Reflektim rreth thirrjes së Papa Leonit XIV për një paqe të paarmatosur për një botë të plagosur
R.Sh. Vatikan
Ndërsa Kisha kremtoi Ditën Botërore të Paqes më 1 janar, mesazhi i parë i Papa Leonit XIV për këtë rast u përqendrua te thirrja për një paqe «të paarmatosur dhe çarmatosëse». Siç thekson drejtoresha e Institutit Katolik të Jo-Dhunës «Pax Christi», Marie Dennis, Papa i referohet një paqeje «të përvuajtur dhe këmbëngulëse», duke vënë jo-dhunën ungjillore në zemër të përgjigjes së Kishës ndaj një bote që gjithnjë e më shumë plagoset nga konflikti, frika dhe copëzimi. Duke folur për «Vatican News», Marie Dennis, e përshkruan mesazhin e Papës si thellësisht në përputhje me drejtimin e përcaktuar nga Papa Leoni XIV qysh në fillim të papnisë së tij.
«Është plotësisht në përputhje me atë që Papa Leoni deklaroi që në fillim.» shprehet ajo. «Duke e përmendur menjëherë paqen si një paqe çarmatosëse dhe çarmatosëse, e përvuajtur dhe këmbëngulëse.» - shton ajo. Sipas drejtoreshës Marie Dennis, mesazhi sjell jo vetëm një reflektim shpirtëror, por edhe një strategji të fuqishme dhe konkrete të rrënjosur në atë që ajo e quan «jo-dhunë ungjillore», një mënyrë jetese për të cilën bota ka nevojë të ngutshme.
Një paqe «e çarmatosur dhe çarmatosëse»
Kur u pyet për përdorimin nga Papa të fjalëve «i çarmatosur» dhe «çarmatos» në lidhje me paqen, Dennis shpjegoi se këto kanë në thelb ide teologjike por nënkuptojnë edhe veprime konkrete. Një paqe «e çarmatosur», pohon ajo, nuk varet nga detyrimi, forca ushtarake ose rritja e armatimeve.
«Paqja e Krishtit nuk bazohet te dhuna, detyrimi apo rritja e armatimeve» vë në dukje ajo, duke iu referuar në mënyrë të qartë fjalëve të Papa Leonit për investimet e mëdha dhe përgatitjet për luftë. «Paqja e Krishtit nuk bazohet në atë lloj përgatitjeje, as në vetë dhunën». Por Papa shkon më tej, shton drejtoresha Marie Dennis, kur këmbëngul se paqja duhet të jetë edhe «çarmatosëse».
«Ky nuk është një proces pasiv», shpjegon Marie Dennis. «Është një proces gjithnjë në veprim përmes të cilit ndërtohet një mënyrë e ndryshme e marrëdhënieve midis dy palëve.» Duke marrë nga fjalori i organizatës «Nisma Katolike kundër Dhunës», ajo e përshkruan atë si një praktikë që ndërpret ciklet e dhunës dhe shtrin dorën, madje edhe atyre që vlerësohen si armiq.
«Kjo dorë vazhdimisht i shtrihet të ashtuquajturit armik, atij që mund të jetë edhe autori i dhunës, për të ndërtuar një mënyrë të re të marrëdhënieve,» thotë ajo. «Paqja është e çarmatosur në vetvete dhe është gjithashtu çarmatosëse.» "Paqja është e çarmatosur në vetvete dhe është gjithashtu çarmatosëse."
Një përgjigje rrënjësisht e ndryshme ndaj një bote të dhunshme
Çasti i këtij mesazhit nuk mund të ishte më i goditur! Me shumëfishimin e konflikteve anaembanë rruzullit dhe shkallëzimin e tensioneve gjeopolitike, ndjenja e frikës dhe e paqëndrueshmërisë është përhapur kudo. Drejtoresha e Institutit të «Nismës Katolike të Jo-Dhunës» Marie Dennis e kupton thellë rëndësinë e momentit, kur e përshkruan botën e sotme si «jashtëzakonisht të dhunshme dhe të frikshme».
Megjithatë, ajo beson se Papa Leoni XIV po na jep qëllimisht një përgjigje rrënjësisht të ndryshme. «Në vend që t'i nënshtrohemi ose të nxisim frikën, që është pikërisht mënyra se si po shkon bota tani – vijon drejtoresha Marie Dennis – Papa na bën thirrje të shtyhemi përtej frikës». Në vend të frikës, mesazhi nxit një kthim te përvujtëria, te ndërtimi i marrëdhënieve njerëzore dhe njohja e dinjitetit të të tjerëve.
Ky vizion, vëren ajo, është në kundërshti të fortë me përrallat mbizotëruese që portretizojnë si kërcënime grupe të tëra njerëzish. Këmbëngulja e Papa Leonit për përvujtëri, shpjegon ajo, tregon pranimin e dinjitetit të secilit person. «Kur na thuhet se emigrantët janë një kërcënim, jo një dhuratë» – thotë ajo – «Papa flet për një paqe që i njeh njerëzit si qenie njerëzore me nevoja, integritet dhe dhurata për shoqërinë».
Thirrja e Papës për një paqe «këmbëngulëse» gjithashtu i tërheq shumë vëmendjen drejtoreshës Dennis. «Një paqe të tillë, thotë ajo, nuk mund ta ngutim. «Lypset kohë – aftësi për të dëgjuar tjetrin, sinqeritet dhe këmbëngulje e pandërprerë – për të ndërtuar marrëdhënie të drejta», shpjegon ajo, si në nivel individësh ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Në këtë kontekst, ajo nënvizon theksin e Papës te forcimi, në vend të shpërbërjes, të institucioneve ndërkombëtare të afta për të promovuar dialogun dhe bashkëpunimin midis kombeve.
