Kardinali Víctor Manuel Fernández, prefekt i Dikasterit për Doktrinën e Fesë, me Atë Davide Pagliarani, epror i Vëllazërisë Shën Piu X (FSSPX) Kardinali Víctor Manuel Fernández, prefekt i Dikasterit për Doktrinën e Fesë, me Atë Davide Pagliarani, epror i Vëllazërisë Shën Piu X (FSSPX)

Vatikani i propozon Vëllazërisë Shën Piu X nisjen e një dialogu teologjik

Takim në Vatikan mes prefektit të Dikasterit për Doktrinën e Fesë, Fernández, dhe eprorit të Vëllazërisë Shën Piu X, Pagliarani. Takimi vjen njoftimit të Vëllazërisë në fillim të shkurtit për shugurimin e ipeshkvijve të rinj. Në një njoftim të nënshkruar nga kardinali, bëhet e ditur propozimi për "një rrugëtim dialogu specifikisht teologjik" si dhe kërkesa për të pezulluar shugurimet episkopale, të cilat do të nënkuptonin "një shkëputje vendimtare të bashkimit kishtar"

R.SH. - Vatikan

Një takim "miqësor" dhe "i sinqertë", i zhvilluar me "pëlqimin" e Papa Leonit XIV, i karakterizuar nga propozimi për të nisur "një dialog specifikisht teologjik" dhe i mbyllur me një rekomandim të qartë: që Vëllazëria Meshtarake Shën Piu X të pezullojë vendimin për shugurimet ipeshkvore të njoftuara, sepse kjo "do të nënkuptonte një shkëputje vendimtare të bashkimit kishtar (skizmë) me pasoja të rënda për Vëllazërinë në tërësi".

Takimi me kardinalin Fernandez ishte njoftuar më 4 shkurt si fryti i parë konkret i "kontakteve" midis Selisë së Shenjtë dhe Vëllazërisë Shën Piu X (FSSPX) me synimin për të "shmangur çarjet ose zgjidhjet e njëanshme lidhur me problematikat e shfaqura". Këtë pikë e theksonte një njoftim i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë botuar më 3 shkurt, një ditë pas njoftimit nga ana e Vëllazërisë Shën Piu X (FSSPX) për shugurimet e ardhshme episkopale. Ishte vetë Pagliarani ai që komunikoi se do t'u besonte dy ipeshkvijve të komunitetit, spanjollit Alfonso de Gallareta dhe zviceranit Bernard Fellay, detyrën për të "proceduar me shugurime të reja episkopale" më 1 korrikun e ardhshëm, pa miratimin e Papës. Një gjest që do të përsëriste atë të 30 qershorit 1988, kur imzot Lefebvre shuguroi katër ipeshkvij duke rënë në shkishërim latae sententiae.

Sot, në selinë e Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë (ish Sant’Uffizio), kardinali Fernández propozoi një metodologji precize për tema që ende nuk janë sqaruar mjaftueshëm, si: diferenca midis aktit të fesë dhe "përkuljes fetare të mendjes dhe vullnetit", ose shkallët e ndryshme të aderimit ndaj teksteve të Koncilit të Vatikanit II. Qëllimi është të evidentohen "minimumet e nevojshme për bashkimin e plotë me Kishën Katolike" dhe përpilimi i një statuti kanonik për Vëllazërinë Meshtarake Shën Piu X.

Selia e Shenjtë ritheksoi se shugurimi pa mandat papnor do të ishte skizmë. Prandaj, dialogu kushtëzohet nga pezullimi i shugurimeve episkopale. Eprori Pagliarani do t'ia paraqesë propozimin Këshillit të tij dhe do të kthejë përgjigje Selisë së Shenjtë. Në mbyllje, i drejtohet një kërkesë për lutje "të gjithë Kishës" që të shoqërojë këtë rrugëtim me ndihmën e Shpirtit Shenjt.

12 shkurt 2026, 13:48