Tema origjinale e "Christus Vincit" është ripërpunuar në mënyrën moderne, duke ruajtur një lidhje të drejtpërdrejtë me traditën dhe duke ofruar një petk të ri sonor të aftë për të dialoguar me ndjeshmërinë bashkëkohore.

“Radio Vatikani ka kultivuar gjithmonë, edhe në xhingllin e saj, një marrëdhënie të veçantë me muzikën që përcakton identitetin e saj – nënvizon Paolo Ruffini, prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Komunikimin –. Muzika na flet për atë harmoni dinamike që të gjithë kërkojmë në jetët tona. Kremtimi i 95-vjetorit të radios sonë duke rishikuar logon sonore ka pikërisht këtë kuptim: të përmbledhim në pak sekonda një histori ku identiteti dhe bashkësia shkrihen dhe na bëjnë të ndihemi si në shtëpi”.

Projekti parashikon katër versione kryesore, të gjitha të bazuara në temën e "Christus Vincit", secili i menduar për një moment të ndryshëm të ditës: një version për zgjimin, një për mëngjesin, një për pasditen dhe një për natën. Këtyre u shtohen dy versione të shkurtra (short) që krijojnë një lidhje të menjëhershme me identitetin origjinal.

“Ishte një ushtrim ekuilibri mes traditës dhe novacionit – vëren Maestro Marcello Filotei –. Të modernizosh nuk do të thotë të braktisësh të kaluarën, por ta rilexosh atë me sy të rinj”. Gjithashtu, Maestro Pierluigi Morelli ka realizuar një version special që të kujton orkestrimin e periudhës baroke.

Të gjitha këto logo muzikore do të prezantohen njëkohësisht (sipas orës së Romës) si në kanalin në gjuhën italiane, ashtu edhe në 30 ueb-radiot e Radio Vatikanit në mbarë botën. Për Zëvendësdrejtorin Editorial Përgjegjës të Radio Vatikanit, Massimiliano Menichetti, “me këtë rinovim, radioja shpall sërish misionin e saj duke evidentuar urën midis të kaluarës dhe të tashmes në dritën e fesë”.

Logoja e re muzikore e Radio Vatikanit
11 shkurt 2026, 15:00