Kërko

Katër vjet luftë në Ukrainë: ta ndihmojmë Paqen të mbijetojë

Katër vjet pas pushtimit rus të Ukrainës, vazhdohet të jetohet mes shkatërrimit, frikës dhe qëndresës. Përpjekjet për ndërmjetësim ende pa rezultat, ndërsa Evropa tregon brishtësitë e saj. Një përvjetor që i kërkon bashkësisë ndërkombëtare të rikthehet në ndërtimin e paqes.

R.SH. / Vatikan

Massimiliano Menichetti

Qytete të zbrazura, familje të ndara, mijëra të vdekur dhe refugjatë, uri, i ftohtë, frikë, rezistencë dhe krenari. Prej katër vitesh kjo është jeta e përditshme në Ukrainë, që kur Federata Ruse e pushtoi më 24 shkurt 2022. Nuk mund të mësohesh me luftën, me asnjë luftë, e megjithatë koha rrjedh, duke pohuar pashmangshmërinë e atyre që mbjellin vetëm shkatërrim dhe vjedhin ëndrrat, shpresat e rritjen.

Imazhet e qyteteve me ndërtesa të rrënuara, të strehimoreve nëntokësore, të llogoreve janë bërë pjesë e rutinës, në rrjedhën e lajmeve globale, duke rrezikuar ta kthejnë të papranueshmen në diçka të zakonshme. Dukej e pamundur një luftë konvencionale në zemër të kontinentit evropian, e megjithatë jemi dëshmitarë të kundërofensivave, mobilizimeve, aleancave rreshtuese, krizave energjetike dhe vrasjeve.

Vuajtja dhe dhimbja, për momentin, mbeten peng i strategjive të pushtimit dhe hakmarrjes; pak kanë arritur përpjekjet e ndërmjetësimit dhe konferencat e paqes: armët vazhdojnë të mbizotërojnë.

Të dielën e kaluar Papa Leoni, me forcë, edhe një herë kërkoi fundin e menjëhershëm të armiqësive, duke parë realitetin: “Sa viktima, sa jetë dhe familje të shkatërruara! Sa shkatërrim! Sa vuajtje të papërshkrueshme”.

Kjo luftë, e cila ka zgjuar edhe fantazmën e armëve bërthamore, e rrjedhimisht të shkatërrimit të mbarë botës, na vë përballë brishtësive të një Evrope ekonomike, larg horizonteve politike, solidarizuese, humaniste dhe të unitetit të menduar nga etërit e saj themelues: Robert Schuman, Alcide De Gasperi, Konrad Adenauer.

Lufta nuk mund dhe nuk duhet të pranohet: ajo duhet ndalur, armët duhet të heshtin. Riarmatimi, aq i dëshiruar nga disa, nuk është e vetmja rrugë e mundshme, përkundrazi është një shteg shumë i rrezikshëm. Paqja nuk arrihet me forcë: ajo ndërtohet, ajo mbrohet. Paqja mbrohet me dialog, marrëdhënie, respekt, diplomaci dhe multilateralizëm.

Politika, në formën e saj të plotë dhe të drejtë, ndërton bashkëjetesën, ka në qendër personin, favorizon të mirën e përbashkët; pra është në shërbim të komunitetit dhe kurrë nuk ushqen pushtetin në vetvete. E megjithatë edhe politika duket se është bërë e brishtë, në Kontinentin e Vjetër ashtu si kudo tjetër. Është e nevojshme të heshtin armët menjëherë dhe të punohet për të ndërtuar “një paqe të çarmatosur dhe çarmatosëse”, siç ka ripërsëritur disa herë Leoni XIV: të çrrënjosen para së gjithash armët e brendshme, të shkrihet urrejtja dhe mosbesimi ndaj tjetrit. Ky përvjetor i katërt na kërkon të mos e kthejmë kokën nga ana tjetër, të mos injorojmë faktin se një brez i tërë fëmijësh ukrainas po rritet duke njohur vetëm tingullin e sirenave, të bombave, dhunën dhe privimet. Plagë këto që nuk do të mbyllen shpejt dhe nuk do të zhduken. Pas konfliktit do të duhen dekada që i gjithë tmerri dhe urrejtja të transformohen dhe të humbasin peshë në zemra.

Do të duhet një vështrim i aftë për të mos e poshtëruar armikun, për ta shndërruar atë në bashkëbisedues, një rrugë e aftë për të ndryshuar zemrat. Dhe as në atë fazë askush nuk duhet të lihet vetëm: Evropa do të duhet të ringrejë fytyrën e vëllazërisë, të mikpritjes, të subsidiaritetit, dhe të rifitojë atë rrënjë katolike që më parë nuk deshi ta njihte dhe që tani po mundohet aq shumë ta njohë.

Në këtë kohë dhimbjeje është ende gjallë shpresa, e cila ushqen veprimin e mijëra njerëzve që ndihmojnë, shpëtojnë dhe punojnë në çdo fushë për të bërë që të mbizotërojnë logjikat e unitetit dhe ndihmës së ndërsjellë.

Paqja nuk është një ngjarje e improvizuar, por një proces, herë pas here ndërtohen edhe mbi negociata të papërsosura të frymëzuara nga guximi politik.

Shpresa është që ky përvjetor i katërt të shënojë vitin në të cilin komuniteti ndërkombëtar të ndalojë menaxhimin e luftës dhe t'i kthehet ndërtimit të paqes, duke ushqyer besimin, bashkëjetesën dhe kujtesën e përbashkët.

24 shkurt 2026, 09:17