Një video-widget për web faqet katolike me lajmet dhe imazhet më të fundit të Papës Një video-widget për web faqet katolike me lajmet dhe imazhet më të fundit të Papës

Një video-widget për web faqet katolike me lajmet dhe imazhet më të fundit të Papës

Mund të inkorporohet lehtësisht në faqet web të dioqezave, famullive, shoqatave dhe organizatave të lidhura me Kishën dhe do të përditësohet automatikisht me lajmet dhe videot më të fundit. Leone XIV: “Kjo nismë e Vatican News është një mjet ungjillëzimi, ofron mundësinë për të krijuar një rrjet dhe një shkëmbim dhuratash” midis Romës dhe Kishës në vende të ndryshme të botës.

R.SH. - Vatikan

“I dashur vëlla, kjo nismë e Vatican News është një mjet ungjillëzimi, ofron mundësinë për të krijuar një rrjet dhe një shkëmbim dhuratash midis Romës dhe Kishës së vendit tuaj. Është një mënyrë që famullitë dhe komunitetet tuaja të marrin vazhdimisht informacion nga burimi kryesor”. Këto janë fjalët që Leoni XIV ka shkruar në një letër për t’ua dërguar ipeshkvijve të botës, për t’i ftuar ata të përhapin video-widget-in e ri të Vatican News, një mjet që do t’u mundësojë faqeve web të dioqezave, famullive, shoqatave dhe organizatave katolike të marrin falas video dhe lajme në lidhje me Papën dhe Selinë e Shenjtë. Në këtë mënyrë, kushdo që viziton faqet dioqezane ose famullitare përmes kompjuterit, tabletit apo smartfonit, do të jetë gjithmonë i përditësuar me lajmet më të fundit mbi magjisterin dhe veprimtarinë e Ipeshkvit të Romës dhe do të mund të ndajë përmbajtjet sociale mbi Papën në gjuhën e vet.

Letra në spanjisht e nënshkruar nga Papa

“Do të ishte e rëndësishme që video-widget-i të përhapej në mënyrë sa më të gjerë në sa më shumë web faqe të jetë e mundur, për të theksuar lidhjen me Ipeshkvin e Romës – ka deklaruar prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin, Paolo Ruffini – dhe gjithashtu sepse është një mjet i dobishëm ungjillëzimi”.

“Përhapja e këtij mjeti të ri – ka thënë drejtori editorial i mediave të Vatikanit, Andrea Tornielli – mund të shërbejë për të kundërshtuar fenomenin e fake news, duke mundësuar akses të menjëhershëm në burimin origjinal të lajmeve dhe teksteve, siç ka theksuar Ati i Shenjtë Leoni XIV në letrën me të cilën ka dashur të mbështesë këtë nismë të re”.

Është e mundur të inkorporohet widget-i në çdo web faqe thjesht duke kopjuar dhe ngjitur një kod. Për ta gjeneruar në gjuhën e dëshiruar dhe sipas përmasave të preferuara (është i mundur zhvillimi horizontal ose vertikal, duke zgjedhur edhe burimin për tekstet), mjafton të lidheni me adresën e mëposhtme web:

https://www.vaticannews.va/widget/embed.html

Pasi të jenë futur të gjitha specifikat e kërkuara, do të gjenerohet një kod i ri i personalizuar për t’u kopjuar për inkorporim. Është një veprim që webmaster-i i faqes duhet ta bëjë vetëm një herë: video-widget-i do të përditësohet automatikisht pa pasur më nevojë për ndërhyrje të tjera. Kështu do të jetë e mundur të merren në kohë reale video të shkurtra të shpërndara në rrjetet sociale në lidhje me Papën dhe Selinë e Shenjtë, në format horizontal dhe vertikal; një “rrotull” me lajmet më të fundit të Vatican News në gjuhën e zgjedhur; një link i drejtpërdrejtë me faqet e Vatican.va ku do të gjenden gjithmonë tekstet e plota të Papës.

Në widget do të përfshihen gjithashtu edhe lidhje të drejtpërdrejta me L'Osservatore Romano dhe Radio Vaticana.

18 shkurt 2026, 15:22