Kërko

'Bambino Gesù' është spitali i parë pediatrik në Evropë dhe i gjashti në botë, sipas revistës amerikane Newsweek. 'Bambino Gesù' është spitali i parë pediatrik në Evropë dhe i gjashti në botë, sipas revistës amerikane Newsweek.

'Bambino Gesù', Newsweek: spitali i parë pediatrik në Evropë, i gjashti në botë

Edhe sivjet spitali pediatrik i Selisë së Shenjtë 'Bambino Gesù' u përfshi përsëri në listën "Spitalet më të mira në Botë"( World’s Best Hospitals), hartuar që nga viti 2019 nga revista amerikane.

R.SH. / Vatikan

Spitali pediatrik i Selisë së Shenjtë 'Bambino Gesù' u përfshi përsëri në renditjen e World’s Best Hospitals, lista e spitaleve më të mira në botë, përpiluar që nga viti 2019 nga revista amerikane Newsweek, në bashkëpunim me Statista. Posaçërisht, 'Bambino Gesù' është spitali i parë pediatrik në Evropë dhe i gjashti në renditjen botërore të strukturave të specializuara pediatrike, i vetmi spital pediatrik që vepron në sistemin italian të kujdesit shëndetësor e që është ndër 30 më të mirët në botë. Spitali, jofitimprurës e në pronësi të Selisë së Shenjtë, është pjesë integrale e Shërbimit Kombëtare Shëndetësor italian.

Kujdes i specializuar e vëmendje ndaj përmasave njerëzore

"E gjithë kjo buron nga puna e përditshme në grup e të gjithë komunitetit të Spitalit: mjekë, infermierë, punonjës shëndetësorë, stafi teknik dhe administrativ, studiues, vullnetarë dhe personel fetar të cilët, së bashku, kujdesen për fëmijët dhe familjet e tyre", deklaroi Presidenti i spitalit Bambino Gesù, Tiziano Onesti. "Është angazhimi i heshtur i këtyre grave dhe i këtyre burrave - në repart, në laborator, në zyra, në shërbimet e pritjes dhe të mbështetjes - që e bën të mundur kujdesin tejet të specializuar, të bashkuar me vëmendjen ndaj përmasës njerëzore e relacionale të mjekimit".

Anketa ndërkombëtare

“Klasifikimi i World’s Best Hospitals (Spitalet më të Mira në Botë) u hartua duke kombinuar një anketë të gjerë ndërkombëtare të profesionistëve të kujdesit shëndetësor, me të dhëna të pavarura mbi cilësinë e kujdesit dhe sigurinë e pacientit, si dhe tregues të nxjerrë nga vlerësimet e tyre dhe rezultatet klinike të raportuara. Në edicionin e vitit 2026, u vlerësuan 2,500 spitale, në 32 vende, me një seksion kushtuar për spitalet e specializuara në 12 fusha klinike, përfshirë pediatrinë. Ky rezultat njeh rritjen e spitalit i cili, me kalimin e viteve, arriti certifikime të rëndësishme ndërkombëtare, duke përfshirë akreditimin JCI si Qendër Mjekësore Akademike për kërkime klinike e shkencore.

Spitali 'Bambino Gesù' tani është qendra kryesore pediatrike në Evropë për sa i përket anëtarësimit në Rrjetet Evropiane të Referencës për sëmundjet e rralla (e lidhur me 20 nga 24 rrjete), e regjistron çdo vit gati 3 milionë shërbime ambulatore, 100,000 vizita urgjence dhe mbi 33,000 procedura kirurgjikale. Angazhim i vazhdueshëm: "Të  njihesh nga Newsweek si spitali kryesor pediatrik në Evropë dhe i gjashti në botë, është një burim mirënjohjeje për të gjithë njerëzit që punojnë në spitalin tonë çdo ditë", shton Presidenti Onesti. "Kjo arritje është fryt i një bashkësie profesionistësh të ndryshëm, të cilët punojnë çdo ditë me ekspertizë, pasion dhe ndjenjë përgjegjësie për t'u shërbyer fëmijëve dhe familjeve të tyre. Kjo është njohje e rëndësishme, që ne nuk e konsiderojmë pikë mbërritjeje, por më tepër nxitje për të bërë edhe më mirë, duke forcuar angazhimin tonë për kujdes gjithnjë e më të përparuar, të barabartë dhe të individualizuar. Ne do të përpiqemi, në vazhdim, t’i ndajmë përvojat dhe njohuritë brenda sistemit kombëtar të kujdesit shëndetësor dhe me komunitetin ndërkombëtar, për t'u ofruar të gjithë pacientëve të rinj kujdesin më të mirë të mundshëm".

Së fundmi, spitali 'Bambino Gesù' shpreh falënderimet për familjet, që ia besojnë fëmijët e tyre kujdesit të 'Bambino Gesù' çdo ditë, për Selinë e Shenjtë, mbështetjen dhe udhëzimin e saj në misionin e kujdesit, për Shërbimin Shëndetësor Kombëtar italian dhe për institucionet, shoqatat dhe shumë bamirës e partnerë, që e mbështesin dhe e mundësojnë punën tonë të përbashkët në shërbim të fëmijëve dhe të rinjve në mbarë botën.

27 shkurt 2026, 11:31