Kërko

Jubileu, shtegtimi i fundit i vullnetarëve përmes Portës Shenjte

Kalimi i personelit që shoqëroi mbi 33 milionë besimtarë gjatë gjithë vitit 2025, e mbyll simbolikisht Vitin Shenjt. Përfaqëson më shumë se 5mijë vetë, që ia kushtuan kohën e tyre sigurimit të një shërbimi, kryer "në një atmosferë sigurie dhe vëllazërimi". Kryeipeshkvi Fisichella: "Ishte aventurë e bukur. Shpresa nuk të zhgënjen vetëm sepse përfundon udhëtimi".

R.SH. / Vatikan

Bazilika e Shën Pjetrit shumëfishohet në një mijë reflektime në pellgjet që e rrethojnë Udhën e Pajtimit, dëshmitare e heshtur e Jubileut 2025 dhe ditëve të tij të fundit me shi të dendur. Të njëjtat reflektime pasqyrohen në sytë e vullnetarëve - të njohur nga xhaketat e tyre të gjelbra - ku u depozituan historitë, barrët dhe pritjet e shtegtarëve që, në këtë Vit Shenjt, kaluan përmes Portës së Bazilikës së Vatikanit. Një lumë njerëzor me mbi 33 milionë njerëz, i mundësuar nga angazhimi i matur e i vazhdueshëm i 5,000 vullnetarëve me prejardhje po aq të ndryshme, të thirrur mbrëmjen e 5 janarit për shtegtimin e fundit, së bashku me disa anëtarë të Dikasterit për Ungjillëzim dhe me Kryeipeshkvin Pro-Prefekt, Imzot Rino Fisichella.

Ndreqe veten e të tjerët

Shtegtimi, si kushdo që e respekton, fillon kanonikisht nga Piazza Pia. Disa pika shiu shoqërojnë shtegtimin - kryesuar nga vetë Kryeipeshkvi, i cili larton i pari Kryqin prej druri të Jubileut - duke lejuar që një ombrellë e hapur herë pas here, ta strehojë jo vetëm atë, por edhe fqinjët. Është fryma e solidaritetit që i bashkon vullnetarët, e cila nuk e zhduk ndjenjën e melankolisë - tipike për çdo përvojë që mbaron - por e bashkon me kënaqësinë e një shërbimi të kryer "në atmosferë sigurie dhe vëllazërie", siç deklaroi Imzot Fisichella në konferencën e sotme për shtyp kushtuar bilancit të Vitit Shenjt.

Heshtje kundruese

Gjatë rrugës, njerëzit luten e këndojnë himnin e Vitit Shenjt, por kujtojnë edhe përvoja të rëndësishme, anekdota dhe ngjarje të paplanifikuara. Megjithatë, sapo arrijnë në pragun e Portës Shenjte, fjalët ia lënë vendin  heshtjes kundruese, drejtuar drejt dyerve imponuese që Papa Leoni XIV do t'i mbyllë nesër, duke pritur rihapjen e tyre në vitin 2033, për Jubileun e Shëlbimit. Vullnetarët i kanë vëzhguar shumë herë, duke rregulluar rrjedhën e shtegtarëve, gjithmonë si aktorë mbështetës. Këtë herë, megjithatë, bëhen protagonistë plotësisht: përkëdhelin panelet, bëjnë shenjën e kryqit dhe pëshpërisin një lutje.

Ishte aventurë e bukur

Procesioni vazhdon përgjatë navatës së Bazilikës, duke përfunduar në qendër të saj. Këtu Imzot Fisichella thotë uratët e kërkuara për faljen, sipas qëllimeve të Papës, dhe kryeson Besojmën. "Ishte një aventurë e bukur", u shpjegon vullnetarëve të mbledhur, "por shpresa nuk duhet të zhgënjejë vetëm sepse përfundoi udhëtimi”, shton, duke i inkurajuar të gjithë të bëhen "gur të gjallë" të Kishës. Kështu përfundon shtegtimi i vullnetarëve: më në fund është çasti i tyre për të lënë mënjanë mundimet, barrët dhe pritjet, me sigurinë se, edhe përmes ndalesës në minutin e fundit, asgjë nuk do të mbetet pa u dëgjuar...

06 janar 2026, 12:30