Kard. Parolin në ‘Bambino Gesù’: dhurimi i organeve akt dashurie që mposht vdekjen
R.SH. – Vatikan
Kardinali Pietro Parolin vizitoi spitalin pediatrik ‘Bambino Gesù’ në Romë, ku, sot paradite 17 shkurt, bekoi repartin e ri të dializës dhe mori pjesë në takimin me temë “Kultura e dhurimit”. Në fjalën e tij, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin theksoi se dhurimi është një akt dashurie që shkon përtej logjikës së fitimit dhe interesit personal. Sipas tij, gjithçka mund të bëhet dhuratë: paratë, të cilat kur frymëzohen nga bamirësia bëhen mjet drejtësie; organet, që përfaqësojnë një dashuri që “e tejkalon vdekjen”; dhe koha, e cila në një botë të nxituar është një nga format më të larta të bamirësisë.
Duke u ndalur te dhurimi i organeve, kardinali Parolin e quajti atë një gjest me vlerë të thellë njerëzore e shpirtërore, sidomos kur prindërit, në mes të dhimbjes së humbjes, zgjedhin t’u japin jetë e shpresë fëmijëve të tjerë. “Në trupin e dhuruar rreh një dashuri që nuk dorëzohet para vdekjes”, u shpreh ai.
Kardinali Parolin falënderoi gjithashtu edhe bamirësit që mbështesin spitalin pediatrik ‘Bambino Gesù’ në Romë, duke theksuar se çdo ndihmë ekonomike bëhet “Dhuratë hyjnore që kalon përmes duarve të njeriut” dhe ndihmon në ruajtjen e dinjitetit dhe jetës së të sëmurëve. Ai vlerësoi punën e mjekëve, infermierëve dhe vullnetarëve, duke nënvizuar se cilësia e një qytetërimi matet nga aftësia për t’u kujdesur për më të dobëtit.
Gjatë takimit, mbajtur në ambiente të spitalitpediatrik ‘Bambino Gesù’ në Romë, u soll edhe dëshmia prekëse e një pacienti të ri që, pas transplantit të veshkës, rifitoi shpresën dhe një jetë të re. Mesazhi kryesor i aktivitetit ishte i qartë: në një shoqëri të dominuar nga logjika e fitimit, kultura e dhurimit mbetet shenjë e humanizmit të vërtetë dhe e një dashurie që kapërcen edhe vdekjen.