Kardinali Parolin kremton Meshën në Katedralen e Kopenhagenit Kardinali Parolin kremton Meshën në Katedralen e Kopenhagenit

Kard. Parolin: besueshmëria e Kishës nuk vjen nga pushteti, por nga dëshmia

Sekretari i Shtetit të Vatikanit kard. Parolin kryesoi dje Meshën në Katedralen e Kopenhagenit si legat papnor për kremtimet e 1200-vjetorit të fillimit të misionit të Shën Ansgarit, në Danimarkë. Kardinali kujtoi rëndësinë e murgut benediktin, në një botë të plagosur nga format e reja të skllavërisë - ekonomike, kulturore dhe shpirtërore - dhe nga përjashtimi e indiferenca.

R.SH. / Vatikan

"Kisha mbetet e besueshme jo nëpërmjet pushtetit, numrave ose strategjive, por kur feja bëhet dëshmi e jetuar, e shprehur dhe e mishëruar në akte konkrete çlirimi, drejtësie dhe mëshire, që rivendosin dinjitetin dhe hapin shtigje drejt lirisë së vërtetë". Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin u shpreh kështu dje, të dielën, 25 janar, ndërsa kryesonte Meshën në Katedralen e Kopenhagenit si legat papnor për festimet e 1200-vjetorit të fillimit të misionit të Shën Ansgarit, në Danimarkë. Ishte shekulli i 9-të kur murgu benediktin Ansgari mbërriti në Evropën Veriore në një mision të bazuar jo në "strategji apo sukses, por në besnikëri ndaj Jezusit", kujtoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, dhe së pari shpengoi lirinë e disa skllevërve. Ndaj, gjesti i tij, në një botë "të plagosur nga format e reja të skllavërisë - ekonomike, kulturore, shpirtërore - dhe të prekur nga përjashtimi dhe indiferenca", ende flet sot me "aktualitet të ripërtërirë".

Të sjellësh me vete Lajmin e Mirë

Pasi i solli përshëndetjet e Leonit XIV, duke e siguruar afërsinë e tij shpirtërore, Kardinali Parolin theksoi forcën e lidhjes së krijuar në të kaluarën dhe praninë ende të gjallë të shqetësimit baritor dhe zellit ungjillor që frymëzoi misionin e Ansgarit dymbëdhjetë shekuj më parë. Mision i lindur nga një "përvojë e jashtëzakonshme çlirimi" në jetën e tij, tha Kard. Parolin, duke u frymëzuar nga Libri i Isaisë (52,7-10): ky i fundit nuk përqendrohet aq shumë te mesazhi, sesa te lajmëtari, këmbët e të cilit "janë të bukura, jo për idetë ose shpjegimet, por sepse sjellin lajmin e mirë, të aftë për të shpëtuar njerëzit duke shndërruar zemrat e atyre që e dëgjojnë dhe duke i liruar ata". Po kështu, Ansgari hasi gëzimin e faljes nga Zoti dhe deshi "ta ndante atë gëzim me të tjerët", sepse ky ishte "lajmi i mirë që solli me vete".

Guximi për të ndjekur Jezusin

Duke folur në kishën kushtuar murgut benediktin, që ishte misionari i parë i krishterë për popujt e Danimarkës dhe Suedisë së sotme, Sekretari i Shtetit të Vatikanit Kardinali Parolin rikujtoi çastet e tij kryesore biografike, që nga hyrja e tij, si fëmijë, në manastirin francez të Corbie, deri te transferimi i tij, në moshën njëzet vjeç, në manastirin e themeluar së fundmi të Corvey, në Gjermaninë e sotme. Pastaj erdhi zgjedhja e tij e guximshme për të ndërmarrë një mision ungjillëzues në Danimarkë, kur Perandori Luigji i Piozitetit kërkoi nga priftërinjtë ta shoqëronin mbretin danez të sapopagëzuar Harald Klak.

Në çastin kur duheshin lënë vende dhe njerëz të njohur për të ndjekur Jezusin, Ansgari nuk u lëkund kurrë, duke treguar "guxim dhe besim" të tillë, saqë u bëri përshtypje bashkëkohësve të tij: dishepulli dhe biografi i Ansgarit, Shën Remberti, vuri në dukje në "Vita Anskarii"-n e tij mrekullinë e atyre që e panë të bënte zgjedhje të dhimbshme për dashurinë e Krishtit. Në veprën e tij, benediktini jepte prova për Krishterimin, duke jetuar si i krishterë, në përkim me Ungjillin i cili, theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, nuk ofron "zgjidhje abstrakte", por "vizionin e personit njerëzor, dinjiteti i të cilit i paraprin çdo llogaritjeje".

Me zemra të shndërruara

Në misionin e tij, Shën Ansgari "përballoi kundërshtime të mëdha. Dukej si i dështuar, por suksesi nuk ishte çka kërkonte": në të realizohej, theksoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, duke kujtuar Letrën e Parë të Shën Palit drejtuar Korintasve, paradoksi paolin i "marrëzisë së kryqit", sipas të cilit, në një botë që na mëson ta vlerësojmë pushtetin, ndikimin dhe suksesin, Krishti i kryqëzuar duket se është dështim. "Por kjo marrëzi"- sqaroi - "është dituria e Zotit, sepse tregon dashuri të aftë për t'u dhuruar plotësisht".

Po kështu, edhe historia e jetës së Ansgarit na kujton se Kisha rritet "jo kryesisht" në numra, por në burra e gra që jetojnë jetë besnikërie, këmbënguljeje e dashurie: misioni nis me zemra të shndërruara!

Gjatë kremtimeve jubilare kushtuar Shën Ansgarit, Kardinali Parolin nxiti për ta "ripërtërirë guximin ungjillor" dhe "për ta ruajtur shpresën aty ku historia duket e lodhur", duke dëshmuar se frytshmëria "lind nga dashuria që bashkon dhe nga besimi në veprimin e vazhdueshëm të Zotit, edhe në situatat më të brishta".

Të ecësh me Krishtin

Sot Danimarka nuk është më vendi pagan që Ansgar hasi me mbërritjen e tij; historia e vendit "është shndërruar në mënyrë të pashlyeshme nga trashëgimia e tij e krishterë" dhe bashkësia katolike, së bashku me luteranët dhe të gjithë njerëzit me vullnet të mirë, kontribuon "përmes shërbimit, solidaritetit e respektit për dinjitetin njerëzor", theksoi kardinali Parolin. Duke cituar moton ipeshkvnore të Papës - In Illo uno unum – Kardinali kujtoi edhe një herë Ansgarin, që e dinte se misioni i ithtarëve të Jezu Krishtit fillon me "zemër të transformuar" dhe se shëndeti i Kishës nuk matet me numra apo suksese, por me aftësinë për të "ecur me Krishtin dhe për të qëndruar pranë tij në çdo rrethanë".

26 janar 2026, 14:02