Jezusi, gjithçka që Kisha është e thirrur të zbulojë
R.SH. / Vatikan
Adhurimi i Tre Mbretërve është gravura më e madhe, realizuar nga Jacques Bellange e krijuar pas vitit 1611, kur, i emëruar piktor i oborrit nga Charles III i Lorenës, banonte në Pallatin Dukal të Nancy, në Francën verilindore. Gjatë kësaj periudhe, prodhoi vizatime të shumta dhe afërsisht dyzet e tetë gravura, dëshmi të stilit të tij grafik shumë personal.
Jacques Bellange (rreth 1575–Nancy 1616), [Adhurimi i Magjistarëve], gravurë, [1611–1616]. BAV, Stampe V.130, pllakë. 102 © Biblioteka Apostolike e Vatikanit
Zoja vështron Foshnjën
Skena paraqitet nga tri figura të shkëlqyera, parë nga prapa: një burrë mbi kalë, një pazh që mban një papagall në krahun e majtë dhe një hark në dorën e djathtë, si dhe një nga Mbretërit-Magjistarë. Të veshur me rroba të shkëlqyera në stilin oriental, të tre shikojnë Zojën e Fëmijën, pranë të cilëve duket edhe Magjistari tjetër, i gjunjëzuar, pasi sapo ka vendosur dhuratën e tij.
Dritë që thekson skenën
Shikimet dhe gjestet lidhin figurat e ndryshme adhuruese. Drita pushton skenën dhe u jep qëndrueshmëri figurave, duke i theksuar linjat e tyre. Ka referenca të forta për artin klasik: planet e perspektivës shënohen nga prania e shkallës në plan të parë, grupi skulpturor në të djathtë dhe kolona e valëzuar në anën e kundërt.
Jehona e Fontainebleau
Subjektet fetare përbëjnë pjesën më të madhe të veprës së Jacques Bellange: kompozimet e tij të sofistikuara, të karakterizuara nga dekorativiteti i theksuar dhe prania e figurave dredha-dredha, të kujtojnë Shkollën Maneriste të Fontainebleau.
Fjalët e Benediktit XVI
"Ndryshe nga Mbreti Herod, i zënë me mbrojtjen e pushtetit e të pasurisë, dijetarët ishin të vendosur në qëllimin e kërkimit të tyre. E, kur e gjetën, megjithëse ishin burra të arsimuar, u sollën si barinjtë e Betlehemit: e njohën shenjën dhe e adhuruan Foshnjën, duke i ofruar dhuratat e çmuara e simbolike, që i kishin sjellë me vete. Të dashur vëllezër dhe motra, le të ndalemi edhe ne shpirtërisht para ikonës së adhurimit të Mbretërve. Ajo përmban një mesazh kërkues dhe gjithmonë aktual, para së gjithash, për Kishën që, duke reflektuar veten në Marinë, është e thirrur t'i tregojë njerëzimit Jezusin, asnjë tjetër përveç Jezusit. Ai është Gjithçka, e Kisha jeton vetëm për të mbetur e bashkuar me Të dhe për ta bërë të njohur në botë".
(Benedikti XVI, 6 janar 2007)