Papa pret kreun e Kishës Greko-Katolike Ukrainase, Shevchuk
R.SH. - Vatikan
“Mirë se vini”. “Jam i lumtur që munda të vij e t’ju shoh”. Me një puthje dore dhe një shkëmbim të shkurtër përshëndetjesh nisi paraditen e sotme, 12 shkurt, audienca e Papa Leonit XIV me kreun e Kishës Greko-Katolike Ukrainase, Sviatoslav Shevchuk, në Vatikan. Arqipeshkvi i Kyiv-Haliç – njofton një deklaratë – falënderoi Papën për solidaritetin dhe mbështetjen ndaj Ukrainës, si dhe për përpjekjet diplomatike të Selisë së Shenjtë në rrugën drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.
Falënderimi për solidaritetin dhe mbështetjen
Vëmendje e veçantë iu kushtua jetës aktuale të Kishës Greko-Katolike Ukrainase dhe përmasës globale të shërbimit të saj. Imzot Shevchuk theksoi se Kisha Greko-Katolike Ukrainase është një Kishë e veçantë (sui iuris), por në të njëjtën kohë globale, e pranishme në të gjitha kontinentet e botës: “Kisha jonë e veçantë e krishterimit të Kievit ka origjinë ukrainase, por nuk është një Kishë vetëm për ukrainasit, por e hapur për shpalljen e Ungjillit te të gjithë popujt, pikërisht falë bashkimit të plotë e të dukshëm me Pasardhësin e apostullit Pjetër”, i tha imzot Shevchuk Atit të Shenjtë.
Arqipeshkvi e njohu Leonin XIV edhe me disa iniciativa të Kishës për të bashkëpunuar me shoqërinë civile ukrainase dhe komunitetin ndërkombëtar. Ai gjithashtu i dorëzoi Papës listat e të burgosurve, të marra drejtpërdrejt nga familjet e të burgosurve dhe të të zhdukurve. Në fund, Imzot Shevchuk falënderoi sërish Papën për misionin e rëndësishëm të shpëtimit të jetëve njerëzore, në të cilin Selia e Shenjtë merr pjesë sistematikisht që nga fillimi i luftës në shkallë të gjerë në Ukrainë.
Dhuratë: një pëllumb, simbol i paqes
Në përfundim të audiencës, Imzot Shevchuk i rinovoi Leonit XIV ftesën për të vizituar Ukrainën. Si dhuratë i dorëzoi Papës një skulpturë, vepër e italianit Luciano Capriotti, skulptor dhe kardiolog, me titull: Pëllumbi i paqes në kohë lufte. Vepra artistike në qeramikë paraqet një pëllumb delikat dhe të brishtë, të goditur nga një fragment metali i një rakete ruse të lëshuar mbi Kharkiv. Kjo plagë i shkakton “dhimbje të madhe” shpendit, i cili megjithatë vazhdon të mbetet gjallë: “Është një simbol i bukur i Ukrainës bashkëkohore, e plagosur por e gjallë”, komentoi kreu i Kishës Greko-Katolike Ukrainase gjatë dorëzimit të dhuratës. Para se të largohej, Imzot Shevchuk i kërkoi bekimin për popullin ukrainas, ndërsa Papa nga ana e tij, e siguroi për lutjen e tij të vazhdueshme.
Audienca e dytë
Kjo e sotmja është audienca e dytë private e kreut të Kishës Greko-Katolike Ukrainase me Leonin XIV që nga zgjedhja e tij në fronin papnor. Takimi i parë qe zhvilluar më 15 maj 2025. Gjatë asaj audience, arqipeshkvi Shevchuk pati dorëzuar një listë me emrat e 500 të burgosurve dhe të zhdukurve ukrainas dhe pati dhuruar një pikturë me titull Requiem, kushtuar fëmijëve të palindur për shkak të luftës. Papa dhe Shevchuk u takuan më pas më 28 qershor në Bazilikën e Shën Pjetrit, kur Leoni takoi shtegtarët ukrainas që kishin ardhur në Romë për Jubileun e Kishës Greko-Katolike Ukrainase.