Kërko

Nunci ri Apostolik Imzot Adamczyk mbërriti në Shqipëri

Mbërriti sot në Shqipëri Nunci i ri Apostolik, Shkëlqesia e Tij Imzot Mirosław Adamczyk, i emëruar nga Shenjtëria e Tij Papa Leoni XIV më 14 janar të këtij viti.

R.SH. / Vatikan

Nunci ri Apostolik në Shqipëri, Shkëlqesia e Tij Imzot Mirosław Adamczyk, i emëruar nga Shenjtëria e Tij Papa Leoni XIV më 14 janar të këtij viti, mbërriti sot në Shqipëri. Në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë, Nunci Apostolik u prit në një atmosferë mirëseardhjeje nga Ipeshkvijtë e Kishës Katolike të Shqipërisë, nga Administratori Dioqezan i Sapës si dhe nga i Ngarkuari me Punë i Nunciaturës Apostolike në Tiranë, Imzot Ionuţ Paul Strejac, i cili ka ushtruar këtë detyrë gjatë vitit të fundit.

Ceremonia e pritjes vijoi në ambientet e Nunciaturës Apostolike, ku një grup valltaresh nga Qendra Kulturore “Abat Doçi” në Rubik interpretuan një valle me motive tradicionale mirditore, si shprehje e mikpritjes dhe vlerësimit për përfaqësuesin e ri të Selisë së Shenjtë në vendin tonë.

Në vijim të programit, Nunci Apostolik Imzot Adamczyk zhvilloi një takim me Ipeshkvijtë në rezidencën e Nunciaturës Apostolike në Tiranë, duke shënuar kështu fillimin zyrtar të misionit të tij diplomatik dhe baritor në Shqipëri.

marrë nga KISH

24 shkurt 2026, 21:27