Chiclayo, kard. Czerny: bashkëpunimi me të tjerët për mirëqenien e të dobëtëve
R.SH. - Vatikan
Të jesh pranë atyre që vuajnë nga sëmundja çon në konvertimin e zemrës, krijon komunitet dhe është shprehje konkrete e dashurisë për Zotin. Kjo është, thënë përmbledhtas, ajo që thotë kardinali Michael Czerny, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm të Njeriut, në predikimin e Meshës që drejtoi, në emër të Papës, në Shenjtëroren e Shën Marisë së Paqes, në Chiclayo, Peru, për rastin e kremtimit, sot më 11 shkurt, të Ditës Botërore të të Sëmurëve.
Dashuria nuk është një ide
Duke rilexuar mesazhin e Papës Leoni XIV për Ditën e sotme Botërore të të Sëmurëve me temë "Mëshira e samaritanit: të duash duke marrë dhimbjen e tjetrit" , kardinali Czerny, nga toka peruane ku Papa ka qenë ipeshkëv, thekson se kjo lloj dashurie "nuk mund të reduktohet në një ide të thjeshtë, e lindur nga refleksione teologjike ose sociologjike abstrakte". Për këtë lloj dashurie, thekson kardinali Czerny, mund të flitet vetëm duke e bazuar atë në përvojën dhe fenë personale, si dhe në kujtimin e gjallë të rasteve kur kemi qenë dëshmitarë të kësaj dashurie "në veprim". Më pas kardinali Czerny i referohet figurave biblike që përmenden në liturgjinë e sotme, (nga Libri Parë i Mbretërve 1 Mbr 10,1-10; dhe nga Ungjilli i Markut Mc 7,14-23), të cilat janë të lidhura, sipas tij, nga ajo dashuri që "mund të japë jetë, shëndet dhe shpëtim" dhe për të cilën duhet të falënderojmë.
Dashuria është konvertim
Dashuria është një proces konvertimi, në kuptimin më autentik të fjalës, thekson jezuiti Czerny. Dashuria është «të shohësh me sytë e Zotit», të "mos kënaqesh me shpalljen e ftohtë të profecive të këqija apo shpalljen e diagnozave tragjike, por përkundrazi, të jesh gjithmonë i gatshëm të ndryshosh drejtimin", për t'u ulur me shpresë, gjithmonë e më shumë, drejt të tjerëve. Ky është një qëndrim, thekson prefekti i Dikasterit të Vatikanit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm të Njeriut, që është gjithashtu edhe efektiv si ngjitës shoqëror, sepse krijon komunitet. Dhe, në kujtimin e sotëm liturgjik të festës së Shën Marisë së Lourdes, kardinali Czerny evokon atë që ndodh brenda kufijve të atij Shenjtërores franceze "ngarkuar me dhimbje dhe shpresa për shpëtimin e shumë burrave dhe grave. Ata, në diversitetin e shërbimeve që lidhen me nevojat e secilit të sëmurë, mund të japin shumë më tepër nga sa mund të pritet, në dukje, nga secili veç e veç". Frymëzuesja dhe mësuesja është Zoja Mari.
Përtej individualizmit
Të jesh i aftë të bashkëpunosh me të tjerët për të mirën e të gjithëve dhe, mbi të gjitha, të më të brishtëve: kjo është dhurata që kardinali Czerny fton të kërkohet sot në festën e Zojës së Lourdes, në Ditën Botërore kushtuar të Sëmurëve. Sot jemi të ftuar të ofrojmë atë që gjithsecili prej nesh mundet dhe "të mposhtim tundimin e atij individualizmi mosbesues ose, herë pas here, mendjemadh, që më largon nga vëllezërit e mi në misionin për t'u kujdesur për më nevojtarët".
Asnjëherë mos të harrojmë, përfundon kardinali Czerny, se dashuria jonë për të tjerët është gjithmonë shprehje konkrete e dashurisë sonë për Zotin dhe se, anasjelltas, nuk mund të themi e as të mendojmë se e duam Zotin pa përshkuar rrugën e dashurisë.