Jubileu, zhvillimi i ritit të mbylljes së Derës së Shenjtë në Shën Pjetër
R.SH. /Vatikan
Me rastin e solemnitetit të Epifanisë, më 6 janar, Papa Leoni XIV do të mbyllë Derën e Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit, në Vatikan, e fundit ende e hapur ndër bazilikat papnore të Romës, duke përfunduar zyrtarisht Vitin e Shenjtë të Shpresës që nisi më 24 dhjetor 2024.
Mbyllja e kanateve
Në vazhdimësi me praktikën e vendosur që nga viti 1975 — dhe e thjeshtuar më tej nga Shën Gjon Pali II në Jubileun e vitit 2000 — riti, që do të fillojë në orën 9:30, nuk parashikon më murimin publik të derës, por përqendrohet në mbylljen e kanateve. Papa do të shqiptojë lutjen e falënderimit për Vitin e Shenjtë të zakonshëm: “Kjo derë e Shenjtë mbyllet, por nuk mbyllet dyertë e mëshirës sate, o Zot”, është formula e parashikuar nga riti, i cili plotësohet me një thirrje që të mbeten të hapura “thesaret” e hirit të Tënzot, “që, në fund të shtegtimit tonë tokësor, të mund të trokasim me besim në derën e shtëpisë sate dhe të shijojmë frytet e pemës së jetës”. Më pas, Papa do t’i afrohet Derës së Shenjtë ndërsa do të këndohet antifona “O clavis David”. Ati i Shenjtë do të ngjitet në prag, do të gjunjëzohet dhe, pas një çasti lutjeje të heshtur, do të mbyllë personalisht dy kanatet e mëdha prej bronzi. Ky gjest nënvizon se koha jubilare përfundon, por se mëshira e Zotit mbetet gjithmonë e hapur. Menjëherë pas mbylljes së Derës së Shenjtë, Papa do të kryesojë Meshën e Shenjtë të solemnitetit të Epifanisë brenda Bazilikës së Vatikanit.
Murimi pasues
Murimi i mirëfilltë i derës së Bazilikës së Shën Pjetrit do të kryhet vetëm më pas, në formë private, rreth dhjetë ditë më vonë, me një rit “murimi” të drejtuar nga Zyra e Kremtimeve Liturgjike të Papës. Teknikët e Fabrikës së Shën Pjetrit — të ashtuquajturit sampietrini (në bazilikat e tjera, teknikët e Guvernatoratit) — do të ndërtojnë murin me tulla brenda Bazilikës për të vulosur Derën e Shenjtë. Brenda murit do të vendoset, gjatë ritit, kapsula tradicionale metalike (capsis), që përmban procesverbalin e mbylljes, monedhat e farkëtuara gjatë vitit jubilar dhe çelësat e portës.