Kard. Czerny: nuk ka shëndet të plotë pa anën shpirtërore të njeriut
R.Sh. Vatikan
Shëndeti duhet kuptuar nga një këndvështrim i plotë i cili garanton kujdesin mjekësor, por gjithashtu ofron mbështetje shpirtërore për ata që kanë nevojë. Kjo është thirrja që bëri kardinali Michael Czerny, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor dhe i dërguari i posaçëm i Papës për Ditën e 34-të Botërore të të Sëmurëve, që kremtohet sot, më 11 shkurt, në Shenjtëroren e Zojës së Paqes në dioqezën e Chiclayos, Peru. Në fjalimin e tij të djeshëm në seminarin akademik, teologjik dhe baritor në teatrin «Moliné» të kolegjit Santo Toribio de Mogrovejo, kardinali përcolli "përshëndetjet dhe bekimet e përzemërta" të Papës Leonit XIV, "ipeshkvit tuaj të dashur", duke kujtuar vitet që Papa kaloi në këtë vend të Amerikës së Jugut.
Dhembshuria e samaritanit të mirë, thelbi i Ungjillit
Pasi përshëndeti nuncin apostolik në Peru, kryeipeshkvin imzot Paolo Rocco Gualtieri, ipeshkvin e Chiclayo-s, kryeipeshkvin imzot Edinson Edgardo Farfán dhe sekretarin e përgjithshëm të Këshillit Ipeshkvnor të Amerikës Latine (CELAM), kryeipeshkvin imzot Lizardo Estrada Herrera, prelati i lartë, kardinali Czerny, shpjegoi se temat e seminarit janë të frymëzuara thellësisht nga mesazhi i Papës për përvjetorin e sotëm dhe të çojnë "në zemër të Ungjillit dhe misionit të Kishës". Ndër këto, ai theksoi dhembshurinë e Samaritanit të Mirë, i cili na fton t’i duam dhe t’i marrim përsipër dhimbjet e të tjerëve. Bëhet fjalë këtu për një reflektim rreth misterit të vuajtjes njerëzore, i cili vë në sprovë fenë e secilit prej nesh dhe hap rrugën për shpresën e mishëruar. Por, këtu, bëhet fjalë edhe për kujdesin paliativ në Amerikën Latine dhe në mbarë botën, si shprehje konkrete e respektit për dinjitetin e çdo personi, që nga ngjizja deri në vdekjen natyrore. Kardinali Czerny theksoi gjithashtu rëndësinë e kujdesit gjithëpërfshirës për pacientin, duke këmbëngulur se ana shpirtërore nuk është një shtesë por shtyllë thelbësore e kujdesit mjekësor. Nëse flasim për shëndet të plotë, shtoi ai nuk ka se si mungon edhe ana shpirtërore. Pa anën shpirtërore, kujdesi shëndetësor nuk është i plotë.
Me urti dhe veprime konkrete
Prefekti i dikasterit z[ Vatikanit për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor vërejti më pas se Dita Botërore e të Sëmurëve fton jo vetëm reflektim dhe lutje, por edhe veprim të përkushtuar. "Vuajtja e vëllezërve dhe motrave tona të sëmura kërkon afërsinë tonë, veshin tonë, politikat e duhura publike, trajnimin profesional kompetent dhe, mbi të gjitha, një zemër të ndjeshme që nuk mbetet mospërfillëse", deklaroi ai. Sipas shembullit të Samaritanit të Mirë, tha ai, të krishterët janë të thirrur të ndalen, të kujdesen dhe t’u gjenden pranë të tjerëve, veçanërisht më të brishtëve dhe të harruarve.
Roma në shërbim të Kishave vendase
Duke iu referuar misionit të dikasterit që drejton, kardinali Czerny kujtoi se shëndeti duhet të vështrohet edhe nga një anë tjetër, e cila përfshin të gjithë personin dhe shoqërinë në tërësi. Në këtë drejtim, ai përmendi kushtetutën apostolike «Praedicate Evangelium» dhe theksoi se dikasteri kërkon të shoqërojë dhe mbështesë nismat e Kishave të veçanta, konferencave ipeshkvnore, instituteve të jetës së shenjtëruar, Caritas-it dhe vullnetarëve, por pa i zëvendësuar ata. "Roma është në shërbim të Kishave vendase", përsëriti ai, duke theksuar se një qasje tepër e centralizuar rrezikon të mbytë realitetet dhe traditat vendase. Kjo qasje, nënvizoi ai, është një pjesë thelbësore e reformës së nisur nga Papa Françesku dhe që po çohet më tej nga Papa Leoni XIV.
Krijimi i rrjeteve dhe shkëmbimi i përvojës së mirë
Kardinali Czerny pranoi sfidat e rëndësishme si kushtet e pamjaftueshme të shërbimit, mungesa e udhëzimit shpirtëror dhe vështirësitë për shfrytëzimin e kujdesit mjekësor me të cilat përballen shumë vende. Në lidhje me këtë pikë, ai nxiti për forcimin e bashkëpunimit, lehtësimin e shkëmbimit të praktikave më të mira dhe vlerësimin e gjithçkaje që tashmë po jep fryte ndër komunitete.
Drejt një kulture të vërtetë për kujdesin shëndetësor
Duke përfunduar fjalën e tij, i dërguari i posaçëm i Papës shprehu dëshirën e tij që seminari të jetë "një hapësirë e frytshme për dialog dhe shoshitje", nga e cila mund të dalin iniciativa konkrete që forcojnë një kulturë të njëmendtë kujdesi shëndetësor. Një kulturë, deklaroi ai, në të cilën të sëmurët njihen, shoqërohen dhe duhen gjithmonë, sepse gjejnë te Kisha dhe shoqëria "një fytyrë vërtet njerëzore dhe të mëshirshme".
Humanizimi i dhimbjes: angazhimi i Kishës dhe i akademisë
Ky vizion teologjik u pasurua nga fjalët e ekspertëve si Atë Alejandro de Jesús Álvarez Gallegos, i cili, duke folur në seminar, theksoi urgjencën e një "kujdesi baritor të dëgjimit", duke nënvizuar se kujdesi gjithëpërfshirës duhet të lindë nga një bamirësi samaritane që njeh dinjitetin e brendshëm të pacientit përmbi protokollet e ftohta mjekësore. Në këtë kuptim, deklaroi ai, humanizimi i shëndetit paraqitet si një urdhër i padiskutueshëm. Ky angazhim përkthehet konkretisht në forcimin e kujdesit paliativ, një fushë në të cilën Dr. Luz Loo theksoi nevojën që t’i jepet një përgjigje shumë anëve të vuajtjes të individit. Specialisti theksoi se një kujdes i tillë nuk është dorëzim, por formë ndihme dhe ngushëllimi që na siguron se pacienti nuk do të braktiset.
Dr. Guido Solari, nga ana tjetër, theksoi nevojën për të reformuar trajnimin e profesionistëve sipas një bioetike që i bën ballë me vendosmëri "kulturës së flakjes tutje". Gjatë diskutimeve që pasuan, u vu re se teknologjia pa dhembshuri nuk ka anë njerëzore, dhe për këtë arsye është e domosdoshme të promovohet drejtësia e kujdesit shëndetësor që asgjëson pengesat për të shfrytëzuar kujdesin mjekësor për ata që kanë më shumë nevojë. Kështu, "shpresa e mishëruar" e propozuar nga kardinali Czerny merr jetë te nevoja për politika publike që u japin përparësi mikpritjes dhe kujdesit për vëllezërit dhe motrat tona më të brishta.