2022.06.20 Orchestra

Paqja, një thirrje e përbotshme që vjen edhe nga muzika

Ky është një përvjetor që kujton gjakun e derdhur përgjatë krejt historisë së njerëzimit. Kjo është arsyeja pse programi i muzikës së dhomës i sotëm ,në orën 22:00, fillon me një pjesë që mund të quhet edhe si lutje laike dhe universale: "Friede auf Erden" ("Paqe në Tokë"), Op. 13, të autorit Arnold Schoenberg.

R.Sh. Vatikan

Shpresa përballë shtrëngatës

E kompozuar në vitin 1907, në prag të Luftës së Parë Botërore, kjo pjesë për kor a cappella (së cilës iu shtua më vonë orkestrimi) bazohet në një poezi të Conrad Ferdinand Meyer-it. Është një vepër që qëndron pikërisht në kulmin e udhëtimit krijues të Schoenberg-ut. E rrënjosur në Romantizmin e vonë, ajo e shtyn tonalitetin deri në zgrip, pak para kërcimit përfundimtar në atonalitet, pra, pa kurrëfarë tonaliteti.

Vite më vonë, mbasi ishin parë tmerret që kishte shkaktuar Lufta e Parë Botërore, vetë kompozitori do ta përcaktonte optimizmin e kësaj vepre si "një iluzion rinor". Megjithatë, pikërisht ky besim origjinal dhe i palëkundur e bën veprën edhe më të fuqishme dhe më të nevojshme sot.

Struktura e konfliktit dhe e paqes

Vepra "Friede auf Erden" shkëlqen mbi tjera sepse ka një strukturë të saj të përsosur emocionale, në të cilën muzika bëhet pasqyrë e gjendjes njerëzore. Strofat qendrore trajtojnë realitetin e zymtë të historisë njerëzore, të njollosur nga gjaku dhe përçarja. Schoenberg i përkthen të gjitha këto në një labirint modulimesh të vazhdueshme të temave muzikore, në një kromatizëm të tendosur dhe një kontrapunkt marramendës tetë pjesësh. Është tingulli i kaosit dhe luftës. Në fund vjen finalja. Pasi lundron në errësirën e konfliktit, ku kompozim koral gjen paqe. Tensionet shuhen dhe rrjedhin në akorde të ndritshme, të pastra dhe triumfues në Re maxhor.

Një mesazh për ne sot nga e kaluara

Në atë akord të fundit, nuk është vetëm përfundimi i një arkitekture muzikore; është imazhi akustik i vetë paqes. Schoenberg na mëson se harmonia midis popujve nuk është utopi naive, as një gjendje e garantuar natyrore, por një majë e vështirë ku duhet të ngjitemi, një polifoni komplekse në të cilën çdo zë duhet të gjejë ekuilibrin e tij me të tjerët. Sonte, le t'i mbyllim sytë dhe ta lëmë këtë thirrje të lashtë, por të ngutshme, të jehojë brenda të gjithëve neve.

24 shkurt 2026, 18:56