Kërko

Luca Attanasio, ambasadori italian në Republikën Demokratike të Kongos, i vrarë më 22 shkurt 2021, është fotografuar këtu me burra të rinj kongolezë (foto arkivore). Luca Attanasio, ambasadori italian në Republikën Demokratike të Kongos, i vrarë më 22 shkurt 2021, është fotografuar këtu me burra të rinj kongolezë (foto arkivore).

Kard. Parolin: trashëgimia e Attanasio-s, një botë ku solidariteti është më me vlerë se fitimi

Sekretari i Shtetit të Vatikanit kard. Parolin kujtoi ambasadorin italian të Republikës Demokratike të Kongos në përvjetorin e pestë të vdekjes së tij tragjike, fillimisht në varrezat e Limbiate e, më pas, në një Meshë në Kishën e Shën Gjergjit. Luca dha jetën, si i krishterë, "duke pranuar thirrjen për të ndërtuar një botë më të mirë jo vetëm me mendime e hipoteza, por sidomos me fjalë e gjeste të vërteta, të vërteta e të sinqerta". Mesazh nga Presidenti Mattarella

R.SH. / Vatikan

Ta mbledhim trashëgiminë e Luca Attanasio-s, "për të vazhduar ndërtimin e një bote ku paqja të jetë më e dëshiruar se lufta; mirësia, më e nevojshme se dhuna, ku solidariteti të jetë më me vlerë se fitimi". Kështu, Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, e kujtoi dëshminë e ambasadorit italian në Republikën Demokratike të Kongos, Luca Attanasio vrarë pesë vjet më parë në një pritë, së bashku me Karabinierin Vittorio Iacovacci dhe shoferin e tij, Mustapha Milambo, në përkujtimin e tij në varrezat Limbiate, në provincën e Monzës e Brianzës, të dielën, më 22 shkurt.

Përkushtim përtej detyrës, për të ndërtuar një botë më të mirë

Pak metra larg varrit të diplomatit të vrarë në moshën 43 vjeç, ndërsa ndiqte personalisht një mision humanitar të Programit Botëror të Ushqimit, Kardinali Parolin theksoi se, ndërsa është e nevojshme të identifikohen qartë ata që janë përgjegjës për vdekjen e tij, Attanasio, si katolik, dha jetën "në thirrjen e tij si ambasador, duke lënë pas përshtypjen e gjallë të një përkushtimi të aftë për të shkuar përtej detyrës e duke sfiduar kufijtë e asaj, që ishte e nevojshme". Dha jetën, sipas Kardinalit, "duke pranuar thirrjen për të ndërtuar një botë më të mirë, jo vetëm me mendime e hipoteza, por me fjalë e gjeste të vërteta, të vërteta e të sinqerta". E ua dhuroi edhe familjes së tij, "Zakias e të bijave, prindërve, motrës, miqve që ende e vlerësojnë afërsinë e tij".

Luca dhe konkretësia e bamirësisë

Për Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, trashëgimia e ambasadorit Luca Attanasio është dashuri e dukshme, me dëshirën për të qenë pranë atyre që kanë nevojë, në "konkretësinë e bamirësisë", përmes gjesteve të cilat dëshmojnë vëmendjet e shumta, që ai ua kushtoi më të varfërve dhe bashkësive misionare, takuar në kryerjen e detyrave institucionale". Edhe fjalët e tij, të një të edukuari në shkollën e Fjalës së Zotit, lejuan që Attanasio, në misionet e tij diplomatike, të kuptohej, "për të sjellë një mesazh paqeje dhe ngushëllimi, si dhe kompetence".

Mattarella: Italia e shikon Afrikën me humanizëm

Në të njëjtin përkujtim, arriti edhe mesazhi i Presidentit të Republikës Italiane, Sergio Mattarella, për kryetarin e bashkisë së Limbiate dhe familjen e ambasadorit të vrarë në Kongo, më 22 shkurt 2021. "Në skenën e hidhur që vazhdon të prekë Republikën Demokratike të Kongos, shkroi Kreu i shtetit, kujtimi i Ambasadorit Luca Attanasio dhe i misionit të tij mbetet më shembullor se kurrë". Përkushtimi i tij, shtoi Mattarella, "mishëron idealet fisnike të Republikës Italiane, e cila shikon drejt kontinentit afrikan me frymë bashkëpunimi dhe humanizmi. Vlera e angazhimit të përditshëm të shërbyesve të Republikës Italiane të cilët, me guxim dhe ndjenjë detyre, veprojnë në territore të shënuara nga paqëndrueshmëria dhe rreziku, ripropozohet në figurën e Luca Attanasio-s dhe atyre që ishin me të".

Kard. Parolin në Meshë: një jetë për bashkëpunim ndërmjet popujve

Më pas, në orën 11:30 të paradites, Kardinali Parolin kryesoi kremtimin eukaristik në Kishën e Shën Gjergjit në Limbiate. Gjatë homelisë, Sekretari i Shtetit theksoi se kujtimi i Athanasios, në qytetin e tij, "vazhdon të sfidojë ndërgjegjen kolektive, sepse ka jetë që, edhe kur ndërpriten tragjikisht, mbeten si çështje e hapur në lidhje me kuptimin e shërbimit, të përgjegjësisë dhe të përkushtimit ndaj të mirës së përbashkët". Kujtoi edhe se jeta e tij, "e kaluar në shërbim të Shtetit dhe në nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet popujve, u përball me kontekste të ndërlikuara, në të cilat interesi, prestigji e forca ndonjëherë duket edhe se mbizotërojnë".

Të zgjedhësh sipas logjikës së shërbimit besnik

Në përfundim Kardinali Parolin kujtoi se figura e tij vazhdon të bëjë një pyetje sfiduese: "Cila logjikë udhëheq zgjedhjet tona personale dhe kolektive? Ajo e dobisë së menjëhershme, apo ajo e shërbimit besnik?". Shkretëtira, në të cilën na çon Ungjilli i kësaj së diele, njëherësh me Jezusin, nuk është pra "vendi shumë larg historisë, por hapësira e brendshme në të cilën vendosim se si ta kalojmë ". Edhe për ne, prova nuk konsiston në mungesën e alternativave, "por në nevojën për të dalluar ndërmjet asaj që duket efektive në të ardhmen e afërt, e asaj që pajtohet me vullnetin e Zotit".

23 shkurt 2026, 11:44