Kërko

Në Vatikan vazhdojnë punimet e Koncistorit. Mbyllja, sonte.

U çel dje, më 7 janar, në Vatikan seanca e parë e Koncistorit të jashtëzakonshëm të thirrur nga Papa. Rreth 170 kardinalë nga e gjithë bota morën pjesë në seancën hapëse në Sallën e Sinodit dhe më pas vijuan punimet, në Sallën e Palit VI, duke ndjekur metodën e dialogut dhe të dëgjimit të të tjerëve. Kardinali Radcliff: «Shtrëngata të tmerrshme» po afrohen në botë dhe në Kishë». Papa Leoni u drejtohet të pranishëmve: «Kam nevojë për mbështetjen tuaj.» Punimet mbyllen sonte.

R.SH. Vatikan

U mblodhën dje pasdite, më 7 janar, në Vatikan, 170 kardinaj për Koncistorin e jashtëzakonshëm të thirrur nga Papa Leoni XIV. Të pranishmit votuan për «Sinodin dhe metodën e sinodit» si edhe për «ungjillëzimin dhe frymën misionare në Kishë sipas thirrjes apostolike “Evangelii Gaudium” të Papa Françeskut» si tema reflektimi gjatë këtyre dy ditëve punime. Ishte e nevojshme të zgjidheshin dy tema për arsye kohe dhe për mirëkuptim më të gjerë nga një listë prej katër temash, ku bënin pjesë liturgjia dhe Kushtetuta apostolike «Praedicate Evangelium» e Kuries Romake dhe shërbimin e saj ndaj Kishave vendore.

«Një temë nuk përjashton një tjetër», shpjegoi drejtori i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, në takimin me gazetarët. «Papa është njoftuar se ka nevojë të ngutshme për tema të caktuara. Kështu, do të gjendet një mënyrë për t'i trajtuar ato brenda temave të tjera», iu përgjigj ai pyetjes së vazhdueshme të gazetarëve pse u la jashtë nga diskutimet tema e liturgjisë.

Metoda e sinodit

Për punimet e koncistorit u miratua metoda e sinodit, domethënë të gjithë pjesëmarrësit rreth tryezave të rrumbullakëta, të ndarë në 20 grupe bazuar në gjuhë, me fjalime që zgjasin afërsisht tre minuta secili, dialogojnë dhe dëgjojnë njëri-tjetrin. Me një fjalë po ndiqet procedura e punës së dy sinodeve të fundit. Në fund të fundit, «mënyra e sinodit është rruga që Zoti pret nga Kisha e mijëvjeçarit të tretë», u tha Papa të pranishëmve. Në mbyllje të punimeve të djeshme Ati i Shenjtë Prevost u tha kardinajve: «Kam nevojë për mbështetjen tuaj». Ai u kërkoi atyre të ruanin fshehtësinë në lidhje me diskutimet e brendshme, në mënyrë që të kishte liri më e madhe ndër diskutime.

Puna në grup

Më konkretisht, hapja e punimeve të koncistorit u zhvillua në Sallën e Sinodit, në Vatikan, dhe u kryesua nga kardinali Ángel Fernández Artime, Pro-Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Jetën e Kushtuar. Gjatë hapjes ushtoi edhe himni «Veni Creator», drejtuar Shpirtit Shenjt. U vijua pastaj me leximin e një pjese nga kreu VI i ungjillit sipas Markut. Ndoqi një heshtje dy-minutëshe, një përshëndetje e shkurtër nga kardinali Giovanni Battista Re, dekan i Kolegjit të Kardinalëve, dhe në fund një meditim nga kardinali Timothy Radcliffe, dominikan.

Pastaj, në Sallën Pali VI, kardinalët punuan në grupe të ndryshme. Papa nuk mori pjesë, dhe u kthye vetëm për të dëgjuar raportet përfundimtare. Për shkak të kohës, vetëm sekretarët e nëntë grupeve të para – të përbërë nga kardinalë të Kishave vendore (vetë Papa shpjegoi se ata nga Kuria Romake konsultohen më lehtë) – ilustruan shkurtimisht punën e bërë dhe arsyet pse u zgjodhën dy nga katër temat. Sekretarët e njëmbëdhjetë tryezave të punimeve të tjera të Koncistorit dhanë vetëm titujt e temave të zgjedhura.

Sot, vazhduan diskutimet gjatë seancës së paradites, të paraprira nga Mesha kremtuar në altarin e katedrës së Shën Pjetrit ku Papa Leoni bashkëkremtoi me kardinalët. Pasdite u zhvillua seanca e tretë dhe mbyllja e koncistorit. Nuk është parashikuar një tekst përfundimtar, sepse siç u shpreh Papa në fjalën e tij, qëllimi është të arrihet një frymë bashkuese ​​dhe sinodale për të «punuar së bashku» dhe për të «krijuar diçka të re».

08 janar 2026, 12:02