«Gjyqi i mbramë» i Mikelanxhelos: Puna pritet të përfundojë deri për Pashkë
R.Sh. Vatikan
Po vijojnë me ritme të larta punimet për mirëmbajtjen e «Gjyqit të Mbramë» të Mikelanxhelos. Restauruesit e Muzeve të Vatikanit janë ngjitur në strukturën metalike imponuese shtatëkatëshe që mbulon të gjithë afreskun prej 180 metrash katrorë.
Dhjetë persona punojnë njëkohësisht
"Me një ekip prej rreth 10 personash në skela në të njëjtën kohë, ne do të vijojmë punën me turne pa u ndalur, në orët e paradites dhe të pasdites," shpjegon Paolo Violini, kryerestauruesi i laboratorit të Restaurimit të Pikturës dhe Materialeve prej Druri në Muzetë e Vatikanit.
Punimet pritet të përfundojnë deri për Pashkë
Ekipi që bashkërendon Paolo Violini përbëhet nga 27 persona, njëzet prej të cilëve "po punojnë në Gjyqin e mbramë". Puna mendohet se do të përfundojnë deri për Javën e Madhe, periudhë kulmore e vitit kur Kapela Sistine pret numrin më të madh të vizitorëve: "Jemi të lumtur sepse tani e dimë se kryevepra e Michelangelo-s, Kapela Sikstine, do të jetë gati për vizitorët gjatë festave të Pashkëve", shton Violini.
Monitorim i vazhdueshëm
Ky nuk është një restaurim, siç janë të prirur ta quajnë profesionistët e ndryshëm të përfshirë në këto punime. Është një projekt mirëmbajtjeje i jashtëzakonshëm: "Ishte i nevojshëm sepse mirëmbajtja e zakonshme që kryejmë çdo vit, ndërmjet janarit dhe shkurtit, duke përdorur skela të lëvizshme nëpër muret e Kapelës Sistine, nuk do të na kishte lejuar të arrinim të gjitha pjesët e «Gjyqit të Mbramë»."
Një vel i hollë, i bardhë
Pra, nuk flitet këtu për një ndërhyrje të ngutshme, por për një aktivitet të planifikuar, për të cilin u vendos rreth dy vjet më parë, pas monitorimit të vazhdueshëm të formimit të "një veli të hollë, homogjen, të bardhë që pengon kundrimin e afreskut. Nuk është i dukshëm me sy të lirë pikërisht sepse është i përhapur kudo njëlloj."
Tridhjetë vjet pas restaurimit të shekullit
Megjithatë, duke krahasuar të gjithë sipërfaqen e pikturuar me provën e pastrimit të kryer në një pjesë të vogël të afreskut, përmirësimi vihet re: "Ne bëmë prova të vogla dhe ndryshimi është vërtet i jashtëzakonshëm. Të gjitha efektet e dritëhijeve rishfaqen, veçanërisht tonet e errëta, të cilat u patën dëmtuar më shumë" Dhe ka të drejtë, sepse Violini gjendej te skelat e "restaurimit të shekullit" edhe në vitet 1990 kur zbuloi paletën e vërtetë kromatike të Michelangelo-s. Dhe ai vetë e kujton ende me shumë emocion atë gjetje. "Skela e tashme është shumë e rehatshme, ndoshta më e rehatshme se ajo e tridhjetëvjetëve më parë", komenton ai. Kjo skelë, në të vërtetë, ditët e fundit është mbuluar nga një riprodhim me cilësi tepër të lartë të kryeveprës së Michelangelo-s.
Kapela Sistine mbetet e hapur për publikun
Për disa javë, kureshtja dhe imagjinata e publikut do të drejtohet te punimet që po zhvillohen pas kësaj mbulese. Nga ana tjetër vizitat në Kapelën Sistine do të vazhdojnë normalisht dhe dashamirësit e fesë dhe të artit mund të vijojnë të admirojnë shkëlqimin e pikturave të Michelangelo-s dhe ato të artistëve të shekullit XV.
Shkaqet e velit të bardhë
Restauruesit po kryejnë një pastrim të thjeshtë: duke përdorur letër japoneze dhe ujë të distiluar për të hequr depozitimin me ngjyrë të bardhë. "Bëhet fjalë për depozitime, që kanë qenë edhe në muret përqark por janë pastruar tashmë përgjatë viteve. Për fat të mirë, nuk bëhet fjalë për kripëra që dalin nga brenda murit, jashtë. Pra, nuk flitet për dukuri të dëmshme nga pikëpamja e ruajtjes. Ky vel i bardhë mund të hiqet pa dëmtuar sipërfaqen e pikturuar. Veli është krijuar nga laktat i kalciumit, që formohet nga acidi laktik, një lëndë me origjinë antropogjene. Fryma e shumë vizitorëve që mbushin Kapelën Sistine për periudha të gjata," – shpjegon më tej Paolo Violini – "bashkëvepron me dioksidin e karbonit dhe kalciumin në ajër dhe, me kalimin e kohës, depozitohet në sipërfaqe."
Bashkim energjish që «Gjyqi i mbramë» i Mikelanxhelos të jetojë gjatë
Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për të vazhduar monitorimin dhe sigurimin e ruajtjes së një kryevepre të pashoqe të artit të përbotshëm: "Monitorimi ynë është i vazhdueshëm. Në të njëjtën kohë," – përfundon restauratori kryesor i Laboratorit të Pikturës – "me teknikët dhe inxhinierët që ndërtuan sistemet e ajrit të kondicionuar dhe mbikëqyrën mirëmbajtjen, me Zyrën e Konservatorit dhe me shkencëtarët tanë, po punojmë për të kryer përmirësime të vazhdueshme që të mos ketë ndërhyrje të tjera së afërmi."
Muzetë e Vatikanit kanë planifikuar një konferencë shtypi në Kapelën Sistine për paraditen e së shtunës, më 28 shkurt. Aty, gazetarët dhe përfaqësuesit e mjeteve të komunikimit do të informohen rreth përparimit të punimeve.