Kërko

Pse është kaq i rëndësishëm Koncistori i parë dhe i jashtëzakonshëm i Papës Leoni?

Papa Leoni XIV thirri koncistorin e tij të parë dhe të jashtëzakonshëm në janar 2026, takim vendimtar me gjithë Kolegjin e Kardinalëve, që shënon fillimin e vërtetë të stilit të tij të mbarështimit të Kishës.

R.SH. / Vatikan

Salla e Shtypit e Vatikanit pati njoftuar më 20 dhjetor, se Papa Leoni XIV do të mblidhte, më 7 dhe 8 janar 2026, një koncistor të jashtëzakonshëm kardinalësh. Takimi i parë i tillë i papnisë së tij dhe hera e parë që i gjithë Kolegji i Kardinalëve do të, që nga koha e konklavit që e zgjodhi.

Kjo është e rëndësishme sepse një koncistor i jashtëzakonshëm nuk është kryesisht ceremonial. Është një nga çastet e pakta, jashtë konklavit, në të cilën të gjithë kardinalët janë në të njëjtën dhomë me Papën. Sipas së drejtës kanonike, koncistori merret "me nevoja të veçanta të Kishës ose çështje me rëndësi të veçantë". Në fakt, është një mjet qeverisjeje, që i mundëson Papës të konsultohet gjerësisht, të masë pulsin e Kishës në mbarë botën dhe të caktojë paraprakisht përparësitë.

Çfarë kuptimi ka fjala koncistor?

"Koncistor" quhet takimi zyrtar i kardinalëve, i thirrur nga Papa për ta ndihmuar në qeverisjen e Kishës universale. Koncistori i zakonshëm është zakonisht ceremonial. Shpesh përdoret për të krijuar kardinalë të rinj ose për hapa të caktuara në kanonizime. Zakonisht në të marrin pjesë kryesisht kardinalë që jetojnë në Romë. Megjithatë,  mund të jetë ende i rëndësishëm në natyrën e tij. Papa Benedikti XVI, për shembull, njoftoi dorëheqjen e tij gjatë një koncistori, në vitin 2013.

Një koncistor i jashtëzakonshëm është i ndryshëm. Është i menduar për të konsultuar gjithë Kolegjin e Kardinalëve. Vetë fjala ngjall kuptimin "për të qenë së bashku". Historikisht ishte mënyrë e rëndësishme për Papët, për të kërkuar këshilla mbi doktrinën, disiplinën dhe qeverisjen e Kishës. Është një mënyrë e qartë këshilluese. Papa mbetet vendimmarrës, por dëgjon në mënyrë të strukturuar. Koncistori i fundit i jashtëzakonshëm, me ndikim të rëndësishëm strategjik ishte ai i shkurtit 2014 nën papninë e Papës Françesku, i përqendruar te martesa dhe familja, para Sinodit mbi Familjen. Ky ishte i vetmi koncistor i jashtëzakonshëm i thirrur nga Papa i ndjerë.

Rëndësia e këtij koncistori

Takimi i janarit 2026 do të ishte hera e parë që shumica e kardinalëve mblidheshin qysh nga zgjedhja e Papës Leoni XIV. Shumë prej tyre patën pak mundësi për t'u njohur me njëri-tjetrin, para konklavit. Kjo do të thotë se Kolegji kardinalor ka rastin për t'u njohur  edhe me përparësitë kryesore papnore të Papës. Prandaj ky takim nuk ka të bëjë vetëm me pikat e rendit të ditës. Ka të bëjë edhe me marrëdhëniet, besimin dhe qëndrueshmërinë.

Kjo është arsyeja pse takimi ka peshë simbolike. Papa Leoni XIV po bashkon një trup gjeografikisht të gjerë, që shpesh ndryshon për nga përvoja, kultura dhe prioritetet. Nëse arrin të krijojë bashkësi të vërtetë dhe formë të qëndrueshme bashkëpunimi, do të forcojë aftësinë e tij për të qeverisur dhe për t’i prirë Kishës.

Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë deklaroi se dy ditët do të përfshijnë "çaste bashkësie dhe vëllazërie", por edhe "reflektimi, shkëmbimi dhe lutjeje". Qëllimi i deklaruar është t'i ofrojë "mbështetje dhe këshilla" Papës dhe të forcojë bashkësinë e Ipeshkvit të Romës me kardinajtë. Këto fraza mund të duken të përgjithshme. Por në një papni të re, tregojnë diçka konkrete: Papa Leoni XIV po përcakton se si synon të mbarështojë Kishën. A do ta mbarështojë atë vetëm nëpërmjet një rrethi të vogël individësh të besuar, apo do të kërkojë të krijojë këshilla më të gjera dhe përgjegjësi më të përbashkët?

Axhenda zbulon prirjet e Papës në mbarështimin e Kishës

Në një letër me rastin e Krishtlindjes drejtuar kardinalëve, nënshkruar më 12 dhjetor, në festën e Zojës së Guadalupës, në Romë, Papa Leoni përshkroi katër pika kryesore diskutimi për takimin dy-ditor, gjatë të cilit ka të ngjarë të trajtohen dy tema çdo ditë.

Para së gjithash, kërkoi një lexim të ri të Evangelii Gaudium (2013). Ky dokument është i lidhur ngushtë me vizionin e Papës Françeskut për një Kishë misionare. Leoni XIV duket sikur po thotë se Kisha nuk mund të fillojë me debate të brendshme. Duhet të fillojë me shpalljen e Ungjillit. Nëse kjo merret si pikënisje, pjesa tjetër përkufizohet si mjete për misionin, jo si qëllime në vetvete.

Së dyti, ai u kërkoi kardinalëve të merrnin në konsideratë Praedicate Evangelium (2022), kushtetutën që reformoi Kurien Romake. Kjo është themelore. Shumë polemika në vitet e fundit kanë të bëjnë jo vetëm me teologjinë, por edhe me autoritetin: kush vendos çfarë duhet bërë dhe në çfarë niveli? Nëse Papa Leoni XIV përqendrohet në këtë pikë, mund të sfidojë mirëkuptimin e tashëm për përparimin e reformave të Papës Françesku dhe mënyrat e zbatimit të tyre.

Së treti, ai theksoi sinodalitetin si formë themelore bashkëpunimi me Papën në çështjet që prekin mbarë Kishën. Është një sinjal që nuk duhet nënvlerësuar. Sinodaliteti është bërë temë përcaktuese dhe pikë mosmarrëveshjeje. Duke e vendosur në axhendë që në fillim, Papa Leoni XIV po tregon se ka dëshirë që Kolegji të angazhohet drejtpërdrejt me të, në vend që ta trajtojë atë si projekt të huaj.

Në fund, Ati i Shenjtë bëri thirrje për reflektim teologjik, historik dhe baritor mbi liturgjinë, duke theksuar nevojën për të ruajtur traditën e shëndoshë e duke mbetur e hapur ndaj zhvillimit legjitim, në përkim me Koncilin II të Vatikanit. Kjo çështje duket shpesh atje ku këndvështrimet e ndryshme brenda Kishës janë më të dukshme. Një Papë që e trajton atë që në fillim, mund të kërkojë t’i zbusë tensionet, duke sqaruar parimet. Ose mund të jetë duke u përgatitur të marrë vendime, që do të kërkojnë mbështetjen e kardinalëve. Sidoqoftë, përfshirja e tij sugjeron se ai e di që çështja nuk mund të shmanget.

Çfarë do të thotë kjo për Kishën?

Ky koncistor ka të ngjarë të shpalosë qartë për herë të parë mendimet e Papës Leoni XIV. Do të tregojë se çfarë dëshiron të theksojë, çfarë konsideron urgjente dhe si pret që bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë të punojnë për  të mirën e Kishës dhe të popullit të Zotit.

Mund të nxjerrë në pah edhe kufizimet reale. Çështjet janë të gjera. Koha, e shkurtër. Ky kombinim mund të çojë në përqendrim ose në zhgënjim. Një seancë e suksesshme nuk do të mund të zgjidhë gjithçka, por mund të krijojë një metodë: dëgjim të sinqertë dhe përparësi të qartë, me një ndjenjë të përbashkët drejtimi. Në këtë kuptim, koncistori i jashtëzakonshëm nuk është thjesht procedural. Është veprimi i parë i rëndësishëm institucional i kësaj papnie. Pikërisht këtu Papa Leoni XIV pritet të përcaktojë se si mendon të qeverisë me kardinalët dhe çfarë lloj Kishe dëshiron, që ata ta ndihmojnë të udhëheqë.

07 janar 2026, 17:14