Kërko

Kardinali Pietro Parolin me Kryeministren italiane Giorgia Meloni në ceremoninë për përvjetorin e Pakteve Laterane në Palazzo Borromeo (@VATICAN MEDIA) Kardinali Pietro Parolin me Kryeministren italiane Giorgia Meloni në ceremoninë për përvjetorin e Pakteve Laterane në Palazzo Borromeo (@VATICAN MEDIA)

Kard. Parolin: Selia e Shenjtë nuk do të marrë pjesë në Bordin e Paqes

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, në përfundim të ceremonisë, në Palazzo Borromeo, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për përvjetorin e Pakteve Laterane. “Shqetësim, sepse në nivel ndërkombëtar është kryesisht OKB-ja përgjegjëse për drejtimin e këtyre situatave të krizës". Pesimizmi në lidhje me luftën në Ukrainë, gati katër vjet pas shpërthimit të konfliktit: "Shpresohet se dialogu do të sjellë një farë progresi, por nuk duket se ka shumë shpresë, e as shumë pritje".

R.SH. / Vatikan

Selia e Shenjtë "nuk do të marrë pjesë në Bordin e Paqes, për shkak të natyrës së saj të veçantë, që qartësisht nuk është e shteteve të tjera". Ky është qëndrimi i shprehur nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinal Pietro Parolin, në përfundim të takimit dypalësh, mbajtur dje pasdite në Romë, me Qeverinë Italiane, në Pallatin Borromeo, seli e Ambasadës italiane, pranë Selisë së Shenjtë, me rastin e përvjetorit të nënshkrimit të Pakteve Lateranense. I pranishëm në takim, edhe Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella.

E rëndësishme të japësh përgjigje

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me pjesëmarrjen e Italisë si vëzhguese në Bordin e Paqes, kard. Parolin vuri në dukje se "ka pika që të lënë disi të hutuar. E ka edhe disa çështje kritike, që kërkojnë shpjegime. Më e rëndësishmja - shtoi kardinali Parolin- është se po bëhet përpjekje për të dhënë një përgjigje. Megjithatë, për ne, ka disa çështje kritike që duhet të zgjidhen". “E shqetësueshme - shpjegoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit - sepse, në nivel ndërkombëtar, është kryesisht OKB-ja që i menaxhon këto situata krize. Kjo është një nga pikat në të cilat kemi këmbëngulur".

Kardinali Parolin dhe Presidenti Mattarella (@VATICAN MEDIA)

Pesimizëm për Ukrainën

Kardinali Parolin shprehu shqetësimin edhe për luftën në Ukrainë, vetëm pak ditë para përvjetorit të katërt të shpërthimit të konfliktit. Ky përvjetor u shoqërua edhe me bombardime të rënda të infrastrukturës energjetike në Kiev e në qytete të tjera. Kardinali mendon se "ka shumë pesimizëm për Ukrainën. Nga të dyja palët, nuk duket se ka pasur ndonjë përparim të vërtetë në lidhje me paqen. E është tragjike që, pas katër vjetësh, jemi ende në këtë pikë... Shpresojmë që këto bisedime të mund të sjellin njëfarë përparimi, por mua më duket se nuk ka shumë shpresë, e as shumë pritje".

Falënderim Italisë për vëmendjen ndaj tematikave, që Kisha i ka për zemër

Sekretari i Shtetit të Vatikanit foli edhe për marrëdhëniet e mira me qeverinë italiane, duke theksuar se gjatë takimit dypalësh, "mbi të gjitha pati falënderime" nga Selia e Shenjtë "për vëmendjen që Qeveria u  kushtoi shumë çështjeve pranë zemrës së Kishës, veçanërisht çështjeve sociale, siç janë dispozitat dhe komisionet për familjen, arsimin, aftësinë e kufizuar dhe burgjet. Këto janë çështje për të cilat ka grupe pune që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me Konferencë Episkopale të Kishës katolike italiane (CEI) dhe për të cilat janë bërë hapa përpara".

18 shkurt 2026, 11:14