Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher në OSBE (foto nga arkivi) Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher në OSBE (foto nga arkivi)

Imzot Gallagher: Paqe e drejtë dhe e qëndrueshme për Ukrainën

Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare ndërhyri më 24 shkurt në mbledhjen e 1554-të të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, duke u bërë thirrje atyre që mbajnë poste të larta të përgjegjësisë publike që "t'u japin përparësi pauzave të menjëhershme humanitare, paralelisht me një angazhim diplomatik të vazhdueshëm". Dialogu, ripohoi ai, duhet të motivohet nga kërkimi i sinqertë i rrugëve që çojnë drejt paqes.

R.SH. - Vatikani

Çdo luftë përfaqëson një dështim moral dhe njerëzor. Duke u nisur nga kjo dëshmi, imzot Paul-Richard Gallagher, sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, zhvilloi disa konsiderata lidhur me luftën në Ukrainë në kuadër të Mbledhjes së 1554-të të përforcuar të Këshillit të Përhershëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Deklaratat e tij, të shqiptuara më 24 shkurt, në katërvjetorin e pushtimit rus në Ukrainë, propozuan edhe një herë nxitjen e Selisë së Shenjtë drejtuar të gjitha palëve për të demonstruar "guximin e nevojshëm politik për të krijuar dhe mbajtur kanale diplomatike të sinqerta dhe gjithëpërfshirëse që synojnë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme".

Sinqeriteti në negociata

"Është e nevojshme të ndërmerren hapa konkretë", theksoi imzot Gallagher, duke nënvizuar se kush ushtron përgjegjësinë më të lartë publike duhet "t'u japë përparësi pauzave të menjëhershme humanitare, paralelisht me një angazhim diplomatik të vazhdueshëm, me qëllim përkthimin e vullnetit të mirë në marrëveshje paqeje të verifikueshme dhe të qëndrueshme". Dhe u rikthye fjala "sinqeritet në negociata", e cila duhet të frymëzojë dialogun, si dhe "përmbushja besnike e detyrimeve", pohoi kryeipeshkvi Gallagher. Në këtë sens, u ripohua bindja e ushqyer nga Selia e Shenjtë se OSBE-ja mund të luajë një rol të veçantë dhe u vu në dispozicion gatishmëria "për të mbështetur çdo iniciativë serioze diplomatike që vendos personin njerëzor dhe lehtësimin e vuajtjeve në qendër të përpjekjeve të veta".

Të respektohet e drejta humanitare, me urgjencë dhe dhembshuri

Zëdhënës i shqetësimeve të Papës Leonit XIV mbi rëndësinë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare humanitare, sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare saktësoi se kjo "nuk mund të varet nga rrethanat e thjeshta apo nga interesat ushtarake dhe strategjike". Imzot Gallagher përfundoi, së fundi, me ftesën drejtuar të gjitha palëve "që të veprojnë me urgjencë e dhembshuri dhe të përpiqen për një dialog të nxitur nga kërkimi i sinqertë — term i përdorur për herë të tretë — i rrugëve që çojnë drejt paqes".

26 shkurt 2026, 15:02