«Ajo çka na ofron Papa Leoni,» pohon Marie Dennis, «është një program i jashtëzakonshëm dhe i bukur, shumë i ndryshëm, mbi të cilin njerëzimi mund të përjetojë realitetin e këtyre ditëve."
«Shtëpi Paqeje» dhe shpresë konkrete
Një nga pikat më konkrete të mesazhit të Papës, sipas Marie Dennis-it, është ftesa e tij drejtuar bashkësive që këto të bëhen «shtëpi paqeje». «Ati i Shenjtë thotë që çdo bashkësi duhet të bëhet shtëpi paqeje», shpjegon ajo, një shtëpi «ku armiqësia zhduket falë dialogut, ku praktikohet drejtësia dhe mbarështohet falja».
Sipas drejtoreshës Dennis, ky nuk është një ideal i paarritshëm, por mision konkret kishtar, që përfshin jetën famullitare, universitetet, komunitetet fetare dhe madje edhe angazhimin diplomatik të Kishës.
«Këto shtëpi paqeje janë vende ku njerëzit mësojnë të dëgjojnë me respekt, kërkojnë terren të përbashkët dhe punojnë së bashku për problemet që janë në thelb të dhunës», shprehet drejtoresha Dennis. Duke pranuar sa i vështirë mund të duket një vizion i tillë i botës përballë konflikteve të egra, – nga Sudani në Ukrainë – Dennis këmbëngul se ky vizion po përjetohet tashmë, shpesh në heshtje dhe pa u njohur.
«Ka shumë njerëz në mbarë botën të cilët japin ndihmesë për atë që Papa Leoni e quan “revolucioni më i heshtur”, shton drejtoresha e Institutit Katolik të jo-dhunës. Kështu, Papa na tregon për «Tendën e Kombeve», një fermë familjare pranë Betlehemit, përkushtimi i së cilës ndaj shpresës shprehet në vepra të përditshme besnikërie dhe përkujdesje për tokën. Sipas drejtoreshës Marie Dennis, një dëshmi e tillë është shëmbylltyra e përkryer e asaj që kërkon Papa: këmbëngulje e rrënjosur te shpresa, edhe kur rrethanat janë tepër të vështira.
Në të njëjtën kohë, ajo thekson se edhe në vendet e shënuara nga dhuna ekstreme, ka bashkësi të përkushtuara për mbrojtjen e fëmijëve, kujdesin për gratë dhe ruajtjen e dinjitetit njerëzor.
"Për këto histori ku nuk ka dhunë e që praktikohen çdo ditë, shpesh nuk flitet», thotë ajo. «Dhe është e rëndësishme t'i nxjerrim në pah ato, në mënyrë që të dimë se është e mundur të ndërtojmë shtëpi paqeje kudo.» «Është e rëndësishme të nxjerrim në pah historitë e jo-dhunës, në mënyrë që të dimë se është e mundur të ndërtojmë shtëpi paqeje kudo.»
Jo-dhuna, nuk është naive, por e suksesshme
Si një mbështetëse për një kohë të gjatë tashmë e «jo-dhunës», Marie Dennis thotë se e tërheq veçanërisht shumë një rresht në mesazhin e Papës. Ky është reflektimi i Atit të Shenjtë rreth shqetësimit të dishepujve kur Jezusi nuk i përgjigjet me dhunë padrejtësisë dhe kërcënimit.
«Ajo që i shqetësoi apostujt ishte reagimi i tij jo i dhunshëm», shkruan Papa Leoni, një rrugë që Pjetri e kundërshtoi, pa përmendur të tjerë.
«Ky reagim është shumë i njohur», vëren Dennis. «Ne priremi të mendojmë se jo-dhuna, kur kemi përballë dhunë të madhe, është naive ose e pamundur.»
Megjithatë, vëren ajo, vëzhgimet në rritje në terren tregojnë të kundërtën.
«Ajo që po mësojmë është se strategjitë jo të dhunshme funksionojnë», thotë ajo, «dhe shpesh funksionojnë më mirë se përgjigjet e armatosura».
Në vijim, Marie Dennis këmbëngul se jodhuna është vepruese dhe e zbatueshme. Është një qasje e disiplinuar që mund të mësohet dhe zbatohet, edhe në rrethanat më të vështira. «Shtëpitë e paqes» siç i sheh Papa Leoni, shton ai, mund të ndihmojnë bashkësitë të rriten pa prani të dhunës, si rrugë shpirtërore dhe si përgjigje efektive kundër shumë formave të dhunës të pranishme në botën e sotme.
«Po mësojmë se strategjitë jo të dhunshme funksionojnë dhe shpesh funksionojnë më mirë se përgjigjet e armatosura».
Një mëtim shprese
Në përfundim, Dennis shpreh mirënjohje për mesazhin e Papës.
«Është kushtrim i fuqishëm i një metode tjeter», shprehet ajo. «Bota ka nevojë urgjente për të tani».
Mesazhi i Papa Leonit XIV për Ditën Botërore të Paqes, shpjegon ajo, është në fund të fundit mëtim për shpresë, jo mohim i vuajtjes ose konfliktit, por një këmbëngulje e guximshme që paqja, e themeluar tek jo-dhuna e Ungjillit, të jetë diçka e mundur.
«Dhe kjo gjë», përfundon ajo, «është shumë, shumë e rëndësishme».