Imzot Gallagher: paqja e kërcënuar dhe e plagosur. Zoti mund t’i rindërtojë kombet nga hiri i urrejtjes
R.SH. / Vatikan
Kohë tragjike këto të sotmet, me një Evropë që "e ndjen paqen të kërcënuar dhe të plagosur më shumë se kurrë nga lufta tragjike në tokën e munduar të Ukrainës", me një "luftë të tretë botërore pjesë-pjesë" në zhvillim e sipër dhe një çast historik "jashtëzakonisht delikat për paqen botërore, të kërcënuar vazhdimisht nga një mori frontesh". Por, pavarësisht gjithçkaje, Zoti na fton të "kemi besim në Të" në mënyrë që me Të "ajo që sot mund të duket e pamundur - domethënë, paqja - të bëhet e mundur".
Është mesazh i gjallëruar nga shpresa e krishterë dhe i ndriçuar nga dëshmia e të Lumit Eduard Profittlich, ky që sjell në Talin Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare. Në kryeqytetin estonez, kryeipeshkvi merr pjesë në konferencën ndërkombëtare (20-21 shkurt) kushtuar jezuitit me origjinë gjermane, administrator apostolik në Estoni gjatë regjimit sovjetik dhe martir i paqes e i lirisë. Figurë emblematike, kjo e Profittlich - i lartuar në nderimet e altarit në Talin më 6 shtatorin e kaluar - bashkim ndërmjet "diplomacisë dhe shenjtërisë".
Fill i kuq, ndërmjet diplomacisë dhe shenjtërisë
Kjo është pikërisht tema që preket në fjalimin e Imzotit Gallagher: "fill i hollë, por i pathyeshme" që lidh "diplomacinë e lartë" me "misionin e barinjve të mëdhenj, të cilët e shkruan historinë e Kishës, madje edhe në këto toka baltike". Kryeipeshkvi Profittlich është shembull: vdiq në moshën 51 vjeç në vitin 1942, në burgun e Kirovit, ku u mbajt në pritje të ekzekutimit me pushkatim, me akuza të rreme për spiunazh, "viktimë e një sistemi që e urrente të vërtetën e njerëzimin". "Flijimi i Tij", thekson Kryeipeshkvi Gallagher, "na zbulon se diplomacia, siç kuptohet nga Kisha, dhe kujdesi baritor, megjithëse veprojnë në sfera të ndryshme, kanë një rrënjë të përbashkët: shërbimin ndaj të vërtetës për dashurinë e Zotit dhe të njerëzimit, kundër të gjitha formave të shtypjes".
Profittlich, ndërtues urash e hero i historisë
Me origjinë gjermane, Profittlich u bë estonez nga "dashuria dhe zgjedhja". E kuptoi, domethënë, se për të përmbushur misionin e tij në Estoni, nuk mund të mbetej "i huaj". Prandaj zgjodhi qëllimisht të bëhej "gjithçka, për të gjithë njerëzit", e mbi të gjitha, zgjodhi të qëndronte në kohën e pushtimit sovjetik të Estonisë, duke mos u riatdhesuar në Gjermani, si shumë "gjermanë të tjerë baltikë", por duke ndarë fatin e saj tragjik. "Zgjedhja e tij për të qëndruar ishte akti më i lartë diplomatik", pohon Gallagher. Edhe ai vetë, siç vuri në dukje në Ditarët e tij prekës, nxori prej saj "lumturi të pabesueshme" dhe "ndjenjë të thellë paqeje".
Ashtu si shumë shenjtorë të tjerë, Ipeshkvi Eduard qe i aftë të "zhvishej nga identiteti i tij kombëtar, kulturor dhe shoqëror". Prandaj, ai ishte më shumë se bari, por "pontifeks i vërtetë", "ndërtues urash dhe ndërmjetës i jashtëzakonshëm" në një vend ku, për më tepër, prania katolike ishte pakicë. "Po ai ishte në gjendje të endte një rrjet marrëdhëniesh njerëzore dhe madje diplomatike, që kontribuan në ngritjen e dinjitetit të një populli të tërë. Misioni i tij nuk ishte politik, megjithatë ai kishte ndikim të madh mbi politikën", thekson Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet: "Ai i dha Estonisë zë moral, në një kohë kur ideologjitë e mëdha totalitare kërkonin të shtypnin identitetin e saj". Për këtë arsye, sot konsiderohet "hero i madh i historisë estoneze".
E vërteta, shpirt i mendimit dhe i veprimit njerëzor
Asnjëherë, as gjatë marrjes në pyetje dhe burgosjes së tij brutale, guximi i të Lumit Eduard nuk u shndërrua në urrejtje: “Ai i qëndroi besnik të vërtetës supreme: dashuria është e vetmja forcë e aftë për të mposhtur të keqen!”, kujton Imzot Gallagher. Për këtë arsye, në një epokë konflikti dhe kërcënimi, historia e tij “na flet me urgjencë” dhe na tregon se “në misionin e shenjtorëve, si dhe në diplomacinë e lartë, e vërteta nuk është mendim plotësues, por bëhet shpirti i mendimit dhe i veprimit njerëzor”.
Veprimi diplomatik i Kishës synonte kapërcimin e përçarjeve
Profittlich nuk u tërhoq kurrë nga pohimi i së vërtetës me fjalë dhe vepra, “i vetëdijshëm se asgjë nuk është më e rrezikshme sesa heshtja, kur dinjiteti njerëzor është në rrezik”. Kjo frymë i frymëzoi shumë burra dhe gra në shekullin e kaluar, në këtë pjesë të Evropës, gjatë udhëtimit drejt lirisë dhe pavarësisë: “E njëjta frymë duhet të udhëheqë edhe sot çdo veprim diplomatik të Kishës”.