Kërko

Imzot Varden, “nuk ka pengesë më të madhe për praninë e Shpirtit sesa zemërimi”

Imzot Varden gjatë Ushtrimeve shpirtërore në Vatikan, mes tjerash pohoi se “Është koha për të artikuluar radikalitetin e paqes së krishterë, rrënjosjen e saj në dhurimin e drejtë dhe guximshmërinë e vetvetes, duke i kujtuar vetes dhe të tjerëve të vërtetën e fjalëve të pavdekshme të Shën Gjon Klimakut: ‘Nuk ka pengesë më të madhe për praninë e Shpirtit në ne sesa zemërimi’”.

R.SH. / Vatikan

“Është koha për të artikuluar radikalitetin e paqes së krishterë, rrënjosjen e saj në dhurimin e drejtë dhe guximshmërinë e vetvetes, duke i kujtuar vetes dhe të tjerëve të vërtetën e fjalëve të pavdekshme të Shën Gjon Klimakut: ‘Nuk ka pengesë më të madhe për praninë e Shpirtit në ne sesa zemërimi’”. Me këto fjalë, imzot Erik Varden, murg trapist dhe prelat i Trondheim-it në Norvegji, mbajti mbrëmë meditimin e parë të ushtrimeve shpirtërore kreshmore të Kuries Romake, në Kapelën Paolina në Vatikan, në prani të Papës Leonit XIV.

Tema e ciklit të ushtrimeve shpirtërore, që vijojnë deri të premten, 27 shkurt, është “Të ndriçuar nga një lavdi e fshehur”. Në to marrin pjesë kardinalët me banim në Romë dhe krerët e dikastereve të Kuries Romake.

Në meditimin e parë, kushtuar hyrjes në Kreshmë, imzot Varden solli në vëmendje tractus-in e Psalmit 90, Qui habitas, i pranishëm prej më shumë se një mijë vjetësh në liturgjinë romake të së dielës së parë të Kreshmës: “Nuk bëhet fjalë për reliktin e një estetike të vjetruar. Fraza ‘Qui habitat in adiutorio Altissimi’ (e cituar shpesh si Qui habitat), me të cilën fillon Psalmi 91 (ose 90 sipas numërimit të Vulgatës), është një himn i besimit, i mbrojtjes hyjnore dhe i braktisjes në dorë të Zotit. Prandaj, tractus-i përcjell një mesazh jetik”. Imzot Erik Varden ftoi më pas për të rizbuluar shtatëmbëdhjetë predikimet që Shën Bernardi u mbajti murgjve të tij në vitin 1139 p.K. mbi të njëjtin psalm 90, si udhërrëfyes për “një dishepullim plot dashuri dhe kthjelltësi” në rrugëtimin kreshmor.  "Kreshma është koha e një lufte shpirtërore në kërkim të një paqeje “që bota nuk mund ta japë” dhe që “dëshmon praninë e vazhdueshme të Jezusit në ne”, tha imzot Varden.

23 shkurt 2026, 11:23