Kërko

Sheshi i Shën Pjetrit në mbrëmjen e 11 tetorit 1962. Sheshi i Shën Pjetrit në mbrëmjen e 11 tetorit 1962.

Nga Shën Pali jashtë Mureve, tek Shën Pjetri: vendet e Koncilit

Në udhën e Kishës, Koncili II Ekumenik i Vatikanit lidhet thellësisht me hapësirat që e shoqëruan njoftimin, hapjen, diskutimet dhe përfundimin e tij. Të kthehemi tek këto sfonde të pagabueshme të historisë, për ta parë fytyrën e Kishës në dialog me botën.

R.SH. - Vatikan

Ka vende që "e popullojnë" historinë e Kishës, e edhe itinerarin e Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, të hapur në vitin 1962 nga Gjoni XXIII e të përfunduar në vitin 1965 nga Pali VI. Njoftimi i kësaj ngjarjeje jehon në bazilikën papnore.

Bazilika e Shën Palit jashtë mureve

Skena e njoftimit historik ishte ajo e Bazilikës së Shën Palit, në Romë, e cila strehon portretet e të gjithë Papëve, nga Pjetri - deri në ditët tona. "Hyrja në këtë Kishë - thoshte shkrimtari gjerman Goethe - prodhon një efekt solemn: rreshta të fuqishëm kolonash mbështesin mure të mëdha të pikturuara me afreske, të mbuluara në majë nga çatia e ndërthurur prej druri".

Një ditë, veçanërisht, ka vend solemn në historinë e kohëve të fundit të Kishës. Është 25 janari 1959, vetëm tre muaj pas zgjedhjes së Patriarkut të Venedikut, Angelo Giuseppe Roncalli, në fronin e Papës. I paraprirë nga procesioni papnor, përmes korridorit të majtë dhe pastaj poshtë navatës qendrore, Gjoni XXIII hyn në absidë, i mirëpritur nga turma e besimtarëve që mbushin Bazilikën. Në predikim, Papa lidh, duke tërhequr një vijë që përfshin edhe kujtime personale, Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve me qytetin e Tarsit, ku lindi Apostulli i Popujve.

Në ditën e festës së kthimit të Shën Palit, Papa Gjoni XXIII shpall qëllimin e tij për të thirrur një Koncil Ekumenik për Kishën universale. Lajmi, i papritur për shumëkënd, erdhi pas kremtimit përfundimtar të Javës së Lutjes për bashikmin e të Krishterëve. Pasi kremtoi Meshën, Papa Gjoni XXIII dha bekimin e tij solemn. Skena, më pas, u zhvendos në Sallën e Kapitullit të Manastirit Benediktin pranë Bazilikës së Shën Palit, ku 17 kardinalë u mblodhën për të dëgjuar fjalimin e Papës, me njoftimin historik. Vetëm disa nga kardinalët e pranishëm ishin në dijeni të asaj që do të komunikonte Papa. Njoftimi erdhi në një çast historik pas përfundimit të Luftës II Botërore dhe në një kontekst ndërkombëtar të prekur nga Lufta e Ftohtë. Në Bazilikën kushtuar Apostullit të Popujve, i iu komunikua botës, lajmi i thirrjes së një Koncili, ngjarje vendimtare jo vetëm për udhën e Kishës.

Papa Gjon XXIII në Bazilikën e Shën Palit Jashtë Mureve (25 janar 1959).
Papa Gjon XXIII në Bazilikën e Shën Palit Jashtë Mureve (25 janar 1959).

Sheshi i Shën Pjetrit

Koncili II i Vatikanit u hap më 11 tetor 1962. Në mëngjes, Kisha u duk në formën e saj më solemne. Atë ditë, mbi 2.500 pjesëmarrës marshuan nëpër Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, duke përfshirë kardinalë, kryeipeshkvij, ipeshkvij dhe eprorë të urdhrave rregulltarë. Erdhën nga çdo cep i botës për të përfaqësuar mbarë popujt e Tokës. Pamjet tregojnë një procesion madhështor drejt Bazilikës së Vatikanit, një lumë mitrash ndërmjet dy brigjeve njerëzish. Është pamja e Kishës që përqafon mbarë botën. Popujt e tokës ndihen të bashkuar me besimtarët e rrethuar nga kolonada. Në mbrëmje, Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan mbushet përsëri. Është përplot me besimtarë, me pishtarë të ndezur, që dëgjojnë fjalët e Papës Gjoni XXIII. "Imi, fillon Papa, është një zë i vetëm, por përmbledh zërin e mbarë botës; këtu përfaqësohet e gjithë bota". Këto fjalë, të cilat duket sikur ledhatojnë kolonadën e Berninit për të përqafuar të gjithë popullin e Zotit - jo vetëm ata të pranishmit në shesh - ndriçohen nga Ungjilli e, në atë mbrëmje, edhe nga hëna e cila, siç thekson Papa, "nxitoi" ta shikonte atë spektakël.

Hyrja e Etërve të Koncilit në Bazilikën e Shën Pjetrit (11 tetor 1962). (Arkivi Fotografik i Medias së Vatikanit)
Hyrja e Etërve të Koncilit në Bazilikën e Shën Pjetrit (11 tetor 1962). (Arkivi Fotografik i Medias së Vatikanit)   (Archivio Fotografico Vatican Media)

Bazilika e Shën Pjetrit

Për hapjen e Koncilit II të Vatikanit, Bazilika e Shën Pjetrit shndërrohet në sallë koncili. Në nefin qendror, u ngritën galeri anësore për të  ftuar Etërit e Koncilit. Në fjalën e hapjes, Papa Gjoni XXIII iu drejtua vëllezërve të tij në ipeshkvi: "Ja pra, ku u mblodhëm së bashku në këtë Bazilikë të Vatikanit, ku ndodhet mentesha e historisë së Kishës: ku Qielli dhe toka bashkohen në një përqafim të vetëm, këtu, pranë varrit të Shën Pjetrit, pranë varreve të shumë paraardhësve tanë të shenjtë, hiri i të cilëve në këtë orë solemne duket sikur ngazëllon në një dridhje misterioze".

Punimet e Koncilit, që vijuan në Bazilikën e Shën Pjetrit nga viti 1962 deri në vitin 1965, i lanë historisë figurën e Kishës Katolike të përshkruar nga ajo sallë: etër dhe barinj nga rajone të ndryshme të botës besojnë të njëjtën fe! Është shëmbëllimi i Kishës, përkrah "Princit të Apostujve", që përqafon Romën dhe botën. Ai i Koncilit të II Ekumenik të Vatikanit, i shpallur në Bazilikën e Shën Palit dhe i jetuar në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, është në fund të fundit shëmbëllesë e Kishës në gjurmët e Apostujve Pjetër dhe Pal.

Salla e Koncilit në Bazilikën e Shën Pjetrit
Salla e Koncilit në Bazilikën e Shën Pjetrit

nga Amedeo Lomonaco 

11 shkurt 2026, 16:02